Presidenti Trump, ndryshime në mbështetje të grupeve partnere mbi Sirinë

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka thënë homologut të tij turk se Shtetet e Bashkuara nuk do të furnizojnë më me armë luftëtarët e Njësive të Mbrojtjes së Popullit Kurd (YPG) në Siri, sipas një përmbledhjeje të një zyrtari turk, rreth një bisede telefonike të mbajtur të premten midis dy udhëheqësve botërorë.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha se presidenti Trump e bëri komentin e tij të premten pas një bisede telefonike me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Sipas ministrit Cavusoglu, zoti Trump tha se kishte dhënë udhëzime të qarta se luftëtarëve të YPG-së t’u mos jepeshin armë. Ai gjithashtu citoi presidentin e Shteteve të Bashkuara të ketë thënë, “Ky absurditet duhej të kishte përfunduar shumë kohë më parë”.

“Jemi shumë të kënaqur që dëgjojmë qartë se nuk do t’i jepen më armë kësaj organizate që po përpiqet të copëtojë Sirinë. Sigurisht që ne duam ta shohim këtë në praktikë” tha zoti Cavusoglu.

Presidentët Erdogan dhe Trump diskutuan gjithashtu për blerjen e pajisjeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara nga Turqia, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë të premten në mbrëmje.

Presidenti Trump e informoi zotin Erdogan për “ndryshime ende në pikëpyetje për mbështetjen ushtarake t’i ofruar partnerëve tanë në Siri”, thuhet në deklaratë, por nuk ka përmendur në mënyrë specifike Njësitë e Mbrojtjes së Popullit Kurd. VOA