Presidenti Shqipërisë së Shqipërisë, Ilir Meta i uron ditëlindjen Papës Françesku

Gëzuar Ditëlindjen Atë i Shenjtë! Kështu shkruan mes tjerash Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në mesazhin dërguar Papës Françesku me rastin e ditëlindjes. “Personalisht Ju shpreh mirënjohjen për momentet e takimit me Ju në Selinë e Shenjtë vitin e kaluar”. “Shqiptarët Ju janë mirënjohës që, falë edhe vëmendjes dhe mbështetjes Suaj e të Selisë së Shenjtë, vlerat e harmonisë fetare dhe vokacioni evropian i shqiptarëve janë rigjallëruar e ripërtërirë edhe më shumë”.

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku mbushi sot 83 vjeç. Në Vatikan arrijnë urime nga besimtarë dhe personalitete të mbarë botës, e edhe nga Shqipëria. Pra, personalitete të të gjitha fushave dhe njerëz të thjeshtë i drejtojnë Papës Bergoglio urime personale e zyrtare, të shkruara e të pashkruara, që shpesh kanë formën e lutjes. Prej tyre, po përmendim urimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesisë së Tij Ilir Meta dërguar sot Atit të Shenjtë Françesku për ditëlindjen e 83-të.

Mesazh i Presidentit shqiptar Ilir Meta: Gëzuar

Presidenti Ilir Meta, në mesazhin për këtë rast, e uron Françeskun nga ana e të gjithë shqiptarëve “që e shikojnë magjisterin e tij me mirënjohje e nderim të veçantë”. “E ruajmë të gjallë – shkruan akoma – kujtimin e gëzueshëm  të vizitës Suaj të paharrueshme në Shqipëri, në vitin 2014”.  E më tej: “Personalisht Ju shpreh edhe një herë mirënjohjen për emocionet dhe momentet e takimit me Ju në Selinë e Shenjtë vitin e kaluar”. Pastaj, Presidenti Meta nënvizon: “Shqiptarët Ju janë mirënjohës që, falë edhe vëmendjes dhe mbështetjes Suaj e të Selisë së Shenjtë, vlerat e harmonisë fetare dhe vokacioni evropian i shqiptarëve janë rigjallëruar e ripërtërirë edhe më shumë”.

Shenjtërisë së Tij, Papë Françesku

Shenjtëria Juaj,

me rastin e 83 vjetorit të ditëlindjes Suaj, At i Shenjtë, Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta dhe të ngrohta. Ju uroj një jetë sa më të gjatë dhe të shëndetshme në shërbim të besimit katolik dhe në përmbushjen e thirrjes e misionit tuaj në shërbim të mbarë njerëzimit.

Ju mbeteni një shembull tejet frymëzues i përkushtimit ndaj Hyjit, modestisë njerëzore dhe një udhërrëfyes i denjë shpirtëror, i paqes dhe i shpresës për të ardhmen.

Ju jeni një dhuratë tejet e çmuar për mbarë botën dhe për besimin katolik duke shpalosur pa reshtur mesazhet e krishtera të dashurisë për Hyjin por edhe për njëri-tjetrin, të cilat janë jo vetëm misioni por edhe përmbledhja e mësimeve të Biblës dhe esenca e vetë Kishës.

Ju vazhdoni t’i kujtoni botës se dashuria e vërtetë mbizotëron mbi urrejtjen dhe ndasinë, dhe se mëshira triumfon mbi çdo ligësi. Përmes udhëheqjes Suaj shpirtërore mbarë bota arrin të dëgjojë dhe kuptojë se me më shumë dashuri dhe mëshirë, duke u shërbyer me përulësi të gjithë njerëzve ne do jemi më humanë dhe më të përafruar me Hyjin.

At i Shenjtë, përulësia Juaj është inkurajim për kombet. Shqiptarët e çmojnë të paharrueshme vizitën Tuaj pastorale në Shqipëri, në vitin 2014, vendimet hyjnore për shenjtërimin e Nënë Terezës, si dhe të lumturimit e lartësimit të besimtarëve të devotshëm e klerikëve shqiptarë që u flijuan gjer në sakrificë në shërbim të Hyjit.

Shqiptarët Ju janë mirënjohës që, falë edhe të vëmendjes dhe mbështetjes Suaj e të Selisë së Shenjtë, vlerat e harmonisë fetare dhe vokacioni evropian i shqiptarëve janë rigjallëruar e ripërtërirë edhe më shumë.

Personalisht Ju shpreh edhe një herë mirënjohjen për emocionet dhe momentet e takimit me Ju në Selinë e Shenjtë vitin e kaluar, dhe Ju siguroj se do të vijoj t’i përcjell me të gjithë fuqinë time dhe të përgjegjësisë institucionale që mbaj, mesazhet Tuaja të vyera për popullin tim dhe në veçanti për rininë e mrekullueshme, që Ju e kujtoni me aq dashuri nga vizita juaj në vendin tim.

Gëzuar Ditëlindjen At i Shenjtë!

Ju uroj një jetë të gjatë, të shëndetshme dhe të mbushur me bekimet e Hyjit!

Me respekt e mirënjohje të thellë,

Ilir Meta

Tiranë, 17 dhjetor 2019