Presidenti Meta në Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Dhunës ndaj Gazetarëve

Kur cenohen liria dhe të drejtat e gazetarëve është cenuar vetë themeli i sistemit demokratik”

Presidenti i Republikës, Ilir  Meta, në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare për t’i Dhënë fund Pandëshkueshmërisë së Dhunës ndaj Gazetarëve”, mikpriti dje në Institucion gazetarë, raportues terreni, redaktorë dhe kryeredaktorë të mediave të ndryshme dhe portaleve shqiptare, si dhe zëdhënës e atashe shtypi të ambasadave të huaja të akredituara në vendin tonë.

Presidenti Meta duke shprehur mirënjohjen, respektin dhe solidaritetin e plotë me të gjithë komunitetin e gazetarëve, për misionin, profesionalizimin dhe për mbrojtjen e fjalës së lirë, theksoi se: “Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri vërtet demokratike. Kur deformohet dhe cenohet liria dhe të drejtat e gazetarëve, është cenuar vetë themeli i sistemit tonë demokratik.”

“Një solidaritet të veçantë shpreh sidomos për gazetarët e terrenit, për ata që raportojnë ngjarjet, faktet në mënyrë të menjëhershme duke sakrifikuar në çdo kohë, duke rrezikuar për shkak të ngjarjeve dhe karakterit të ndryshëm të tyre, gjithmonë në shërbim të lirisë, në shërbim të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të sistemit tonë demokratik.” – u shpreh Presidenti i Republikës.

Presidenti Meta, duke nënvizuar rëndësinë ndërkombëtare të kësaj dite dhe nevojën për ruajtjen e respektimin e integritetit dhe profesionalizmin e gazetarëve, theksoi se duhen inkurajuar. Ai u ndal dhe në rastet e fundit ku gazetarët janë kërcënuar. “Sulmi me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares, Klodiana Lala, kërcënimi me jetë i gazetarit, Julian Shota, apo moszbulimi i autorëve të rrahjes barbare të gazetarit Elvi Fundo e disa raste të tjera, janë ngjarje tepër të rënda që na ftojnë të gjithëve, veçanërisht organet e sundimit të ligjit, të hetojnë me shpejtësi, transparencë, në mënyrë të plotë e shteruese, për të vënë para ligjit këdo që qëndron pas tyre dhe të punojnë maksimalisht për parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen”,- tha Presidenti.

Në fjalën e tij kreu i shtetit u ndal dhe në rastet e fundit të dhunës ndaj gazetarëve në botë, duke dënuar vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi. “Njëkohësisht problemet e gazetarëve janë në të gjithë botën prandaj është edhe kjo Ditë. Me këtë rast dua të dënoj me forcë vrasjen tronditëse të gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll duke iu bashkuar thirrjes tuaj si përfaqësues të medias, por edhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar, edhe unë nënvizoj rëndësinë e bëj thirrje që ky rast të kthehet në një shembull për një hetim gjithëpërfshirës, që do të vërë para përgjegjësisë të gjithë urdhëruesit dhe autorët e tij”,- deklaroi Presidenti.