Presidenti Meta dekoron Frattinin: Mik dhe avokat i Shqipërisë për anëtarësim në NATO e BE

Në një ceremoni solemne, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi dje Franco Frattini me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Kreu i Shtetit Shqiptar, Ilir Meta i akordoi ish-ministrit italian të Punëve të Jashtme dhe ish-Komisionerit Europian për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë dekoratën e lartë me motivacionin: “Në mirënjohje të kontributit të tij të spikatur në forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë, për mbështetjen e pakursyer për integrimin europian dhe euroatlantik, dhe në veçanti për udhëheqjen e procesit historik të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë drejt Bashkimit Europian.”
Në ceremoni ishin të pranishëm Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, deputetë, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, krerë dhe përfaqësues të bashkësive fetare shqiptare, personalitete të politikës e medias. “Është kënaqësi e veçantë, që në këtë ditë që përkon me lumturimin e Shën Nënë Terezës, të nderojmë sot të gjithë së bashku një mik të çmuar, zotin Franco Frattini. Shqipëria dhe Italia janë dy vende të lidhura hershëm me pafundësi nyjesh historike, kulturore, ekonomike, politike, por mbi të gjitha njerëzore. Kjo marrëdhënie është zgjeruar e forcuar me një dinamikë të jashtëzakonshme pas viteve ’90, duke arritur në nivelin më të lartë të Partneritetit Strategjik në shkurt të vitit 2010. Zoti Frattini, në atë kohë Ministër i Jashtëm i Italisë, ka padyshim rolin dhe mirënjohjen tonë të merituar për këtë “pranverë të re të miqësisë shqiptaro-italiane”,- tha Presidenti Ilir Meta.
Kreu i shtetit u shpreh se kjo dekoratë i jepet në shenjë mirënjohje për kontributin e veçantë që Fratini ka dhënë për Shqipërinë. “Ky vit për ne shqiptarët është viti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i personalitetit më të madh që kombi ynë ka nxjerrë dhe që i ka kaluar kufijtë tanë, duke qenë një figurë e njohur jo vetëm në Itali, por edhe në të gjithë Europën. Dhe është kjo figurë që ka përcaktuar edhe identitetin europian të kombit tonë. Ndaj kemi kënaqësinë sot që t’ju vlerësojmë me Dekoratën “GJERGJ KASTRIOT SKËNDERBEU”, në mirënjohje të kontributit të spikatur për forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë, për mbështetjen e pakursyer për integrimin evropian dhe euroatlantik e në veçanti për lidershipin që ju keni treguar për procesin historik të lëvizjes pa viza të shqiptarëve drejt Bashkimit Europian. Jam i bindur në vazhdimin e kontributeve tuaja të sinqerta në forcimin e marrëdhënieve dhe miqësisë midis dy vendeve tona, por edhe për mbështetjen e integrimit europian të Shqipërisë edhe më tej”,- deklaroi Presidenti.
Pas marrjes së Dekoratës së lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, Franco Frattini mbajti një fjalë përshëndetëse, duke shprehur falënderimet e tij për vlerësimin e bërë nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe bindjen për të ardhmen europiane të Shqipërisë. “Jam shumë i lumtur që gjej këtu edhe një herë tjetër kaq shumë miq e kolegë të cilët u përkasin familjeve të ndryshme politike e të cilët kanë ecur së bashku përpara për të mirën e këtij vendi, për të mirën e qytetarëve shqiptarë. Ajo që ne kemi bërë së bashku nuk ishte dhe nuk është për hir të Brukselit, por është për të mirën e qytetarëve tuaj. Sepse ideja që ne kemi pasur në mendje, dhe kurrë nuk do ta imagjinoja një perspektivë ndryshe, përveçse e ardhmja europiane për Shqipërinë”,- tha Frattini.