Presidenti Ilir Meta nderon balerinin dhe koreografin e famshëm shqiptar, Eno Peçi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në nisje të vizitës së tij zyrtare në Austri, vlerësoi balerinin dhe koreografin e famshëm shqiptar, Eno Peçi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të dhënë si ambasador i kulturës shqiptare në skenat austriake dhe ato botërore”. Në ceremoninë e dekorimit, që u zhvillua në Vjenë, ishin të pranishëm Ambasadori i Shqipërisë në Austri, Roland Bimo, përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Austrisë e personalitete të artit. Në fillim të veprimtarisë, u shfaq për të pranishmit një film dokumentar për Eno Peçin, i realizuar nga producenti Gjergj Mazi e më pas Presidenti Meta mbajti një fjalë përshëndetëse, ku u shpreh: “Është vërtetë kënaqësi të jem me ju në këtë mbrëmje dhe më lejoni fillimisht të përgëzoj producentin e filmit Gjergj Mazi dhe balerinin Eno Peçi për momentet e mrekullueshme që na kanë sjellë përmes filmit “Solisti”. Duke parë filmin, mësuam më shumë për jetën dhe karrierën artistike të z. Peçi, si një balerin i talentuar solist dhe koreograf i talentuar.
Ndihem krenar dhe i lumtur që ai është i admiruar dhe i duartrokitur këtu në Austri dhe në shumë skena prestigjioze botërore.
Mund të them se ai u rrit artistikisht këtu në Austri, duke ndjekur traditën më të mirë të poetëve, gjuhëtarëve dhe artistëve të shquar shqiptarë para Luftës së Dytë Botërore dhe më tej pas ndryshimeve demokratike në fillim të viteve ’90.
Në këtë drejtim, dëshiroj të shpreh falënderimet e mia për zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë për mbështetjen e këtij aktiviteti dhe gjithashtu shpreh vlerësimin tim për bashkëpunimin e ngushtë me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Vjenë gjatë këtij viti të veçantë.