Presidenti Ilir Meta bën publik përmes një letre qëndrimin e tij lidhur me “Kërkesën për autorizim negociatash me palën greke”

Letra e Presidentit për Ministrinë e Jashtme

Në funksion të transparencës me opinionin publik Presidenca bëri dje publike qëndrimin e Presidentit Ilir Meta lidhur me “Kërkesën për autorizim negociatash me palën greke” dërguar Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme. Kërkesa e ministrit Ditmir Bushati është dërguar më datë 16 shkurt 2018. Në argumentin e tij, kreu i shtetit thekson se kërkesa nuk është bërë sipas detyrimit që përcakton Gjykata Kushtetuese. Më poshtë mund të lexoni letrën e kreut të shtetit.

***

I nderuar Zoti Ministër, Nëpërmjet shkresës suaj nr. 2428, datë 13.02.2018, u njoha me kërkesën për “Autorizim negociatash me palën greke”. Presidenti i Republikës, vlerëson angazhimin e Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme për të nisur negociatat për një marrëveshje të re ndërshtetërore për delimitimin e hapësirave detare me Greqinë. Bashkëpunimi i hapur dhe i ndërsjelltë është në themel të parimit të fqinjësisë së mirë.

Nga shqyrtimi i kërkesës së paraqitur, për Autorizim negociatash me palën Greke, konstatohet se; 1.  Kërkesa nuk përkufizon qartë objektin e negociatave për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi. Shkresa nr. 2428 prot, datë 13.02.2018, që në “Lëndë”, është e paqartë, pasi sipas saj objekti është “Përcillet kërkesë për autorizim negociatash me palën Greke” dhe ky përkufizim nuk parashikon, se cili është objekti konkret për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi dhe nuk reflekton detyrimet që rrjedhin nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 10.04.2010.

Së pari, duhet evidentuar se kjo kërkesë është e përbërë gjithsej nga një kërkesë e vetme (gjithsej 4-fletë) dhe nuk përmban asnjë dokument shoqërues apo shpjegues bashkëlidhur. Nga shqyrtimi tërësor i kërkesës rezulton se ajo nuk shpreh në mënyrë të qartë dhe eksplicite titullin e marrëveshjes dhe objektin konkret për të cilin shteti shqiptar kërkon të hyjë në negociata zyrtare me shtetin grek. Përcaktimi i saktë dhe pa asnjë ekuivok i titullit të marrëveshjes dhe objektit të negociatave, në proceset e diskutimeve negociuese ndërkombëtare me qëllim lidhjen e një marrëveshjeje të kësaj natyre është kushti themelor që duhet të plotësohet, dhe mbi të cilin lëshohet Autorizimi për Plotfuqi nga Presidenti i Republikës. Vetëm duke përcaktuar objektin e saktë të negocimit, grupi negociator legjitimohet për të zhvilluar diskutime brenda objektit të tij.

Në paragrafin e fundit të faqes 3 të kësaj kërkese parashtrohet se: “Synimi i negociatave teknike me palën greke do të jetë: Negocimi dhe finalizimi i një marrëveshje të re për delitimimin e të gjitha hapësirave detare të përcaktuara për të Drejtën e Detit me koordinata gjeografike; Detin Territorial, Zonën Ekskluzive Ekonomike dhe Shelfin Kontinental”.

Në lidhje me këtë që ju citoni, gjithçka që është vlerësuar nga qeveria se duhet të negociohet nuk mundet që t’i kërkohet autoritetit më të lartë, duke përdorur terma të tillë si “synim”, por qartësisht sipas Kushtetutës dhe ligjeve, kërkesa për Autorizim duhet të jetë e shprehur ekzaktësisht mbi titullin e marrëveshjes dhe objektin e saj. Për më tej në kërkesën për Autorizim për Negocim, do të duhej të përfshiheshin edhe hartat analoge dixhitale, si instrumente negociuese teknike parësore që pasqyrojnë realitetin gjeografik të hapësirës që delimitohet.

Në lidhje me këtë çështje, Gjykata Kushtetuese në Vendimin nr. 15/2010, në pikën 36, ka përcaktuar qartë se: “36. Presidenti i Republikës është përfaqësuesi më i lartë i shtetit shqiptar në marrëdhëniet me jashtë, në kuptim të nenit 86/1 të Kushtetutës dhe ka autoritetin për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare si përfaqësues legjitim i shtetit, sipas nenit 92/ë të Kushtetutës. Nga kjo rezulton se, ose ai vetë duhet të kishte marrë pjesë në lidhjen e marrëveshjes ose, nëpërmjet plotfuqisë, duhej të kishte autorizuar grupin negociator për këtë qëllim.” Mbështetur në parashikimet e nenit 92/ë, të Kushtetutës, dhe Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.15/2010, në të cilin është qartësuar mënyra se si Presidenti e ushtron të drejtën për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare konstatohet se:

– Përbërja e grupit negociator sa i takon institucioneve të përfshira nuk është e plotë, dhe

– Mungesa e përcaktimit nominal të delegacionit krijon hapësirë që të mos përmbushë standardet për nivelin e njohurive të kërkuara apo, nuk jep garancitë e nevojshme për integritetin moral dhe profesional për të marrë pjesë në negociata kaq të rëndësishme për shtetin shqiptar.

Nga sa më sipër, rezulton se; Së pari, grupi negociator që do të realizojë negociatat, duhet të përfaqësojë ekspertizën më të thelluar dhe më të mirë profesionale në të gjitha fushat në interes të negocimit, me qëllim që niveli i përfaqësimit të Shtetit Shqiptar dhe mbrojtja e interesave të tij të realizohet në lartësinë e kërkuar nga interesat e vendit. Në funksion të realizimit të objektivave të negocimit dhe të ekspertizës, do të duhet të merret në konsideratë dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të institucioneve të tjerë veç atyre të cituar në kërkesë të tilla si Akademisë së Shkencave, Agjencisë së Informacionit Gjeohapësinor (ASIG), Universitetit të Tiranës, Akademisë së Albanologjisë, Institutit të Arkeologjisë, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Kulturës, etj.

Së dyti, kërkesa për dhënien e Autorizimit për Plotfuqi, siç rezulton nga kërkesat e Kushtetutës, Vendimit nr.15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, ligjit nr. 43/2016, por edhe nga praktika tashmë e konsoliduar në këtë drejtim, duhet të përcaktojë qartë se cila do të jetë përbërja nominale e grupit negociator, pra jo vetëm me emërtesat e institucioneve, por dhe emrat konkret të personave dhe funksionet dhe profesionet që ata përfaqësojnë. Në kërkesë nuk përcaktohet se kush do të jetë personi që do të udhëheqë Grupin Negociator, gjë që është tepër e rëndësishme nisur nga përvoja jo pozitive në të kaluarën. Kërkesa për pajisjen me autorizim, duhet të shoqërohet detyrimisht me listën nominale të emrave konkret përbërjes të grupit negociator, shoqëruar me CV përkatëse, që do të krijonte mundësinë e vlerësimit të përmbushjes së kritereve të integritetit moral dhe profesional që krijojnë besimin tek Presidenti i Republikës, për t’i dhënë besimin që ta përfaqësojnë atë në këto negociata. Për nga rëndësia e kësaj marrëveshjeje dhe njohuritë e veçanta që kërkohen në këtë fushë, Presidenti i Republikës nuk është informuar nëse, deri në këto momente, është këshilluar ekspertizë e jashtme dhe nëse synohet të merret një e tillë gjatë procesit të negocimit për këtë marrëveshje.

Për sa më sipër, në formën e paraqitur, kërkesa lidhur me grupin negociator dhe përbërjen e tij është jo e plotë dhe e pabazuar në Kushtetutë, Vendimin nr.15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, praktikës së mëparshme. Plotësimi i mangësive të konstatuara  në lidhje me grupin negociator dhe përbërjen e tij është kusht i domosdoshëm në vlerësimin e kërkesës për pajisjen me Autorizim për Plotfuqi.

  1. Çështja e standardeve dhe metodologjisë të përdorshme për negocim.

Delimitimi i ri duhet të sjellë përfitim në hapësirat detare të Shqipërisë. Përfitimi në hapësirën e Detit Territorial, do të ishte më i favorshëm sepse në këtë hapësirë detare ushtrohet sovranitet i plotë në det, tabanin e detit dhe hapësirën ajrore mbi të, ndërsa në Shelfin Kontinental dhe ZEE vendi ynë do të përfitonte zgjerimin e të drejtave sovrane (shfrytëzim burimesh që ekzistojnë në këto hapësira, por jo sovranitet të plotë). Lidhur me sa më sipër, bazuar dhe në pikat 82.1, 82.2, 82.3, 82.4, 86, 90, 92, 95, 96  dhe 98 të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.15/2010, kërkesa e paraqitur do të duhej të shoqërohej me përcaktimin e qartë se në cilën pjesë të hapësirës detare të vijës së delitimit do të përdoret parimi i barazlargësisë strikte dhe ku parimi i barazlargësisë me korrektim, duke saktësuar gjithashtu se cilat janë momentet konkrete që kërkojnë negocim dhe janë objekt i mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve. Përmbushja e kësaj detyre do të qartësonte objektivat, metodologjinë dhe parimet që do të përdorte grupi negociator, për përcaktimi e një kufiri detar në përputhje me Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit, praktikën Ndërkombëtare, Kushtetutën, vendimin nr.15/2010 të Gjykatës Kushtetuese dhe mbi të gjitha në interesin më të mirë të Shqipërisë. Saktësimi i hapësirës konkrete detare të përdorimit të parimit të “Ekitesë”, është thelbësor për arritjen e një marrëveshje të drejtë siç ka arsyetuar Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr.15/2010.

Presidenti i Republikës vlerëson se; Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, detyrimeve të vendosura për zbatim nga Vendimi nr.15, datë 15.04.2010, të Gjykatës Kushtetuese, kuadrit të brendshëm ligjor, akteve ndërkombëtare ku Shqipëria është palë dhe në interes parësor shtetëror, përmbushja e kritereve, kërkesave, të parashtruara e të konstatuara më sipër, përbën domosdoshmëri kushtetuese për marrjen e vendimit për pajisjen me Autorizim për Plotfuqi, të kërkuar me shkresën nr. 2428 prot, datë 13.02.2018.

 Reagimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme

“Çështjeve të ngritura nga Presidenti do t’u përgjigjemi në rrugë institucionale”

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar dje pas deklaratave të Presidentit Ilir Meta lidhur me transparencën e munguar për paktin detar me Greqinë. Zëdhënësja e MEPJ, Edlira Prendi thotë se “Çështjeve të ngritura nga Presidenti i Republikës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do t’u përgjigjet në rrugë institucionale. Sikundër Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme është i angazhuar për të vijuar bisedimet e konsultimet me Presidentin e Republikës për të gjitha çështjet me interes për këtë proces. Procesi i nisur me Greqinë është kompleks, ndaj kërkon qetësi, maturi dhe institucionalizëm”. Ministria shprehet se “po shqyrton letrën e Presidentit të Republikës, në përgjigje të kërkesës së dërguar prej saj, për lëshimin e autorizmit për fillimin e negociatave me palën greke për delimitimin e hapësirave detare mes dy vendeve”.