Presidenti i Turisë, Recep Tayyip Erdogan propozon konferencë donatorësh të shteteve islamike për Shqipërinë

Presidenti i Turisë, Recep Tayyip Erdogan, ka treguar se pas tragjedisë që ka goditur Shqipërinë, ka telefonuar dy herë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Erdogan ka thënë se i ka shprehur ngushëllimi kryeministrit të Shqipërisë me rastin e tërmetit duke treguar gjithashtu për dërgimin e ekipeve turke të kërkim shpëtimit në zonat e prekura.

Këto deklarata Erodgan i ka bërë gjatë fjalimit në mbledhjen e 35-të të Komitetit të Përhershëm për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar (COMCEC) të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI).

“Gjithë botës islame i bëj thirrje që ta mbështesë Shqipërinë. Mendoj se duhet të jemi pranë Shqipërisë në lidhje me ndërtesat e rrënuara, gjë e cila është veçanërisht detyrë e Organizatës Islame për Zhvillim. Besoj se është shumë e dobishme që të hedhim këtë hap. Kjo është një detyrë vëllazërie, ka dobi në hedhjen e këtij hapi”, theksoi presidenti turk.

Kujtojmë se Shqipëria dje u godit nga dy tërmete të fuqishme me epiqendër në Durrës në orën 3:55 me magnitudë prej 6,3 ballë në thellësi prej 10 kilometrash dhe më vonë me një magnitudë prej 5 ballë në Kepin e Rodonit.

Sipas të dhënave të deritanishme të siguruara nga autoritetet shqiptare, numri i viktimave nga tërmeti që goditi Shqipërinë ka arritur në mbi 27-të ndërkohë mbi 650 persona janë plagosur dhe pothuajse 50 të tjerë janë shpëtuar nga rrënojat.