Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, takime me diasporën shqiptare gjatë vizitës në SHBA

Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të diasporës shqiptare në Amerikë. Kreu i shtetit është takuar me drejtues të shoqatave shqiptare që veprojnë në SHBA, si dhe me personalitete të spikatura shqiptare.

Takimi me shoqatat

Ditën e hënë kreu i shtetit është takuar me drejtues të disa prej shoqatave kryesore të shqiptarëve në Amerikë. Në një status të publikuar në Faceook, kreu i shteti shkruan. “Bashkëbisedim i përzemërt me përfaqësuesit e disa prej shoqatave shqiptare në SHBA. Falënderim e mirënjohje për kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditave shqiptare, si dhe për forcimin e lidhjeve me popullin mik amerikan e aleatin tonë strategjik, SHBA”. Shoqatat shqiptare në Amerikë janë një urë lidhëse mes dy vendeve, por edhe institucione të rëndësishme lobimi në SHBA, të cilat promovojnë vlerat e Shqipërisë.

Takimet me personalitete të diasporës

Gjatë qëndrimi në Amerikë, kreu i shtetit është takuar dhe me drejtuesit e gazetës kryesore shqiptare në Amerikë, “Illyria”. Në një mesazh në rrjetet sociale, Presidenti Ilir Meta shkruan “kënaqësi të takohesha me Vehbi Bajramin, botuesin e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” si dhe me përfaqësues të diasporës shqiptare në SHBA. Mirënjohës për kontributin e tyre”. Po dje, kreu i shtetit shqiptar është takuar me Mark Gjonaj, një nga shqiptarët që ka arritur të jetë pjesë e institucioneve drejtues në Nju Jork. “Takim i përzemërt me Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit Bashkiak të New Yorkut. Përfaqësues dinjitoz i komunitetit tonë në SHBA”,- shkruan Presidenti Ilir Meta në Facebook.