Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, sfidues ndaj akuzave për racizëm

Presidenti Donald Trump dhe shumë nga aleatët e tij republikanë në Kongres ishin në pozita vetëmbrojtëse të martën, pasi kritikët dënuan komentet dhe postimet në Twitter të presidentit që ata i quajnë raciste, ku ai thoshte se katër anëtare demokrate të Kongresit duhet të kthehen në vendet nga kanë ardhur, pas kritikave të tyre për Shtetet e Bashkuara. Të katër ligjvënëset janë qytetare amerikane dhe tre prej tyre kanë lindur në Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, polemikat e fundit kanë nxjerrë në pah ndasitë e thella lidhur me politikën dhe racën në Shtetet e Bashkuara.

Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump qëndroi sfidues duke mbrojtur komentet e mëparshme ku u thoshte anëtareve demokrate të Kongresit, të iknin nga vendi nëse ishin të pakënaqura.

“Dëgjoni se çfarë kanë thënë. Deklaratat më të ndyra, të tmerrshme për vendin tonë, për Izraelin, për të tjerë. E kanë në dorë të bëjnë ç’të duan. Mund të ikin, mund të rrinë, por duhet ta duan vendin tonë dhe të punojnë për të mirën e tij”, tha ai.

Komentet e Presidentit Trump drejtuar katër demokrateve me ngjyrë, shkaktuan reagime nga kritikët që e akuzuan se ishte racist.

“Mendoj se ajo që bëri Presidenti Trump, është e turpshme. Të nxisësh anën më të keqe të instinkteve njerëzore, të përçash Amerikën…asnjë president më parë nuk e ka bërë këtë”, tha udhëheqësi i demokratëve në senat, Chuck Schumer.

Disa republikanë e ngritën zërin dhe akuzuan presidentin se po përpiqet të përçajë vendin.

“Do të kisha dashur ta kapërcenim. Por druhem se me komentet e lëshuara, i jemi rikthyer përçarjes që është aq shkatërruese për frymën tonë kombëtare”.

Republikanë të tjerë, ose heshtën ose e anashkaluan çështjen.

Alexandria Ocasio-Cortez është një nga anëtaret demokrate të Kongresit, që u vu në shënjestër nga Presidenti.

Ajo u bëri thirrje amerikanëve të mos shpërqendrohen nga sulmet e presidentit.

“Dhe e para gjë që dua t’u them fëmijëve në gjithë vendin është se çfarëdo që të thotë presidenti, ky vend you takon juve dhe na takon të gjithëve”.

Përplasja e fundit mes presidentit dhe demokratëve ka gjasa të jetë një prelud i fushatës presidenciale të vitit të ardhshëm.

VOA