Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç: Rrugë e gjatë përpara në bisedimet me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u zotua të shtunën për vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por tërhoqi vërejtjen për siç tha, rrugën e gjatë drejt një marrëveshjeje ndërmjet palëve.

“Ne me shqiptarët deri më tani i kemi provuar të gjitha mënyrat, por nuk kemi pasur shumë fat, as ne e as ata, prandaj është koha përfundimtare që të bisedojmë me shumë më shumë respekt ndaj njëri tjetrit dhe pas këtij respekti për të pasur edhe miqësi, do të nevojitet kohë dhe shumë njerëz të mirë të cilët do të punonin në këtë drejtim”, tha ai.

Presidenti serb i bëri gjatë vizitës në liqenin e Gazivodës, në kuadër të vizitës dy ditëshe në Kosovë. Ai tha se liqeni është shumë me rëndësi si për serbët ashtu edhe për shqiptarët.

“Mendoj se në Gazivodë shihet më së miri pesha e problemeve me të cilat përballemi”, tha ai.

Liqeni është një nga pikat më të nxehta të bisedimeve ndëmrjet Prishtinës dhe Beogradit. Një pjesë e liqenit artificial që është ndërtuar vitet e 80-ta, shtrihet në Serbi dhe ka rëndësi për furnizimin më ujë të termocentraleve të Kosovës dhe në muajt e verës edhe të disa komunave të Kosovës përfshirë edhe kryeqytetin.

Vizita e tij ishte vënë në pikëpyetje për shkak të refuzimit të Prishtinës zyrtare për t’i dhënë leje atij që të qëndrojë në këtë liqen. Vendimi i Prishtinës ndryshoi të premten mbrëma më kërkesën e diplomatëve perëndimorë.

Presidenti serb refuzoi të takohet të premten në Bruksel me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, për shkak të siç u tha qasjes së Prishtinës ndaj procesit. Ai tha se gjatë ditëve të fundit kishte pasur shumë trysni posaçërisht mbi Listën Serbe, që të votojë për shef të delegacionit negociues Kosovës me Serbinë, Fatmir Limajn, të cilin Serbia e akuzon për krime lufte. Ai përmendi edhe trysni të tjera siç tha ndaj serbëve dhe Serbisë.

Megjithatë, ai tha se bisedimet do të vazhdojnë sepse ndërprerja e tyre është e pamundur dhe do të kishte pasoja të rënda për popullin serb dhe popullin shqiptar.

Vizita e tij në Kosovë ishte paralajmëruar ditë më parë dhe ai kishte thënë se është duke përgatitur fjalimin më të rëndësishëm të jetës së tij, për t’u shpjeguar qytetarëve serbë procesin e bisedimeve dhe çfarë mund të përfitojnë ata dhe Serbia prej tij. Ai ka thënë se do t’u shpjegojë hapur qytetarëve serbë mundësitë e kufizuara të Serbisë në Kosovë në dritën e diskutimeve që kanë përshirë edhe mundësinë e ndryshimit të kufijve.

Këto mundësi, përveç reagimeve të brendshme në Serbi dhe Kosovë, nxitën ndarje edhe në skenën ndërkombëtarë midis atyre që mbështesin një ndryshim nëse bëhet me pajtimin e palëve dhe atyre që e kundërshtojnë atë, për shkak të pasojave që mund të kishte për rajonin.

Deri tash, qëndrimi më i fortë kundër ideve të tilla ishte ai gjerman i ritheksuar të shtunën nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Presidenti serb tha se fuqia e tij politike nuk krahasohet me udhëheqës të tillë.

“Fuqia ime është aq minimale në krahasim me atë të Merkelit saqë nuk ja vlen as të krahasohet, ajo është udhëheqësja më e madhe politike në Evropë. Nëse ajo thotë ashtu ne sigurisht që nuk mund ta ndryshojmë këtë gjë dhe ky është gëzimi i shumë të tjerëve në Serbi dhe rajon. Por, kjo nuk nënkupton që ne nuk mund t’i ndihmojmë popullit tonë. Jemi të vegjël, andaj do të merremi me ekonominë dhe t’i ndihmojmë njerëzit tanë këtu”, tha ai.

Të dielën ai do të mbajë një fjalim në veriun e Mitrovicës.

Presidenti serb e ka shpallur më parë politikë të tij atë që ai e quan kufizim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, që nënkupton ndarjen tokësore të Kosovës.

Prishtina e ka hedhur poshtë një mundësi të tillë, ndërsa është përfshirë në debate të rrepta rreth idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për “korrigjimin e kufirit” që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë me Kosovën. Edhe të shtunën ai e ritheksoi qëndrimin e tij rreth kësaj çështjeje.

Vizita e presidentit serb në Kosovë, nxiti reagime të opozitës e cila kritikoi qasjen e autoritete të vendit ndaj marrëdhënieve me Serbinë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa shkroi në rrjetet sociale se “problemi nuk qëndron në faktin se një president i një vendi fqinj po e viziton vendin tonë, sepse në një logjikë normale ajo të ishte e natyrshme, ashtu siç do të ishte e natyrshme që residenti ynë të vizitojë Serbinë. Por është e papranueshme që një president i një vendi fqinj të flet për resurset tona natyrore si të ishin të tijat dhe për tokën tonë si tokë të tij”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “Kosova është shtet mikpritës që beson në lirinë e shprehjes dhe vlerat demokratike. Por në anën tjetër, Kosova dhe populli i saj respekton edhe shtetin ligjor në tërësinë territoriale të tij, dhe nderon institucionet e saja. Këto janë parime të palëkundura që Kosova gjithmonë do t’i nderojë, respektojë, e mbrojë. Si kryeministër i vendit, ju siguroj që do të mposhtet çdo përpjekje për të kërcënuar këto parime fundamentale për të cilat populli ynë sakrifikoi shumë”.

Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por, ajo është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve.