Presidenti i Republikës, Ilir Meta: Zgjedhjet e 30 qershorit janë zgjedhje imagjinare dhe jo të ligjshme

Presidenti Ilir Meta ka dalë mëngjesin e kësaj të marte në një konferencë shtypi. Kjo deklaratë vjen pas zhvillimeve të fundit politike, kur kryeministri Edi Rama nuk ka ndërmend të tërhiqet në mbajtjen e zgjedhjeve njëpartiake të 30 qershorit. Ndër të tjera, Presidenti është shprehur se “30 qershori nuk ekziston. Mazhoranca të tërhiqet nga paligjshmëria. Me këto zgjedhje, e ardhmja europiane e Shqipërisë, e paditur.” Gjithashtu, kreu i shtetit ka komentuar edhe vendimin e djeshëm të Kolegjit Zgjedhor, duke deklaruar se “ky institucion nuk mund të shqyrtojë vlefshmërinë e dekretit të Presidentit. Nuk ia lejon kushtetuta. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor nuk është i vlefshëm”. Me tej, Presidenti theksoi se nuk ka asnjë institucion tjetër në Republikën e Shqipërisë që mund të caktojë datën e zgjedhjeve, përveç Presidentit të Republikës. Dhe përveç Gjykatës Kushtetuese nuk mundet asnjë gjykatë, apo as edhe parlamenti të gjykojë vendimet dhe veprimet e Presidentit. Presidenti Meta ishte i vendosur në zbatimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe tha se nuk pranon asnjë presion apo shantazh nga asnjeri. Meta ritheksoi se jam betuar në Kushtetutë dhe e nuk lejoj shkeljen e saj nga asnjeri. Madje shtoi se do ta mbrojë Kushtetutën derisa të jetë President në korrik të vitit 2022. Më poshtë mund të lexoni deklaratën e Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe përgjigjet e pyetjeve që i bënë gazetarët në konferencën për mediat.

***

Të nderuar qytetarë dhe bashkatdhetarë, Më datë 10 qershor 2019 kam dekretuar shfuqizimin e Dekretit nr.10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe anulimin e datës 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë.

Kjo vendimmarrje veç të tjerave synonte që t’u krijonte palëve një mundësi reflektimi dhe hapësire për të dialoguar për një zgjidhje në funksion të interesit kombëtar dhe agjendës së përbashkët europiane të Shqipërisë.

Në veçanti kjo iniciativë synonte të ndihmonte përpjekjet publike për dialog të Kryeministrit Rama, i cili i kishte shkruar shtatë letra të gjata publike Kryetarit të Opozitës, zotit Basha.

Por në mënyrën më zhgënjyese, nën direktivat e tij, Kuvendi miratoi një Rezolutë parlamentare, nëpërmjet së cilës iu bënte thirrje të gjitha institucioneve shtetërore, që të mos zbatonin Dekretin e Presidentit të Republikës, edhe pse ky Dekret ishte botuar në Fletore Zyrtare duke qenë i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë, përfshirë këtu edhe Kuvendin e Shqipërisë. Ditën e djeshme në Kolegjin Zgjedhor u shqyrtua kërkesa e një partie politike kundër një vendimi të KQZ-së, që e pengonte atë të çregjistrohej nga zgjedhjet tashmë imagjinare të 30 qershorit.

 

Kolegji Zgjedhor vendosi rrëzimin e kërkesë-padisë së kësaj force politike, për t’u çregjistruar nga këto zgjedhje imagjinare. Vendimi i marrë dje nga Kolegji Zgjedhor ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e partisë ankuese, aleate e Partisë Socialiste dhe organizatës socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që kanë vendosur të zhvillojnë një proces të paligjshëm në 30 Qershor.

Të nderuar qytetarë,

Presidenti i Republikës, nisur nga disinformacionet e shpërndara qëllimisht në media e gjen me vend të sqarojë se :

–           Në këtë proces Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtonte aspak vlefshmërinë kushtetuese të Dekretit të Presidentit të Republikës, pasi një tagër të tillë nuk ia njeh Kushtetuta;

–           Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është thirrur nga kjo gjykatë zgjedhore si palë në proces, e për rrjedhojë vendimi i marrë nuk mund të prodhojë asnjë efekt juridik, qoftë për Dekretin, ashtu edhe për anulimin e datës së zgjedhjeve;

–           Në zbatim të nenit 145, 155, 156, 158 të Kodit Zgjedhor dhe rregullave  të Kodit të Procedurës Civile, vendimi i djeshëm i Kolegjit Zgjedhor, ka efekt vetëm përkundrejt palëve në proces, dhe vetëm për atë çka është vendosur midis këtyre dy palëve: pra midis organizatës socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe aleatit të Partisë Socialiste;

 

–           Vendimi i djeshëm i marrë nga Kolegji Zgjedhor është një truk procedurial për të justifikuar politikisht paligjshmërinë e veprimtarisë së organizatës socialiste në KQZ-së dhe është  një përpjekje e dëshpëruar për të ndërtuar një operacion propagandistik brenda dhejashtë vendit për të anatemuar indirekt vendimin e Kreut të Shtetit, por kurrsesi, ky është një operacion i dështuar pasi nuk prek aspak vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës;

-Është e qartë se ky vendim i Kolegjit Zgjedhor, i orkestruar dhe i paralajmëruar prej kohësh, është marrë në kushtet e presionit dhe shantazhit politik të mazhorancës.

Të nderuar qytetarë,

Gjithçka që u pa dje ishte një shfaqje e rëndomtë që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës dhe me sundimin e ligjit. Jemi në një situatë paradoksale ku, Presidenti i Republikës në zbatim të Kushtetutës ka anuluar me Dekret një proces zgjedhor monist, që ishte planifikuar për t’u mbajtur më datë 30 qershor, ndërkohë që mazhoranca dhe organizata socialiste e KQZ-së, në paligjshmëri të plotë, vijojnë “teatrin” për të zhvilluar një proces votimesh që tashmë ligjërisht nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë.

Dekreti i Presidentit nr.11199, datë 10.06.2019 për shfuqizimin e Dekretit për caktimin e datës 30 qershor si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, është marrë në mbështetje të plotë me Kushtetutën dhe parimet themelore të mbrojtura prej saj, sidomos pluralizimit politik.  Për pasojë vetëm Gjykata Kushtetuese, dhe vetëm ajo, mund të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës. Ky akt është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë në Republikën e Shqipërisë.

Presidenti i bën thirrje mazhorancës të tërhiqet nga thellimi në paligjshmëri dhe shantazhet ndaj institucioneve të pavarura, pasi asgjë dhe askush nuk do ta justifikojë përballë ligjit. Ndërkohë, si President i Republikës vazhdoj të jem i duruar, të pres reflektimin e tyre, dhe të kuptojnë se kanë përgjegjësi jo vetëm para militantëve të tyre, por përpara të gjithë qytetarëve shqiptarë, të gjithë taksapaguesve shqiptarë dhe sidomos të ardhmes europiane të Shqipërisë, që po vihet në pikëpyetje. E vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës, këmbëngul se mbetet vetëm dialogu politik dhe respektimi i ligjit nga të gjithë.

***

Gazetari: Zoti President, ju folët për zgjedhje imagjinare në 30 qershor, folët edhe për një lutje ndaj mazhorancës të reflektojë. Por, mazhoranca duket se nuk e ka në plan të reflektojë dhe zgjedhjet duket se nuk do të jenë imagjinare në datën 30. A ka Presidenti i Republikës, një plan B? Ju folët për dialog, a do të ndërmerrni hapa të tjera në emër të këtij dialogu?

Presidenti Meta: Mbetem durimplotë, pavarësisht se për fat të keq janë shpërdoruar gati më shumë se dy javë, që nga momenti kur e krijova këtë hapësirë për dialog dhe për reflektim nga të dyja palët.

Do të vazhdoj të jem i qetë dhe i duruar, por duhet të keni të qartë që Presidenti i Republikës, nuk ndërhyn për të penguar zgjedhje partiake.

30 qershori si datë për zgjedhje në Republikën e Shqipërisë, ka rënë, nuk ekziston më ligjërisht.

Kush dëshiron të zhvillojë zgjedhje të karakterit partiak është i lirë.

Presidenti nuk ndërhyn në punët e brendshme të partive, kjo duhet të jetë e qartë për ju, dhe për të gjithë brenda dhe jashtë vendit.

Në Republikën e Shqipërisë, ka vetëm një institucion që vendos datën e zgjedhjeve, ky është Presidenti i Republikës.

Ndaj, edhe njëherë tjetër apeloj për reflektim.

Kush vazhdon me kokëfortësi në rrugën e paligjshmërisë, do të marrë të gjitha përgjegjësitë dhe askush nuk do ta justifikojë dot.

Gazetari: Asnjë nga ambasadorët apo përfaqësuesit ndërkombëtar nuk janë shprehur kundër 30 qershorit. Përkundrazi, ata bëjnë thirrje që zgjedhjet të zhvillohen dhe të respektohet e drejta e shqiptarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e pushtetit lokal….

Presidenti Meta: Nuk hyj tek ata politikanë që flasin në emër të ambasadave, në emër të ndërkombëtarëve dhe që fshihem pas tyre. Në Republikën e Shqipërisë i vetmi institucion që vendos për datën e zgjedhjeve është Presidenti i Republikës.

Unë nuk kam anuluar zgjedhjet as në Itali, as në Amerikë dhe as në Kinë. Kam anuluar zgjedhjet në Shqipëri për shkak të një krize shumë të rëndë politike, që besoj se e keni vënë re prej muajsh, me qëllim normalizimin e situatës në vend dhe njëkohësisht për të gjetur rrugën dhe datën për zgjedhje gjithëpërfshirëse.

Mos prisni nga asnjë ambasador t’ju thotë këtë që po ju them unë. Sepse edhe po të bëheshin zgjedhjet më 30 qershor, që nuk ekzistojnë më ligjërisht, pa opozitën, edhe sikur i gjithë populli opozitar që nuk do të merrte pjesë, do të dilte të duartrokiste ata që do të shkonin të votonin (pa pjesëmarrjen e opozitës), e ardhmja europiane e Shqipërisë dhe çelja e negociatave do të kishte një fat të paditur për një kohë shumë të gjatë.

Sepse e kam sqaruar vazhdimisht se zgjedhje të tilla nuk plotësojnë asnjë standard minimal të kritereve të Kopenhagenit. Dhe jo vetëm kaq, por Shqipëria do të dënohej nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, siç ka ndodhur me shumë vende të tjera.

Besoj se jam shumë i qartë. Nuk kam anuluar zgjedhjet në asnjë vend, në asnjë ambasadë, në asnjë fondacion ndërkombëtar. Kam anuluar zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë para të gjithë shqiptarëve.

Të gjithë e kanë pasur të qartë se kam bërë përpjekje të vazhdueshme për dialog midis të dyja palëve. Kam paralajmëruar qysh më 24 maj 2019 se jam i gatshëm për t’i shërbyer dialogut dhe për të rishikuar datën e zgjedhjeve. I keni parë reagimet si kanë qenë, u kam krijuar këtë mundësi, por zgjedhje ligjërisht më 30 qershor nuk ka dhe nuk do të ketë.

Gazetari: Duke u kthyer te nisma e Parlamentit për shkarkimin tuaj. A nuk mendoni se mbase është më korrekte dhe më e ndershme, jo për të qenë pjesë e historisë, sepse ju do të mbeteni pjesë e historisë – për mirë apo për keq kjo mbetet për t’u parë – të jepni dorëheqjen, të largoheni me nder nga kjo detyrë se sa të jeni pjesë e gjithë kësaj farse që po bëhet në Shqipëri? Gjithçka që po ndodh duket si farsë….

Presidenti Meta: Ky institucion nuk i përket Ilir Metës. Ky institucion i përket Republikës. Ky institucion nuk do të bjerë kurrë, përkundrazi. Nga ky institucion do të fillojë ringritja e Republikës, Shqipëria nuk do të kthehet në një tirani personale të askujt dhe në asnjë koloni të asnjë fondacioni ndërkombëtar. Ky është një vend që u takon të gjithë shqiptarëve dhe bashkë do të jemi këtu deri më 24 korrik të vitit 2022.

Gazetari: Zoti President, ju keni shkëmbyer disa letra, shkresa me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Keni kërkuar informacion për numrin ekzakt të deputetëve ne Kuvend, së fundmi i keni kërkuar KQZ-së, praktikën shkresore për sa i përket caktimit të deputetëve të rinj. A po merr në konsideratë Presidenti i Republikës,  ndoshta shpërbërjen e parlamentit, pasi parlamenti nuk ka 140 deputetë?

Presidenti Meta: Presidenti i Republikës do të bëjë çdo veprim me shumë qetësi, me shumë përgjegjshmëri, dhe do t’i shërbejë gjithmonë mbrojtjes së Republikës dhe interesave të saj, shpresojmë ta bëjnë këtë të gjithë institucionet dhe të gjithë qytetarët së bashku.

Gazetari: KQZ në një nga argumentet që ka dhënë gjatë shqyrtimit të kërkesës të Partisë Uniteti Kombëtar, thoshte shprehimisht se Presidenti, nuk e ka ligjshmërinë për të anuluar një datë zgjedhjesh, po vetëm për ta dekretuar një datë zgjedhjesh. Nisur nga kjo situatë nga fakti që ju i kërkoni mazhorancës të tërhiqet, a ka menduar Presidenti i Republikës, të kërkojë një tryezë të partive politike, meqenëse ka qenë shpeshherë traditë në Presidencë mbledhja e forcave politike kur vend i ka pasur situata të vështira?

Presidenti Meta: Padyshim që kjo iniciativë fillon kur mazhoranca të tërhiqet nga kjo veprimtari e paligjshme. Atëherë hapet rruga për dialog. Jo rastësisht përdora termin organizatë socialiste, për të qenë korrekt. Presidenti, nuk  mund të hyjë në debate me një organizatë socialiste, demokrate, republikane. Derisa vepron si organizatë socialiste, le të vazhdojë.

Në Republikën e Shqipërisë dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ka vetëm një institucion që vendos për datën e zgjedhjeve, ky është Presidenti i Republikës.

As Kuvendi dhe asnjë institucion tjetër.

Presidenti është i duruar, që të gjithë të kuptojnë dhe të reflektojnë se pluralizmi politik në Shqipëri ka tre dekada që ka ardhur dhe njëkohësisht të kuptojnë dhe një gjë që nuk ua thonë  dot ambasadorët.

Se ndoshta nuk i lënë që ta thonë këtë gjë, por ua them unë, ua kam thënë dhe ambasadorëve, jua kam thënë dhe palëve: pa zgjedhje dhe jo vetëm gjithëpërfshirëse, por me standardet më të mira, të paktën se zgjedhjet e mëparshme, nuk ka çelje negociatash. Kjo është e sigurt dhe për këtë më besoni mua unë, jam esëll gjatë gjithë ditës, jo më tani në mëngjes.