Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerëson Motrën Odette Marquet me dekoratën “Nënë Tereza”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi në një ceremoni solemne ku ishin të pranishëm klerikë të Kishës katolike, ambasadorë, akademikë dhe personalitete të mjekësisë, artit e kulturës, Motrën Odette Marquet me Dekoratën “Nënë Tereza”: “Në shenjë vlerësimi për mbështetjen humanitare dhënë për shqiptarët e Kosovës, gjatë eksodit të tyre në Shqipëri, në pranverë të vitit 1999, duke vazhduar këtë mision edhe sot, në ndihmë të njerëzve në nevojë. Për kontributin e vyer nëpërmjet studimeve dhe përkthimeve për njohjen e përhapjen e kulturës shqiptare nëpër botë, si dhe për punën e saj hulumtuese në arkivat e huaja, duke nxjerrë në dritë shumë dokumente mbi historinë e popullit shqiptar”.

Në fjalën e Tij të rastit Presidenti Meta vuri në dukje se: “Odette Marquet e Kongregatës ‘Motrat e vogla të Jesuit’, është një misionare katolike, njohëse e mirë e gjuhës shqipe, përkthyese dhe studiuese e rrënjëve ilire e kristiane të shqiptarëve.”, – vuri në dukje Presidenti i Republikës. Kreu i Shtetit shtoi se: “Ky vlerësim, që mban emrin e Shenjtores sonë të madhe Nënë Tereza, merr vlerë të veçantë edhe për faktin se plot 40 vjet më parë, në vitin 1978, motra Odette i ka shprehur personalisht Nënë Terezës dëshirën e saj të madhe për të ardhur në Shqipëri. Kontributi dhe përkushtimi i Motrës Odetë ndaj Shqipërisë, shqiptarëve dhe gjuhës shqipe është i shtrirë në një periudhë shumë të gjatë kohe dhe në fusha të ndryshme. Veprimtaria e saj nuk fillon me ardhjen në Shqipëri në vitin 1991, por shumë më parë. Në fillimet e saj, me vajtjen pranë komunitetit arbëresh të Italisë së Jugut, ku mësoi fjalët e para në gjuhën shqipe dhe ku studioi traditat dhe kostumet e tyre 500-vjeçare, për të vazhduar me vajtjen e saj në Kosovë dhe studimet e mëtejshme të gjuhës dhe kulturës shqipe. Veprimtaria e motrës Odette, vazhdon në 27 vitet e fundit në Shqipëri, me studimet dhe hulumtimet e saj rreth kulturës identitare shqiptare, me qëmtimet e arkivave shqiptare e të huaja mbi origjinën e shqiptarëve, me studimet dhe përkthimet për njohjen e përhapjen e kulturës shqiptare.” Presidenti Meta theksoi veçanërisht rolin humanitar të Motrës Odette në ndihmë të shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë dhe eksodit të tyre në Shqipëri, por edhe ndihmën e çmuar dhe këmbënguljen e saj pranë autoriteteve shqiptare në gjithë vitet në vijim, për të ndihmuar shtresat dhe komunitetet më të margjinalizuara.  “Motrën Odette dëshiroj ta falënderoj edhe për kontributin e saj të vyer në promovimin e vlerave tona unike të dialogut, bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm në këto vite me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Institutin e Gjuhësisë dhe Historisë për promovimin e identitetit shqiptar. Mbas vitesh të tëra në rajonin tonë, motër Odette do të largohet së shpejti, por unë jam i bindur që do të vazhdojë të punojë për projektet e saj të nisura, si ai ‘Mbi rrënjët e krishtera të shqiptarëve si vazhdim i paraardhêsve të tyre ilirë’ apo edhe projekte të tjera që lidhen me kombin tonë shqiptar.” – nënvizoi Presidenti Meta. Duke perifrazuar Nënë Terezën, e cila ka thënë që, dashuria duhet të vendoset në shërbim të njerëzve që të marrë kuptim, vë në dukje se Motra Odette mëshiron në mënyrën më të mirë këtë thënie të Nënë Terezës, me dashurinë e saj për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe mbi të gjitha, me kontributin e saj për Shqipërinë dhe shqiptarët”, – e përfundoi fjalën e Tij përshëndetëse në ceremoninë e dekorimit Presidenti i Republikës.