Presidenti i Republikës Ilir Meta, në vendorigjinën e kastriotëve në fshatin Sinë

Neshat Ndreu, organizatori i festës së 18 shtatorit në Zall Dardhë

Halil RAMA

Organizimi i veprimtarive festive të datës 18 shtator 2020 në Zall Dardhë, ka një emër. Ai është Neshat Ndreu – President i Shoqatës “Ansambli Kuvendi Zall Dardhë”. Nëse para një viti, me rastin e 70-vjetorit të këtij Ansambli, Neshati organizoi një koncert festiv në pallatin e Kulturës Kamëz, ku ky ansambël u dekorua nga Presidenti Meta me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit I, këtë 18 shtator festa mori karakter gjithpërfshirës. Pas afro një muaj përgatitjesh dhe takimesh intensive me këshilltarë të Presidentit Meta, zoti Neshat Ndreu finalizoi projektin e tij, duke dekoruar-personalitetet më të shquara të këtij ansambli. Po ashtu, meritë e tij është dhe organizimi i koncertit madhështor që u shfaq në qendër të Zall Dardhës, si dhe darka festive në oborrin e shtëpisë së tij të origjinës po në Zall Dardhë, me praninë e kreut të shtetit SHT Z.Ilir Meta, autoriteteve vendore të Dibrës: kryebashkiakut Imeraj e Prefektit Shehu etj.

Kësisoj historia riciklohet. Atë që bënë burrat e shquar të Dardhës, para shtatë dekadash, duke themeluar Ansamblin Kuvendi, me në krye shumëtalentuarin Hazis Ndreu, po e ripërtërin Neshat Ndreu-President i Shoqatës “Ansambli Kuvendi Zall Dardhë”, të cilin kreu i shtetit e dekoroi me Titullin “Për merita të veçanta civile” (titull ky që u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për merita të veçanta civile në Republikën e Shqipërisë).

Janë të rrallë burrat si Ai, që edhe në këto kohë të vështira kontribuojnë për ringjalljen e traditës. Realizimi prej tij i vizitës së Presidentit Meta në Zall Dardhë ku u vlerësuan me dekorata të larta artistët më të mirë të kësaj treve: Xhelal Çerpja, Qerim Sula e Sherif Dervishi (pas vdekjes), si dhe Liri Rasha, Sahje Poleshi, Halil Rama, Xhelil Imeraj, Lutfi Ndreu, Shaban Mëziu, Neshat Ndreu e Agim Cani është shembull frymëzimi për të gjithë ata që duan të promovojnë e trashëgojnë traditat e shkëlqyera të Dardhës.

Presidenti Meta duke dekoruar personalitete të etnografisë, folklorit dhe muzikës popullore shqiptare në Zall Dardhë vlerësoi Dibrën si simbol të qëndresës së shqiptarëve, që ka qenë përherë djepi i luftërave patriotike për liri dhe identitet kulturor. Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast kreu i shtetit vuri në dukje se ndihet i lumtur që gjendet në Zall Dardhë, në fshatin me histori të madhe të luftërave për liri, por dhe në krahinën e artistëve, rapsodëve dhe valltarëve të famshëm për mbarë kombin!

Nder dhe krenari për Hazis Ndreun, të cilit Presidenti Meta i akordoi dekoratën “Nderi i Kombit”.

Mirënjohje të thellë për Neshat Ndreun e Avni Ndreun që i dhanë jetë Ansamblit “Kuvendi”.

Në vendorigjinën e Kastriotëve…

Tridhjetepesë vjet pas inaugurimit të Muzeut të Kastriotëve në Sinë të Dibrës, një vizitë impresionuese këtu në vendorigjinën e Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e kreut të shtetit shqiptar Ilir Meta, do të shërbente për ripërtëritjen e traditës së kësaj zone. Një ditë historike kjo, pasi referuar pikërisht veprës madhore të prof.Kristo Frashërit “Historia e Dibrës”, që qëndron hijerëndë përkrah busteve të Gjon, Pal e Gjergj Kastriotit në hyrje të Muzeut, presidenti Meta, ashtu si edhe elita historike e kombit që vizituan këtë muze para dy vitesh, do të “legjitimonte” këtë fshat si vendorigjinë e kastriotëve.

Historiani i njohur dibran Haki Përnezha, në rolin e ciceronit, ndër të tjera do t’i bënte të njohur vizitorit më të rëndësishëm të këtij muzeu atë që ka lënë si testament Gjon Muzaka që në shekullin e 16-të: “Ta dini se gjyshi i Zotit Skënderbe quhet Pal Kastrioti dhe nuk pati më shumë se dy fshatra të quajtura Sinë dhe Gardh i Poshtëm…” (Gardhi i Poshtëm ndodhet në Muhurr).

Besnik Këbej, ish-drejtor i shkollës 8-vjeçare Sinë, autor i librit “Origjina dibrane e Skënderbeut”, që kishte ardhur pas tridhjet vitesh në vendin ku shërbeu dekada të tëra dhe që dha kontribut të çmuar në ngritjen e këtij muzeu, do të sillte në kujtesë kohën kur këtu erdhën për të parën herë profesorët e nderuar të historisë Stefanaq Pollo e Kristo Frashëri.

“Pasi i kisha njoftuar me telegram për gjetjen nga nxënësit e shkollës të një medalioni bronxi me diametër 9 cm, me emblemën e Skënderbeut, profesorët Pollo e Frashëri udhëtuan më këmbë 6 orë, që nga Lura për në Sinë, për të bërë ekspertizën e këtij medalioni. Më pas, nën ndikimin e tyre, do të ishte kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Dibrës Skënder Dema që do të urdhëronte ngritjen e këtij muzeu”,-thotë ndër të tjera Besnik Këbej.

Ndërsa Presidenti Meta shprehet se njohja e trashëgimisë dhe rrënjëve kombëtare është thelbësore për të ardhmen eropiane të vendit. “Sot (18 shtator 2020) në Sinë, në truallin e Kastriotëve, vendin e origjinës të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Kënaqësi të vizitoja Muzeun Historik dhe të njihesha nga afër me të dhëna interesante për betejat heroike të zhvilluara për mbrojtjen e kombësisë, territorit dhe identitetit tonë europian. Të bëhet zemra mal kur sheh djemtë dhe vajzat e Dibrës të lartësojnë traditat dhe vlerat tona duke na bërë të ndihemi krenarë! Thelbësore që rinia jonë të njohë rrënjët kombëtare, për të mbrojtur më mirë të ardhmen europiane të Shqipërisë”,- deklaron Presidenti Meta.

Shpopullimi i Dibrës është i dhimbshëm

Bahçja e fermerit Shefki Prifti në Sinë të Dibrës, një parajsë e vërtetë! Në këtë vend të begatë, perlë e natyrës, vetëm dy kilometra sipër luginës pjellore të Drinit të Zi, që ka përballë Korabin dhe sipër Runjën hijerëndë e kreshnike, për herë të parë në këto tridhjet vjet vjen Presidenti i Republikës. Dhe Shefki Prifti, një ndër kuadrot e njohur në gjithë Dibrën e pret atë sipas traditës dibrane. Në oborrin mahnitës të shtëpisë së tij janë mbledhur dhjetra fermerë të kësaj zone. Kuvendojnë ata shtruar me kreun e shtetit për “braktisjen qeveritare” të kësaj zone me histori të lavdishme. Ndër të tjera, më i moshuari, Besnik Kaloshi, përçues i denjë i mençurisë dhe filozofisë popullore dibrane do të shprehej se “Skënderbeu e ka lënë të hapur që prej gjashtë shekujsh rrugën e tij nga Sina për në gjithë Shqipërinë, por kjo copë udhë (vetëm dy kilometra nga ura e Arrasit) ka nevojë të asfaltohet e mirëmbahet që këtu të mund të vijnë vizitorë nga e gjithë bota”.

Dhe ndërsa ka provuar shijen e rakisë, rrushit, dardhës, kumbullës e të mjaltit të sdapo dalë nga hojet e bletëve të Shefki Priftit, gjatë kuvendimit me vendasit, Presidenti Meta tha se “shpopullimi i Dibrës është i dhimbshëm, pasi sipas tij braktisja e këtyre krahinave tradicionale që kanë qenë burim i identitetit tonë kombëtar e kulturor, mund të jetë fatal për të gjithë kombin”.

Dhe vërtetë ndjen dhimbje kur sheh të braktisura këto vise me bukuri të rrallë natyrore, të cilat me pak investime mund të kthehen në një destinacion turistik tërheqës për vizitorë të shumë vendas e të huaj.