Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk pret Ramën: Reformat tuaja të guximshme, shembull për rajonin

Thellimi dhe konkretizimi i axhendës evropiane të Shqipërisë ka qenë në qendër të takimit mes Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Këshillit të Europës, Donald Tusk.

Rama u nis sot në Bruksel, ku në orën 18:00 zhvilloi edhe takimin me Tusk. Pas takimit dypalësh, është mbajtur edhe konferenca e përbashkët për mediat.

Rama tha se e falenderon Tusk për mbështetjen që i jep Shqipërisë dhe Ballkanit sa i përket anëtarësimit në BE.

Nga ana e tij, Presidenti i KE-së ka vlerësuar përpjekjet dhe ambicien europiane të Shqipërisë. Ai tha se reformat e qeverisë shqiptare janë të guximshme dhe një shembull për vendet e tjera të rajonit.

“Një takim i mirë me kryeministrin Edi Rama përpara Samitit të Ballkanit në 17 maj në Sofia. Nevojë që reformat për shtetin ligjor të vijojnë me të njëjtin ritëm për të avancuar në rrugën drejt BE” – shkruan ndërkohë Donald Tusk në Twitter.

Fjala e Donald Tusk:

Ju faleminderit shumë për vizitën tuaj dhe pikësëpari, ju faleminderit për mirëkuptimin, i dashur Kryeministër, i dashur Edi.

Jam vërtet i lumtur t’ju shoh këtu, pasi siç e dini jemi në të njëjtën anë.

Për mua është vërtet e rëndësishme që të jem sa më i hapur, i sinqertë dhe pozitiv të jetë e mundur me ju dhe me të gjithë miqtë e mi shqiptarë.

Kjo nënkupton gjithashtu se bashkëpunimi ynë, bisedimet tona sot dhe në të ardhmen ishin mbi bashkëpunimin e ardhshëm dhe të ardhmen evropiane.

Siç e dini, keni vetëm miq këtu në Bruksel. Të jeni i bindur që këtu në Këshillin Evropian mund të jeni të sigurt për mbështetjen dhe përpjekjet tona.

Dua të rikonfirmoj se ne e vlerësojmë vërtet procesin tuaj të thellë dhe mjaft të guximshëm të reformave.

Ju jeni një nga shembujt më të mirë në rajon të kësaj ambicieje evropiane dhe të kësaj ëndrre evropiane. Ju faleminderit.​