Presidenti francez Emmanuel Macron nis vizitën tre-ditore shtetërore në Uashington

Presidenti francez Emmanuel Macron mbrrin në Uashington për një vizitë tre-ditore, gjatë së cilës do të vihen në provë marrëdhëniet tij të mira personale me Presidentin amerikan Donald Trump.

Zoti Macron do të përpiqet të ndikojë tek Presidenti Trump për çështje të tilla me rëndësi siç janë Siria, Irani apo tregtia, pas një viti gjatë të cilit është shpenzuar mjaft kapital politik, por me pak përfitime.

Presidenti Macron do të përpiqet ta bindë zotin Trump rreth nevojës për të mbajtur një prani amerikane në Siri edhe pas disfatës së terroristëve të Shtetit Islamik si dhe për ta përjashtuar Bashkimin Evropian nga tarifat e reja të aluminit dhe çelikut.

“Ne do të duhet të ndërtojmë një Siri të re pas luftës. Prandaj mendoj se roli i SHBA është shumë i rëndësishëm,” tha zoti Macron për Fox News gjatë një interviste në Pallatin Elysee të Parisit përpara nisjes.

Presidenti Trump ka thënë se dëshiron të tërheqë sa më shpejt 2,000 trupat amerikane nga Siria, edhe pse një javë më parë ai urdhëroi ushtrinë amerikane të bashkohet me Francën dhe Britaninë për të goditur me raketa objektet e armëve kimike siriane në përgjigje të një sulmi të dyshuar sirian me gaz vdekjeprurës. Plani i zotitt Trump për tërheqjen e trupave vjen pas rënies së Rakës, kryeqyteti i vetëshpallur i ISIS-it në Sirinë veriore.

Presidenti francez Emmanuel Macron fitoi admirimin e zotit Trump, kur e ftoi atë në Paris vitin e kaluar për ceremonitë madhështore me rastin e Ditës së Bastijës si dhe për një drekë në Kullën Eiffel.

Kjo diplomaci e butë synonte të fitonte besimin e Presidentit Trump dhe të ndikonte mbi politikën e jashtme amerikane në një kohë që diplomatët evropianë thoshin se Uashingtonit i mungonte një drejtim i qartë në politikën me partnerët evropianë.

Eksperti i politikës franceze dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare Bertrand Badie thotë se Macron është përpjekur të zerë vendin e Britanisë si aleat i privilegjuar i Shteteve të Bashkuara.

“Emmanuel Macron është një president i ri që erdhi papritmas në skenën ndërkombëtare ku nuk ishte shumë i njohur. Ambicia e tij nuk është thjesht të jetë i pranishëm por edhe i dukshëm në skenën botërore si dhe të jetë në gjendje të ruajë marrëdhënie të mira me figurat e saj kryesore,” thotë analisti.

Me përjashtim të një shtrëngimi duarsh jashtëzakonisht të zgjatur dhe të fortë, Macron ka zgjedhur një qasje jo-konfrontuese ndaj presidentit të pazakontë amerikan, me shpresën se kështu mund të përfitojë lëshime.

“Mendoj se zoti Macron nuk e dëshiron një krizë franko-amerikane. Por kjo nuk është e lehtë, sepse zoti Trump nuk është as Obama, as George W. Bushi, që do të thotë se negocimi i një ekuilibri të ri me Amerikën e Presidentit Trump është diçka shumë e vështirë dhe me rreziqe. Megjithatë, mendoj se atij as që i shkon ndër mend të nisë një luftë për marrëdhëniet franko-amerikane. Përkundrazi, strategjia e tij është të përpiqet të tregojë se ai është i aftë të ketë një ndikim të caktuar mbi presidentin Trump, gjë që e arriti pjesërisht në krizën e fundit rreth Sirisë”, thotë zoti Badie.

Presidenti Trump i ka dhënë Bashkimit Evropian afat deri më 1 maj për të negociuar përjashtimin e BE-së nga tarifat për çelikun dhe aluminin. Ndërkohë, i ka lënë afat Francës, Britanisë dhe Gjermanisë deri më 12 maj për të “ndrequr” marrëveshjen bërthamore për Iranin.

“Franca nuk është më e ekspozuara ndaj tarifave. Më të ekspozuara janë Gjermania dhe ndoshta Britania. Kam përshtypjen se brenda kësaj beteje tarifash, vemendja është duke lëvizur nga Evropa në Azi, dhe Kina po vihet më shumë në shënjestër se sa europianët, të cilët për një farë kohe duket se janë kursyer nga aleatët e tyre amerikanë”, thotë zoti Badie.​

Megjithatë, thotë analisti, duket se ka një përtëritje të miqësive ndëratlantike, të cilat po dominojnë ndaj proteksionizmit dhe nacionalizmit amerikan.

VOA