Presidenti Donald Trump dënon gjuhën e urrejtjes, por kritikët përmendin retorikën e tij

Presidenti Donald Trump u bëri thirrje amerikanëve që të dënojnë racizmin, fanatizmin dhe supremacinë e bardhë të hënën, pas sulmeve masive në El Paso të Teksasit dhe Dejton të Ohajos. Por demokratët e opozitës vazhdojnë ta kritikojnë presidentin, duke thënë se retorika e tij për racën dhe imigracionin ka ndezur pasionet dhe përçarë vendin.

Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump me një ton solemn, foli për vrasjet masive në Teksas dhe Ohajo.

“Bashkëkombasit e mi amerikanë. Sot vendi ynë është përfshirë nga tronditja, tmerri dhe trishtimi”, tha ai.

Në komentet e tij, presidenti Trump u përqendrua tek çështjet eshëndetit mendor dhe paralajmëroi për rreziqet e internetit dhe videolojërave të dhunshme, por nuk foli për masa të reja për kontrollin e armëve.

Ai u përpoq gjithashtu të trajtonte disa nga prirjet më shqetësuese në vend, vitet e fundit.

“Me një zë, vendi ynë duhet të dënojë racizmin, fanatizmin dhe supremacizmin e bardhë. Këto ideologji të mbrapshta duhet të mposhten, Urrejtja nuk ka vend në Amerikë. Urrejtja mjegullon mendjen, shkatërron zemrën dhe gllabëron shpirtin,” tha ai.

Disa demokratë kanë dënuar presidentin dhe retorikën e tij pas sulmeve në masë në shtetet e Teksasit dhe Ohajos.

Kandidati për president, Beto O’Rourke, që është nga Teksasi, tha se sulmet e kaluara të presidentit ndaj imigrantëve kanë kontribuar për tonin përçarës në vend.

“Duhet të ndalim urrejtjen dhe racizmin dhe intolerancën dhe ngjalljen e frikës që shohim në gjithë vendin dhe në postet më të larta të pushtetit dhe besimit publik”,tha ai.

Në El Paso, anëtarja demokrate e kongresit, Veronica Escobar tha se mjedisi toksik politik mund të bëhet katalizator për dhunën.

“Racizmi, fanatizmi dhe urrejtja kanë pasoja vdekjeprurëse, ashtu si edhe trajtimi pa njerëzi i njerëzve të tjerë”, tha ajo.

Presidenti Trump ka bërë vazhdimisht komente të debatueshme lidhur me racën dhe imigracionin, përfshirë kur foli në vitin 2017 pas përplasjeve të dhunshme me protestues neonazistë në Charlottesville të Virxhinias.

“Nuk po flas për neonazitët dhe nacionalistët e bardhë, se ata duhet të dënohen plotësisht, por kishte edhe shumë njerëz të tjerë në atë grup, jo vetëm neonazistë dhe nacionalistë të bardhë dhe shtypi i ka trajtuar në mënyrë shumë të padrejtë. Edhe në grupin tjetër kishte njerëz të mirë”.

Këshilltarja e presidentit Trump, Kellyanne Conway tha se kundërshtarët politikë të presidentit po përpiqeshin të përfitonin nga situata.

“Ai vuri politkën mënjanë dhe nuk i përmendi ata që pa bazë, paturpësisht dhe pa pushim e polizuan çështjen”, tha ajo.

Stili i ashpër i të folurit të zotit Trump dhe besnikëria ndaj bazës së tij, është një pjesë qendrore identitetit të tij si figurë politike, thotë analisti Kyle Kondik.

“T’i kërkosh Trumpit të jetë presidencial në sensin radicional, është si t’i kërkosh që të jetë dikush krejt tjetër.Kjo është mënyra e tij e të vepruarit dhe mendoj se kjo e ka penguar të rrisë nielin e mbështetjes”, thotë ai.

Anketa e fundit e organizatës Gallup tregon se mbështetja për zotin Trump është 42 për qind, ndërsa 54 për qind nuk janë të kënaqur me punën e tij si president.

VOA