Presidenti amerikan, Donald Trump në Arizona për të inspektuar murin kufitar

Presidenti Donald Trump shkon të martën në Arizona për të parë nga afër punimet për murin kufitar dhe për të mbajtur një fjalim politik.

Presidenti do të shoqërohet në qytezën Yuma nga Sekretari i Sigurisë Kombëtare në detyrë, Chad Wolf si dhe Komisioneri në detyrë për Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare, Mark Morgan. Ata do të vizitojnë segmentin e murit në kufi me Meksikën në San Luis të komunës Yuma.

Muri kufitar në Arizonë
Muri kufitar në Arizonë

Qeveria amerikane thotë se që nga janari 2017 ka pasur ndërtime në një shtrirje prej 338 km, por duket se vetëm 4.8 km mur janë ngritur në vijën kufitare ku nuk kishte më parë barriera.

“Muri i ri në shumë vende është dy herë më i lartë se më parë dhe janë ndërtuar shumë milje në zona ku kishte vetëm barriera makinash,” thotë për Zërin e Amerikës analisti David Bier i Institutit Cato.

Në Yuma, presidenti do të zhvillojë edhe një dikutim me zyrtarë të zgjedhur të zonës dhe përfaqësues të komunitetit për të diskutuar sigurinë kufitare.

Yuma është shndërruar në vatër infeksionesh në shtetin e Arizonës. Në këtë shtet numri i rasteve është dyfishuar në dy javët e fundit, thonë zyrtarët shëndetësorë.

Presidenti Trump është planifikuar të shkojë edhe në Finiks për një fjalim fushate në një kishë, para më shumë se 3000 vetëve, pjesa më e madhe pjesë e organizatës “Studentët për Trumpin”.

Kisha “The Dream City” postoi një video ku tregonte se kishte instaluar “teknologjinë e jonizimit” duke premtuar se kjo teknologji “vret 99.9% të COVID-it për 10 minuta” dhe se ata që do të marrin pjesë si dhe presidenti “do të jenë të mbrojtur nga infeksioni”.

Nuk ka prova shkencore se këto pajisje për filtrimin e ajrit mund të parandalojnë transmetimin e virusit në mjedise të mbyllura.

Komuna e Yuma-s dhe qyteti i Finiksit kanë deklaruar rregullore për vënien e maskave në publik.

Aktiviteti në kishë “nuk u planifikua me leje apo parapëlqim të qytetit të Finiksit, pasi qyteti nuk lejon aktiviteti politike,” tha kryebashkiakja e Finiksit, Kate Gallego. “Unë vetë nuk mendoj se një aktivitet me përmasa të tilla mund të zhvillohet pa rrezikuar pjesëmarrësit, sidomos në Arizonë ku kemi parë rritje të numrit të personave me COVID, Presidenti ka vendosur ta zhvillojë tubimin”.

Të gjithë ata që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, “sidomos zyrtarët e zgjedhur, duhet të japin shembullin e tyre duke vënë maskë. Këtu përfshihet edhe presidenti,” tha kryebashkiakja.

Presidenti është ndeshur me kritika për aktivitetin e së shtunës, aktiviteti më i madh publik në një sallë të mbyllur që kur filluan masat e distancimit fizik. Aktiviteti krijoi edhe më shumë shqetësim pasi Oklahoma, ku e zhvilloi presidenti tubimin, ka përjetuar shtim të rasteve gjatë ditëve të fundit.

Sipas Repartit të Zjarrfikësve të qytetit Tulsa, në sallë ishin mbledhur rreth 6200 nga 19 mijë e 199 sediljet e qendrës “Bank of Oklahoma Center”. Fushata për rizgjedhjen e zotit Trump këmbëngul se kishte rreth 12 mijë pjesëmarrës.

Zeri i Amerikes