PRAPASKENAT E MARREVESHJES/ Nëkryetari demokart, Edi Paloka: Kush ndikoi në arritjen e paktit PS-PD, Rama donte Metën në burg

Nënkryetari i PD-së: E lamë Ramën pa “kalë beteje” në fushatë. Do ketë vendim edhe për ata që “mendojnë ndryshe” në favor të dikujt tjetër

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka në një intervistë në “News24”, foli dje për marrëveshjen Rama-Basha dhe impaktin e saj. I pyetur se pse opozita u tërhoq nga kërkesa “zgjedhje pa Ramën kryeministër”, Paloka tha se vetëm sa u shty me 1 javë largimi i Ramës. “Nuk mund të themi që kemi qenë të ngurtë në kërkesat tona, shtymë largimin e Ramës deri më 25 qershor, i hoqëm gjysmën e qeverisë, pjesën tjetër ja heqim më 25 qershor. Synimi i kërkesave tona ishte i qartë, ne kërkonim që shqiptarëve t’u jepet besim dhe t’u jepet mundësia për të votuar lirisht,” tha dje nënkryetari demokrat Edi Paloka.

Kritikët e Bashës në PD-së

Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, nuk ka nguruar të flasë për deputetet kritikë brenda grupit demokrat. I pyetur nëse do të ketë penalizime për ta, duke i përmendur emrat e Majlinda Bregut, Eduard Selamit apo Astrit Patozit, Paloka tha se, rregullat në Partinë Demokratike janë të qarta. “Qëndrimet i kam paraqitur aty ku duhet t’i paraqes. E kemi thënë që në PD lejohet mendimi ndryshe, por kur mendimi ndryshe i disave nuk është më ndryshe, por i bashkohet ndonjë mendimi tjetër ndryshe, e kuptoni besoj se nuk është më një mendim ndryshe”, theksoi Paloka, duke nënkuptuar se, vendimmarrja për këtë çështje do të vijë shumë shpejt.

Fushata e PS-së ra

Nënkryetari i PD-së nuk e ka kursyer ironinë me kryeministrin e vendit Edi Rama, për sa i përket ligjit të vetingut. Tani që votimi i tij u bë pjesë e marrëveshjes së firmosur tre ditë më parë nga Rama e Basha, Paloka u shpreh ndër të tjera se Kryeministri Edi Rama tashmë ka mbetur pa kalë beteje në fushatën e tij për zgjedhjet e 25 qershorit. Sipas tij, aq shumë është folur për të mirat që i sillte vendit vetingu, sa po të kalonte ligji do rritej edhe gruri. “Pasi të kalojmë vetingun do na rritet edhe gruri, deri këtu arritën. U bë barsoletë kjo punë. Por e lamë pa kalë beteje në fushatë. Se dimë çdo premtojë Rama nesër. Ne kurrë nuk kemi qenë kundër reformës në drejtësi as kundër vetingut, që u bë barsoletë. Ne do ngulim këmbë që kjo reformë t’ju japë shqiptarëve atë drejtësi që kërkojnë të gjithë”,- deklaroi Edi Paloka.

Impakti i marrëveshjes Rama-Basha tek LSI-ja

Ndërsa për impaktin që kjo marrëveshje ka pasur te Lëvizja Socialiste për Integrim, Paloka tha se, marrëdhëniet e Ramës me Metën s’kanë qenë asnjëherë me qetësi e dashuri. “Marrëdhëniet e Ramës me Metën s’kanë qenë asnjëherë me qetësi e dashuri, se kemi pasur kreun e qeverisë që kërkonte ta fuste në burg kreun e partisë aleate. S’kanë pasur kurrë marrëdhënie të mira. Kur partitë e vogla futen në një koalicion marrin më shumë mandate se kur hyjnë vetëm”, tha Paloka.

Partitë aleate të PD-Së

Por nënshkrimi i marrëveshjes mes Ramës dhe Bashës pa u konsultuar me aleatët për përmbajtjen e saj ka shkaktuar këto ditë pakënaqësi të forta në radhët e aleatëve të PD-së në kampin opozitar. Por për të gjetur dakortësinë e tyre, Paloka theksoi se aleatëve të PD-së u është ofruar bashkëpunimi edhe në këtë çështje, pasi siç tha ai, aleatëve u janë dhënë garanci që do përfshihen në listat për deputetë. “Ne merremi me aleatët tanë, ishin të pakënaqur kur u shpall kjo pikë e marrëveshjes. Por këtu nuk ka pabarazi në garë, të gjithë janë të barabartë. Humbja vjen për partitë më të vogla. U kemi dhënë garanci që do përfshihen në listat për deputetë. I kemi vlerësuar për kontributin që kanë dhënë”- theksoi nënkryetari i PD-së, Edi Paloka.

A duhej ndërhyrja e SHBA-ve që t’i thuhej “Po” paketës McAllister?

Paloka: Në këtë vend është treguar që ndërkombëtarët kanë rol të rëndësishëm në arritjen e marrëveshjeve. Është më mirë kur ndërkombëtarët nuk mbajnë anë, pra janë të paanshëm. Kur ata marrin një krah rrezikohet gjithçka. Ne morëm parasysh kërkesën e Uashingtonit. Nuk ishte më kërkesa McAllister, por McAllister+. Arsyet pse Basha refuzoi në fillim paketën janë dhënë, po ashtu dhe Rama e ka pranuar që refuzoi atë. Kërkesa e Uashington bëri që të arrinim një marrëveshje. Se më pas do shkonim në një situatë që nuk do ishte e këndshme për askënd. Marrëveshja u arrit në kohë dhe jep garanci për kërkesën që kishim.

Deri më 18 maj, ka pasur retorikë të ashpër të Bashës ndaj Ramës, tonet janë ulur tashmë, ka pasur shtrëngim duarsh. Pse kaq e vështirë në dukje dhe me një përfundim të mirë?

Paloka: Është normale të shtrëngohen duart kur bën marrëveshje. Nuk ulesh me kallashnikov në dorë, por ulesh për dialog. Për mua akuzat dhe faktet janë po ato, nuk ka ndryshuar gjë. Mos mendoni se kanabisi u bë luledielli, dhe autori i kanabisit është Edi Rama. Por nëse prisni që liderët e partive të ulen për një marrëveshje e të kapen prej flokësh, kjo s’bëhet. Por nga akuzat asgjë nuk ka ndryshuar, se s’do kishim nevojë për marrëveshje.