PPE thirrje vendeve anëtare të BE: Hapni negociatat për Tiranën dhe Shkupin

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ – Javën tjetër, vendet anëtare të Bashkimit Europian do të përballen me një zgjedhje strategjike në lidhje me fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në prag të këtyre vendimeve të rëndësishme, Presidenti i Partisë Popullore Europiane (PPE), Joseph Daul, shprehu mbështetje për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

PPE i ka bërë thirrje Komisionit Europian dhe gjithë familjes europiane që të hapë negociatat për Tiranën dhe Shkupin.

“Politika e Zgjerimit të BE-së ka qenë një nga mjetet më të suksesshme për të sjellë stabilitet dhe paqe në kontinentin tonë. Vendimet që do të merren më pas nga vendet anëtare nuk do të ndikojnë vetëm në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, por edhe të kontinentit tonë në tërësi. Është koha për të dërguar një sinjal të fortë dhe për t’ju përmbajtur angazhimeve tona në rajon. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë përparim duke plotësuar kërkesat e nevojshme për hapjen e këtij procesi. Mbetet akoma shumë për të bërë, por hapja e bisedimeve të pranimit është hapi tjetër i natyrshëm,” shprehet Presidenti i Partisë Popullore Europiane (PPE), Joseph Daul.

Ai thekson se “qytetarët, dhe veçanërisht rinia e Maqedonisë së Veriut dhe e Shqipërisë meritojnë një perspektivë europiane sepse mbetet një burim motivimi dhe vendosmëri që të vazhdojnë me reformat e nevojshme për të çuar më tej përpara shtetin e së drejtës, forcimin e gjyqësorit , luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pavarësinë e medias”.

“Vendimi i javës tjetër është historik dhe vendimtar për të ardhmen e kontinentit tonë. Rruga për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të jetë e gjatë, por është një rrugë që duhet të ndërtojmë së bashku dhe nuk duhet të humbasim vrullin. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerët tanë më të afërt; historikisht, gjeografikisht dhe ekonomikisht. BE nuk do të jetë e plotë derisa rajoni të jetë pjesë e BE-së,” thuhet në letrën e PPE. /a.sh/