(Post mortum) Intervista/ Kur Liri Belishova rrëfente Enverin, Komunizmin dhe privacionet e saj

Intervista është bërë në vitin 2004 dhe po botohet me sqarimet e nevojshme. Ish-zyrtarja e lartë e PKSH-së, që më vonë u internua do të rrëfejë shumë episode që lidhen me jetën e saj, por edhe të gjitha privacionet që e ndoqën. “Mendoj që, brezi ynë u lidh me idetë komuniste sepse këto ide ishin shumë joshëse në atë kohë. Nuk dihej realiteti i zbatimit të tyre në jetë, sepse edhe informacioni jonë, mbi jetën e BS nuk ishte real, ishte përkundrazi, shumë i zbukuruar. Kurse, brezi ynë, sidoqoftë, nga edukata që mori në familje dhe në shkollë ishte patriotik. Trashëgonte ëndrrën e Rilindasve për një Shqipëri të pavarur, demokratike dhe për një Shqipëri të qytetëruar dhe evropiane”.

Në këtë intervistë të gjatë që është botuar te “Korrieri” ajo tregon shumë episode të tjera që lidhen me vdekjen e ish-të fejuarit të saj Nako Spiru, sesi Komunistët u shkëputën nga populli etj…

Kur keni hyrë për herë të parë në lëvizjen komuniste, ju personalisht?

“Me idetë komuniste jam lidhur shumë e vogël. Ndoshta, do të duket pak e çuditshme, që 11 vjeç, sapo kisha mbaruar shkollën fillore, që atëherë ishte 5 vjet dhe kisha shkuar për pushime në fshatin e babait tim, në Belishovë. Atje një kushëriri im i dytë, më ka dhënë për të lexuar librin “Nëna”. Duke lexuar këtë libër, jam tronditur shumë, sepse dhe realiteti i atëhershëm i zonës ku unë banoja, sidomos, nuk ishte shumë i bukur. Përkundrazi, kishte shumë vështirësi në jetën e fshatarësisë dhe mendoja që kjo botë e ëndërruar nga heronjtë e atij libri, nga Pavli, Natasha, Sashenka etj. do të ishte një botë shumë e mirë, një botë e drejtësisë”.

A mund të ketë një gjykim të pavarur dhe kaq të thelluar, një 11 vjeçar?

“Atë them edhe unë, që është e çuditshme, por ndoshta brezi im, që jetoi në disa kushte të veçanta u poq para kohe. Dhe, nuk them se ishin këto mendime të konsoliduara, por sidoqoftë ishte një ëndërr që unë e përqafova”.

Një pjesë e madhe e brezit tuaj, në atë kohë, u lidh me komunizmin. Pse?

“Mendoj që, brezi ynë u lidh me idetë komuniste sepse këto ide ishin shumë joshëse në atë kohë. Nuk dihej realiteti i zbatimit të tyre në jetë, sepse edhe informacioni jonë, mbi jetën e BS nuk ishte real, ishte përkundrazi, shumë i zbukuruar. Kurse, brezi ynë, sidoqoftë, nga edukata që mori në familje dhe në shkollë ishte patriotik. Trashëgonte ëndrrën e Rilindasve për një Shqipëri të pavarur, demokratike dhe për një Shqipëri të qytetëruar dhe evropiane. Dhe, ne, mendonim që, Shqipërinë do ta shpëtonte nga varfëria, nga prapambetja, dhe do ta bënte me të vërtetë të pavarur dhe demokratike, pikërisht kjo rrugë”.

Kur ka qenë momenti i parë që ju jeni angazhuar në strukturat e konsoliduara të celulave komuniste?

“Atëherë kam qënë nxënëse në Institutin Femëror “Nana Mbretneshë”, që pastaj nga okupacioni italian filloi të quhej “Nana Skënderbej” dhe kam pasur mësuese të gjuhës dhe letërsisë, Liri Gegën, që u bë një nga eksponentet kryesore të Partisë Komuniste dhe pastaj u pushkatua nga Enver Hoxha. Dhe, ka qenë ajo, që më ka futur në një grup simpatizantësh të lëvizjes komuniste, ku bënin pjesë disa vajza. Kjo duhet të ketë qenë disa muaj përpara themelimit të Partisë komuniste ose ndoshta dhe një vit përpara themelimit të saj”.

Cilat vajza bënin pjesë në këtë grup? Cilat kujtoni ju?

“Një nga vajzat që mbaj mend ka qenë Drita Malile, ka qenë Nelka Turkeshi motra e të shoqes së Çabej, ka qenë Sheinaze Juka. Të tjerat nuk më kujtohen, por pak kemi qenë, tre-katër veta”.

Që nga cila datë ju keni qenë anëtare e Partisë Komuniste?

“Unë kam qenë në fillim e re komuniste dhe anëtare e partisë jam bërë në shkurt të 1943. Pranimi ka qenë pak jo i rregullt. Mua më caktuan si anëtare të Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste për Tiranën dhe meqënëse anëtari i Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste duhet të ishte anëtar partie, atëherë njëkohësisht u pranova edhe anëtare e partisë”.

Cilat kanë qenë pozicionet tuaja gjatë luftës? Me se jeni marrë?

“Me Luftën Antifashiste u lidh pothuajse gjithë rinia shqiptare sepse siç thashë ishte një rini patriotike dhe antifashiste dhe që në ditët e prillit të 1939, pavarësisht se ne që ishim edhe me simpatira për komunizmin ishim antizogiste, rreziku i atdheut na bëri që t’i kalojmë këto dhe të kërkojmë, që Zogu të ishte në krye të rezistencës. E mbaj mend kur shkollën tonë e çuan në Pallatin Mbretëror për të uruar lindjen e princit trashëgimtar. Ka qenë një demonstratë spontane e shkollave të mesme të Tiranës dhe shumë emocionante. Jo vetëm që ne bërtisnim “Rroftë Zogu”, “Rroftë Princi Trashëgimtar”, duke i lënë mënjanë ato mendimet tona antizogiste, por kërkonim armë që të luftonim për mbrojtjen e atdheut tonë dhe demonstrata të tilla rinia bëri, ato ditë, vazhdimisht nëpër rrugët e Tiranës dhe shumë qyteteve të Shqipërisë duke kërkuar armë që të mbrohej atdheu”.

Në momentet e luftës, cili ka qenë angazhimi që keni pasur?

“Gjatë luftës, unë kam qenë në Tiranë dhe jam larguar nga Tirana në qershor të 1944 për të shkuar në Kongresin e Parë të Rinisë. Pra, lufta ime ka qenë luftë e rezistencës antifashiste në qytet”.

Keni qenë në ilegalitet apo…?

“Pjesërisht, nga fundi. Kam pasur mundësi të mos bie shumë në sy dhe për shkak të moshës sime dhe të familjes time. Se si është çmuar aktiviteti im, mund të them këtë gjë: që duke qenë shumë e re kam pasur përgjegjësira të mëdha. Siç thashë, që në shkurt të 1994 anëtare e Komitetit Qarkor të Rinisë për Tiranën dhe njëkohësisht një nga udhëheqëset e rinisë antifashiste për Qarkun e Tiranës. Përpara kësaj, kam qenë në komisionin e Komitetit Qëndror të Rinisë Komuniste, që kujdesej edhe për revistën “Kushtrim i Lirisë”. Pastaj u bëra sekretare politike e Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste dhe anëtare e Komitetit qarkor të Partisë, anëtare e Këshillit Antifashist të Qarkut të Tiranës. Në kohën e reaksionit më të madh, u krijua një Komitet provizor, që të drejtonte gjithë organizatat e Partisë dhe të Rinisë Antifashiste të Tiranës dhe unë kam qenë një nga këto anëtare. Në gusht në Helmës u zgjodha anëtare e Sekretariatit të Rinisë Antifashiste dhe anëtare e komitetit Qëndror të Rinisë Komuniste. Veçoj që të gjitha këto përgjegjësi, tregonin për një aktivitet të konsiderueshëm që merrej parasysh”.

Ju keni qenë në formacionet partizane në 1944?

“Unë në formacionet partizane nuk kam qenë. Unë kam qenë vetëm në udhëheqjen e rinisë antifashiste dhe pasi u largova nga Tirana”.

Meqënëse keni qenë në Tiranë në ato vite, cilat kanë qenë raportet mes komunistëve dhe forcave të tjera nacionaliste gjatë luftës, ose në vitet 1943-44?

“Dua të them këtë gjë që, përpjekje nga të dyja anët ka pasur dhe unë mbaj mend bisedime të Nako Spiros, siç m’i ka treguar ai më vonë, dhe të Ymer Dëshnicës me disa eksponentë të nacionalizmit shqiptar. Bile dhe me eksponentë që pranuan, për mendimin tim gabimisht, që të bashkëpunonin edhe me okupatorët nazistë, siç ishte për shembull Mehdi Frashëri, që pranoi të jetë anëtar regjencës. Ishte shumë njeri i dëgjuar dhe me shumë autoritet sepse ishte jo vetëm nga familja Frashëri, por se ishte edhe një personalitet i shquar dhe antifashist dhe italianët e mbajtën të internuar në Itali. Gjermanët e thirrën dhe e kandisën, madje dhe e përdorën. E mbaj mend që duke i folur Nako Spirua për luftën që po bënte rinia dhe duke e kritikuar pozicionin e një pjese të nacionalistëve, ai u mallëngjye dhe qau. Ka biseduar Nako Spirua, bile dhe me gjithë Ymer Dishnicën dhe me Ibrahim Biçakun, pastaj dhe me nacionalistë të tjerë. Dhe, biles, Ymer Dishnica dhe Nako Spirua i kanë propozuar Enver Hoxhës që të krijohej një parti që të quhej “Republikani” dhe të ishte e lidhur me frontin ose të merrte pjesë në fron e cila të grumbullonte elementë patriotë, nacionalistë, që ishin në Frontin Nacional- Çlirimtar, por dhe elementë patriotë që ishin anëtarë të Ballit Kombëtar, por që ishin për luftë. Por, edhe elementë të tjerë, që ishin të paangazhuar dhe që me këtë rast mund të angazhoheshin që edhe sot e konsideroj një propozim shumë të drejtë”.

Si reagoi Enver Hoxha?

“Qëndrimi i Enver Hoxhës ishte shumë i rreptë sepse tek Enver Hoxha, duke reflektuar gjatë këtyre viteve, mendoj se ka dominuar më shumë se sa përpjekje për bashkimin i gjithë populli shqiptar dhe në rradhë të parë, të patriotëve të shquar , të figurave të dalluara, të intelektualëve, mendimi, si ta bënte më të lehtë për qëndrimin e gjithë pushtetit në duart e Partisë Komuniste, domethënë në duart e tij. Dhe, prandaj, ai nuk donte që në Frontin Nacional Çlirimtar të merrnin pjesë këta elementë. Por, donte përkundrazi, t’i luftonte dhe në këtë letër që i dërgon Nako Spiros dhe Ymer Dishnicës, i thotë që ata duhet të fuqizojnë luftën për demaskimin e këtyre elementëve”.

Po Marrëveshja e Mukjes, pse u kërkua dhe pse u prish më pas?

“E mendoj prishjen e marrëveshjes si një gjë shumë të gabuar. Një faj të rëndë të rëndë të Enver Hoxhës, i cili vendos ta prishë, jo plotësisht në vullnetin e tij, por i imponuar nga Miladin Popoviçi. E quaj një faj shumë shumë të rëndë, që pati pasoja tragjike dhe për kohën e luftës edhe për kohën e pasluftës. Në Konferencën e Mukjes u arrit që Balli Kombëtar dhe Fronti Nacional Çlirimtar duhet të kishin një marrëveshje për të luftuar okupatorët. Kishte rënë Musolini, ishte zëvendësuar nga Badolio, por aleatët ishin në Itali dhe pritej një zbarkim i tyre në Ballkan, që do të kishte një fatmirësi e madhe për luftën sepse në Ballkan ishte shumë e zhvilluar lëvizja antifashiste dhe në Ballkan kishte shumë trupa italiane që në këtë rradhë do të kalonin në frontin antifashist, kishte shumë materiale ushtarake, vëshmbathje ushqimore, që të tëra i’u kaluan pastaj gjermanëve.

Prishja e Marrëveshjes së Mukjes shkaktoi shumë dëme në njerëz, në djegie, shkatërrime Shqipërisë. Ato mund të ishin evituar ose minimizuar në qoftë se nuk do të ishte prishur sepse më prishjen e Marrëveshjes së Mukjes u krijuan kushte që në Ballin Kombëtar të triumfojë pjesa e kompromisaxhinjve dhe pastaj lufta për jetë a vdekje me komunistët i shtyri ata që të jenë në aleancë me gjermanët”.

Ka komente që krimet e komunizmit kanë filluar që gjatë luftës…

“As që diskutohet. Në vetë rradhët e tyre njëherë, domethënë ata që ishin krerë të grupeve komuniste dhe që kishin shumë merita për këtë lëvizje komuniste, u asgjësuan. Një nga këta ishte Anastas Lulo, i cili me urdhër të Miladinit dhe të Enver Hoxhës është vrarë në Skrapar, ku u dërgua si partizan i thjeshtë. Xhepi (Sadik Premtja), shoku i tij mundi të shpëtojë, por edhe për atë ishte dhënë urdhër që të vritej. Ky tjetri që ka qenë Kryetar i grupit të Shkodrës dhe që ishte një intelektual shumë i zhvilluar, edhe për atë Enver Hoxha sa herë ka shkruar në letrat që i dërgon Gogo Nushit, që të vritet Zef Mala. Dhe, jeta e Zef Malës, megjithëse rastësisht ka shpëtuar. Pas çlirimit ka bërë një jetë burgu derisa vdiq. Pastaj, u vranë këta që u quajtën fraksioni i Vlorës. U vra edhe Mustafa Gjinishi”.

Kush e vrau Mustafa Gjinishin?

“Unë nuk e di konkretisht se kush e ka vrarë. Atëherë i plotëfuqishmi i Komitetit Qendror në veri ka qenë Liri Gega dhe asaj i’u ngjit kjo, që ajo ka qenë organizatore e vrasjes. Aq më tepër, që radiogrami, sipas dëshmisë së Flora Dishnicës për ekzekutimin e Mustafa Gjinishit, e ka bërë Liri Gega. Por, unë them se kanë qenë njerëz të tjerë ata që e kanë ekzekutuar, kurse urdhëri është dhënë nga Enver Hoxha për vrasjen e Mustafa Gjinishit”.

Pse jeni kaq e sigurtë për këtë?

“Po sepse, kjo gjë është diskutuar në pleniumin e dytë të Beratit dhe sepse Enver Hoxha ma ka thënë me gojën e tij, shumë vjet më vonë, aty nga viti 1957, në shtëpinë e tij. Që partia urdhëroi, domethënë, ai ishte partia, që të vritej sepse Mustafa Gjinishi ishte agjenti i anglezëve”.

Cila ka qenë arsyeja reale e vrasjes së Mustafa Gjinishit?

“Sipas atyre që kam dëgjuar nga Nako Spirua apo dhe nga të tjerët, Mustafa Gjinishi ka qenë një njeri nga një familje patriotike shumë të dëgjuar në Shqipërinë e Mesme. Përveç kësaj, Mustafa Gjinishi, ka qenë një njeri shumë i aftë dhe një njeri shumë karizmatik dhe duke qenë i tillë nuk mund të ishte një lolo i bindur i Enver Hoxhës. Kishte personalitetin e tij dhe kjo besoj ka qenë ajo, që shpuri në vrasjen e Mustafa Gjinishit. Por, desha të shtroj këtu që, siç është analizuar edhe në Pleniumin e dytë të Beratit, vrasja e Mustafa Gjinishit hedh dritë në disa aspekte të personalitetit të Enver Hoxhës dhe të mësuesit të tij, Miladin Popoviçit. E para e punës, që kjo u bë me vendimin e tyre personal, po u shtri në Organizatën bazë të Partisë ose në një Shtab ose në një gjyq ku të analizoheshin; ku të dëgjohej edhe mbrojtja e tij, sesa ishin të vërteta këto që pretendonte Enver Hoxha. Dhe këtë e bënë, mendoj sepse, nuk ka pasur fakte, Enver Hoxha për ato që thoshte, ato ishin vetëm kamuflazh. E dyta, ishte hipokrizia, domethënë, këtej e vrau partia me urdhër të Enver Hoxhës dhe këtej u shpallën tre ditë zi. Urdhri, i firmuar nga Enver Hoxha, e ngre Mustafa Gjinishin në qiell, dhe deri vonë, shumë vonë, të paktën deri sa kam qenë unë

deri në 1960, nuk është thënë që Mustafa Gjinishin e ka vrarë Partia Komuniste. Kjo është thënë më vonë”.

Si e keni njohur ju, Nako Spiron?

“Nako Spiron e kam takuar në fillim të 1942, menjëherë pas formimit të Rinisë Komuniste, në një mbledhje ku merrnin pjesë aktivistë të rinisë komuniste, dhe më ka bërë një përshtypje të jashtëzakonshme sepse ishte me të vërtetë një personalitet me aftësi të jashtëzakonshme. Qëndronte shumë më lart nga të gjithë ata, që kisha mundur unë të takoja deri ateherë. Kjo ishte përshtypja ime e parë, që u pasurua duke e njohur më vonë”.

Kur jeni lidhur më shumë me të? Kur u bëtë më të afërt?

“Nga lufta në Tiranë sepse edhe Nako Spiro një pjesë të konsiderueshme të luftës së tij e ka zhvilluar në Tiranë, sidomos gjatë kohës shumë të vështirë të reaksionit në 1943-44. Atëherë e kam parë me të vërtetë aftësitë e tij. Unë mund të them që në atë kohën e mësymjes së përgjithshme nëpër qytete, male të forcave të bashkuara gjermane, të asaj pjese të Ballit Kombëtar që bashkëpunoi me gjermanët, të atyre që ishin lidhur direkt me gjermanët, të forcave të bajraktarëve të veriut, që ishin edhe ata të lidhur me gjermanë dhe u krijua një situatë shumë e rëndë në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Vrasje, bastistje, burgosje, tortura të papërshkrueshme dhe në gjitha qytetet e Shqipërisë, organizatat antifashiste në qytete ose u shpërndanë, ose u paralizuan dhe të vetmet organizata që qëndruan burrërisht, kanë qenë organizatat e Tiranës. Dhe këtu ka shkëlqyer jo vetëm vendosmëria dhe forca organizative e Nako Spiros, por dhe talenti i tij si publicist. Ato artikuj që shkruante ai atëherë, sidomos artikuj me titullin e përgjithshëm “Çështje Dite”, i jepte përgjigje të gjithë parrullave që hidheshin, priteshin me padurim nga i gjithë populli i Tiranës”.

Si kanë qenë raportet midis Enver Hoxhës dhe Nako Spiros gjatë luftës?

“Nuk mund t’ju them asgjë për këtë, sepse atëherë ishte kohë lufte. Këto gjëra nuk fliteshin dhe unë nuk kam qenë një nga udhëheqëset kryesore në Komitetin Qendror. Ju thashë, kam qenë një nga udhëheqëset e rinisë në Tiranë”.

A është e vërtetë që Nako Spiro në bashkëpunim me jugosllavët ka dashur ta shmangë Enver Hoxhën në pleniumin e Beratit nga drejtimi Partisë Komuniste?

“Unë nuk kam qenë në Pleniumin e dytë të Beratit dhe bile, nga Nakua kam marrë vesh shumë pak gjëra. Ai që më ka folur më shumë ka qenë Kiço Ngjela, po edhe ai shumë pak. Më shumë për pleniumin e dytë jam informuar tani duke lexuar procesverbalet të mbajtura atëherë, jo me stenogramë as të regjistruara, por sidoqoftë mendoj të mbajtura pak a shumë mirë. Nga ky plenum, del që Nakua ka qenë shumë kritik ndaj mënyrës se si ka udhëhequr Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi. Kritikat e tij janë shumë të ashpra pleniumin e dytë, por eshtë edhe një dokument që e ka botuar Vladimir Bedie që është një monografi e shkurtër e Enver Hoxhës. Nuk mendoj që kjo është biografi e shkruar nga Nako Spiro për Titon, siç është thënë sepse një njeri intelektual si Nako Spiro nuk mund t’i drejtohej një partie tjetër, në një fletë blloku, pa titull, pa firmë dhe duke bërë zhgaravina. Mendoj që mos është fletë nga ditari i tij sepse ai mbante një ditar dhe e mbante në italisht, bile edhe pas çlirimit vazhdoi të shkruajë diçka. Po ku përfundoi ky

ditar? Sot e kësaj dite nuk jam në gjendje ta di, sepse kur ndodhi gjëma, në 20 nëntor 1947, gjitha zyra e Nako Spiros dhe zyra ime që ishte ngjitur me të, në shtëpinë tonë, gjithë dokumentat e bllokuan dhe u morën… dhe unë nuk i pashë më me sy”.

Meqenëse jemi këtu, ju keni qenë dëshmitare. Cila është data reale e Çlirimit të Shqipërisë, 28 apo 29 nëntori?

“Ne shqiptarët jemi të vetmit për të krijuar telashe dhe probleme të kota, kur kemi kaq

shumë halle. Për mua është 28 nëntori dhe pse e them kët: Më 28 nëntor ka

hyrë qeveria në Tiranë dhe shumë mirë mund të ishte shpallur kjo si ditë e çlirimit

të Shqipërisë. Mirëpo u shpall si ditë e çlirimit, dita e çlirimit të Shkodrës. Atëherë,

kur është çliruar Shkodra? Të gjithë thonë që Shkodra është çliruar natën, ose më

mirë gjermanët kanë ikur natën. Pra, në qoftë se flasim se është çliruar më 29,

atëherë Shkodra është çliruar natën e 29 nëntorit. Ka qenë nata 28 për 29 nëntor. Kishte

kaluar ora 12 apo s’kishte kaluar, kush e pa të shkretën. Fakti është që ne bënim një

miting të rinisë në sheshin para Universitetit të sotëm dhe atje na ka ardhur lajmi. Ka

qenë paraditja e 29 nëntorit, që Shkodra u çlirua. Nako Spiro, bile i revoltuar, sepse ai ishte një tip shumë emocional, më ka thënë që i thamë Enverit, dhe nuk e di kush ishte tjetër, që si ditë të çlirimit të lëmë 28 nëntorin, se ky muhabet, se kush duhet të ishte “Dita e Çlirimit” është diskutuar pas çlirimit në Parlament. Por, është diskutuar edhe jashtë Parlamentit dhe pse 28 nëntori është folur tani. Sepse është një koinçidencë shumë fatlume për një komb. 28 nëntori kur u ngrit flamuri i Skënderbeut në Krujë dhe filloi epopeja e madhe 25 vjeçare; 28 nëntori kur u ngrit flamuri nga Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë, si rezultat i asaj lufte titanike shumë vjeçare në Vlorë; 28 nëntori kur hyri dhe qeveria partizane në Tiranë. Kuptohet se do të ishte shumë e mirë kjo. Mirëpo, Enveri si i tha? “Jo se 28 nëntori do t’ja mbulojë ditën e çlirimit nga partia, ai do të mbulojë rolin e partisë”. Dhe ju e di që, historiografia shqiptare të komanduar nga Partia Komuniste, Luftën Nacional Çlirimtare, partinë, por efektivisht Enver Hoxhën, e ngritën si personalitetin më të madh të gjithë Historisë së Shqipërisë”.

T’ju bëjmë edhe një pyetje, që lidhet me një moment të dhimbshëm të jetës suaj. Nako Spiron, e vranë apo ka vrarë veten?

“Kam menduar dhe mendoj që ka vrarë veten. Por, dua t’ju them që ka të drejtë poeti Jevtushenko, kur thotë: “Në këtë botë nuk ka vetëvrasje, ka vetëm vrasje”. Dhe pavarësisht kush e ka hequr këmbëzën, që në fund e fundit është shumë shumë e vështirë pas kaq vjetësh, janë afro 60 vjetësh ta vërtetosh. Nako Spirua ishte viktimë e shovinistëve jugosllavë, me në krye Titon dhe bashkëpunëtorët e tyre, Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes, që e vunë në ato pozita duke akuzuar agjent të imperializmit, armik të miqësisë me Jugosllavinë. Me të drejtë, atëherë, ai më ka thënë: nuk kërkojnë autokritikë, kërkojnë kokën time; nuk flitet për gabime, por flitet për armik”.

Ju prej sa kohësh ishit martuar me Nako Spiron?

“Unë jam martuar me Nakon, në janar të 1946, kështu që nuk mbushëm bashkë as dy vjet”.

Si e mbani mend ditën e tij të fundit kur ai vrau veten?

“Dita e fundit ka qenë më e vështira nga të gjitha. Ai shkoi në Ambasadën Sovjetike dhe ato ditë që ka kërkuar të shtyhet mbledhja që të pregatitej, patjetër që kanë pasur dhe qëllim që të pregatitej se nuk ishte aq kollaj, kanë pasur edhe qëllimin që t’i informonte Ambasadën Sovjetike duke shpresuar. që ndërhyrja e udhëheqjes sovjetike, do të mund ta shpëtonte nga ky kurth. I dërguari me punë i Ambasadës Sovjetike, që quhej Gagarinov nuk e pranoi. E kishte pranuar ditët e tjera, por atë ditë jo. Tani unë e kam të qartë pse nuk e ka pranuar, sepse në mëngjesin e asaj dite, në bazë të dokumentave që kanë botuar tani arkivat sovjetike, Enver Hoxha e ka thirrur Gagarinovin, dhe i ka thënë që ne konstatojmë që janë bërë gabime shumë të rënda në politikën e miqësisë ndaj Jugosllavisë dhe për këtë është përgjegjës Nako Spiro. Jemi duke analizuar në Byro dhe ai po mban një qëndrim të padrejtë, nuk po jep llogari, po kërkon shtyrje, por ne do të marrim masa shumë serioze, për t’i ndrequr këto gabime dhe për të forcuar miqësinë me Jugosllavinë. Atëherë, del këtu çështja. Që ky ka qenë pozicioni i Enver Hoxhës, pozicion pro akuzës që bënte Titua dhe shovinistët jugosllavë, atë akuzë që e mbështeti Koçi Xoxe. Kurse, në qoftë se Enver Hoxha do të ishte në pozita të drejta, atëherë ai duhet t’i kërkonte ndihmë të ngarkuarit sovjetik me punë, duke thënë që jugosllavët po na bëjnë akuza të padrejta. Një qëndrim të tillë Enver Hoxha e mbajti në të vërtetë, në fillim të korrikut të 1947, kur ishin akuzat e para të jugosllavëve dhe atëherë e ngarkoi Nako Spiron të grumbullonte materiale dhe i ktheu përgjigje jugosllavëve duke i thënë: “Ju s’keni të drejtë”.

Kur e morët vesh lajmit e vetëvrasjes dhe si?

“Ah! Unë lajmin e vrasjes së Nako Spiros e kam marrë në shtëpinë e Mehmet Shehut, sepse Nakua para se të vente në Komisionin e Planit, ishte shumë i dëshpëruar dhe më tha: “Nuk më mbetet asnjë rrugë shpëtimi. Ma mbylli derën Ambasada Sovjetike, ma mbylli derën dhe Enver Hoxha”, sepse kishte vajtur dhe tek Enver Hoxha, duke dashur që të bisedojë me të, por ai i kishte thënë, “Atje, në Byro të japësh llogari” dhe kjo e kishte dëshpëruar shumë. Edhe Enver Hoxha ishte bashkuar më jugosllavët dhe me Koçi Xoxen. Më tha, nuk më mbetet gjë tjetër, veçse t’ja mbaj vetes. Unë qava dhe atëherë ai erdhi dhe më tha: Si e besove, ishte një shprehje. Dhe në të vërtetë, shqiptarët e thonë që jam bërë për të vrarë veten. Mirëpo, pasi iku Nakua dhe duke menduar gjithë ato që më kishte thënë asaj pasdite, unë fillova të shqetësohem dhe vendosa që të shkoj tek Fiqireti, se ajo ishte anëtare e Komisionit të Planit, që ishte në shtëpi apo jo. Që nëse Fiqireti do të ishte në shtëpi, të kërkoja ndihmën e saj duke i thënë për këtë tragjedi të Nakos. Fiqiretin në të vërtetë e gjeta dhe kjo më alarmoi më shumë. Dhe, kur Fiqireti iku në Komision të Planit për të kërkuar Nakon, unë qëndrova në shtëpinë e Mehmetit dhe Fiqireti lajmëroi që Nakua ka vrarë veten dhe e kanë çuar në spital. Unë u nisa nga shtëpia e Mehmetit, direkt për në spital”.

Dhe… e gjetët ende gjallë?

“Po, ai ishte gjallë, por mua nuk më lanë ta shoh. Kam qëndruar deri në orën 10 e 5, kur ai dha frymë”.

Pse nuk ju lejuan ta shihnit?

“Kjo është pikëpyetje e madhe. Përse nuk më lejuan kur ai ishte gjallë. Mehmet Shehun në të vërtetë e lejuan, Mehmeti ishte brenda, por mua nuk më lanë. Para sesa të më thoshin se ka vdekur, unë dëgjova klithmën e tij që bërtiti “Ooohh”, sa kishte në kokë. U turra tek dera, mirëpo dera nuk më hapej. Pas disa sekondash doli Mehmeti dhe më tha:

Eshtë e kotë Liri, vdiq, prit sa ta rregullojnë. Dhe, pas disa çastesh, më futën brenda. Ai tashmë kishte vdekur”.

Si qe jeta juaj, pas vetëvrasjes së Nako Spiros?

“Shumë pak kohë pas vrasjes së Nako Spiros, unë u përjashtova nga të gjitha përgjegjësitë që kisha. Edhe si kandidate e Komitetit Qendror edhe si presidente e Rinisë dhe nga partia. Për të m’i komunikuar këto më thirrën në aparatin e Komitetit Qendror …. Një person që ishte patjetër i ngarkuar për këtë gjë, më tha vetëm kaq, dorëzo teserën e partisë se je e përjashtuar nga të gjitha funksionet dhe nga partia. Përse i thashë, unë. “Edhe pyet”, më tha, “nuk e di?”. As më thirrën në mbledhje, as më pyeti njeri, as më dëgjuan dhe prandaj është shumë e dhimbshme kur shumë vjet pas këtij pleniumi të tetë të famshëm, “Gazeta Shqiptare”, botoi çfarë është thënë atëherë në diskutime, kundra meje dhe të njoh gjëra të përbindshme, pa asnjë bazë dhe pa asnjë shpjegim. Këtë e botoi “Gazeta Shqiptare”. Të paktën të thoshte, që këto gjëra janë thënë në një moment, kur është zhvilluar Pleniumi i tetë, që dhe vetë Enver Hoxha e quante njolla më e zezë në historinë e Partisë tonë dhe pa qenë prezent këta njerëz, që të paktën të mbroheshin”.

Si shpjegohet që disa herë, Nako Spiro u dënua dhe u rehabilitua si figurë?

“Nuk janë kështu siç thoni ju, në mënyrë kaotike. Kanë arsyen e tyre. Nako Spiro në Pleniumin e Tetë u quajt armik dhe u dënua. Mirëpo shumë shpejt erdhën letrat e Stalinit që i drejtoheshin Titos. Megjithatë, Enveri e kishte shumë të vështirë, për shkak të kompromentimit të tij, por dhe për shkak të prezencës së jugosllavëve, por jo vetëm të jugosllavëve, po edhe të njerëzve e bashkëpunëtorëve të tij, Koci Xoxes etj, kështu që nga këto letra kaluan disa muaj, bile u bë edhe mbledhja e Byrosë që e dënoi haptas, publikisht atë. Dhe vetëm në shtator të vitit 1948 u bë Pleniumi i 11-të, që e rehabilitoi Nako Spiron”.

Dhe prapë u dënua…

“Dhe Kongresi i Parë ishte ai që e shpalli më pas hero, Nako Spiron dhe me insistimin e Mehmet Shehut është dhënë që Byroja politike e asaj kohe, ka përgjegjësi për likuidimin tragjik të Nako Spiros. Dhe nuk i erdhi hiç mirë Enver Hoxhës, sepse dilte përgjegjësia e tij, që është e pamohueshme”.

Po më pas, pse u rihabilitua, disa herë?

“Pas Kongresit të Parë, Enver Hoxha, e la në heshtje Nako Spiron, as e shante as e mburrte. Ishte një periudhë heshtjeje. Dhe kështu vazhdoi, pak a shumë deri tek Titistët, domethënë, deri sa ai likujdoi edhe Mehmet Shehun. Mendoj se deri sa ishte gjallë Mehmet Shehu, ai nuk e kishte të lehtë që ta ridënonte Nako Spiron dhe me Titistët është ridënimi i Nako Spiros”.

Në vitin 1945, menjëherë pas fitores dhe ardhjes në pushtet të komunistëve, disa nga figurat nacionaliste, që kishin një kontribut në historinë e Shqipërisë, por në disa drejtime kishin punuar direkt apo indirekt me okupatoret, u dënuan dhe një pjesë e pushkatuan. Kemi parasysh, Bahri Omarin, Kol Tromarën etj. Si e gjykoni dënimin e tyre, tashmë pas pothuajse 60 vjetësh?

“Duhet të kesh këtë gjë parasysh, që ne komunistët idealistë, kemi dashur me gjithë zemër një Shqipëri demokratike, të qytetëruar etj, por kemi qenë shumë të indoktrinuar. U fut në mes urrejtja për ata që ishin bashkëpunëtorë të fashizmit, pasi në të vërtetë nuk ishin. U fut urrejtja klasore. Tani, unë edhe duke e gjykuar, që klasa drejtuese e Shqipërisë para komunistëve, ata që ishin në të vërtetë klasa pasunore, që kishin pasuritë në duar; ata që kishin kulturën, që ishin më të arsimuarit; ata që ishin dhe klasa politike, sepse ata në një mënyrë ose në një tjetër, kishin marrë pjesë në betejat për pavarësinë e Shqipërisë në luftën e Vlorës, në Kongresin e Lushnjës, me Fan Nolin ose në krijimin e shtetit shqiptar; nuk u treguan të aftë në kushtet që u krijuan pas agjitacionit fashist. Dhe një pjesë e tyre e bëri gabimin e madh, që bashkëpunoi me Italinë fashiste. Unë e kuptoj që këta njerëz kanë qenë të dëshpëruar sepse edhe ajo pjesa antizogiste, që ishte pjesa më intelektuale, më demokrate, nuk pati përkrahjen e Francës ose të Anglisë, para Luftës së Dytë Botërore, se Shqipëria u sulmua më 1939. Kështu, që këta thanë, dhe ishte një fatalitet mendoj unë, që neve s’kemi ç’bëjmë, ne do të na okupojë Italia fashiste dhe pranuan bashkëpunimin me të. Por, ishte një gabim shumë fatal. Tani, Enver Hoxha nuk ka goditur më ashpër ata që meritonin të goditeshin si kriminelë të luftës, ata që meritonin të goditeshin pa qenë kriminelë, por si bashkëpunëtorë. Ai ka pasur më tepër interesin e pushtetit që të godiste ata, që mund të ishin pengesë për marrjen e pushtetit sepse Bahri Omari nuk ka qenë fashist, por e gjykoi shumë gabim nevojën që të bashkëpunonte me gjermanin. Nuk e meritonte, mendoj unë që të pushkatohej, sepse kishte kriminela që e meritonin, por mund të dënohej me burg. Po u pushkatua Patër Anton Arapi, që ishte një fetar, u pushkatuan edhe shumë të tjerë, që nuk meritonin të pushkatoheshin, por aman për çëshjet kombëtare duhet të jetë e qartë: Tradhëtia kombëtare duhej të dënohej”.

Po deputetët e Kuvendit Popullor që tentuan të krijonin një grup?

“Këtu është tjetër gjë. Këtu është haptas ana më negative e Enver Hoxhës, e partisë së tij dhe e diktaturës së proletariatit, që u instalua sepse deputetët ishin jo vetëm patriotë dhe jo vetëm demokratë, pormbi të gjitha ishin antifashistë. Kishe të bëje me Shefqet Beun, që ishte nënkryetar i Frontit; kishe të bëje me Riza Danin që ishte Kryetar i Frontit të Shkodrës; me Gjergj Kokoshin, me Enver Sazanin. Këta ishin antifashistë, këta u vranë vetëm se nuk ishin për diktaturën komuniste. Këta njerëz nuk kanë qenë antikomunistë, këta njerëz kanë qenë për një bashkëpunim me komunistët, por e mendonin që komunistët do të instalonin një pushtet demokratik, do të respektonin disa rregulla të lojës. Sepse duhet të kemi parasysh faktin, që anglo-amerikanët bënë aleancë me BS-në për të luftuar atë që ishte rreziku kryesor, fashistët dhe nazistët, influencoi tek këta patriotë të bënin aleancë më komunistët për të luftuar fashizmin. Ata edhe kanë qenë duke menduar se Shqipëria e ardhme do të varej nga vota e popullit dhe do të ishte një Shqipëri demokratike”.

Si arritët ju të ngjisnit shkallët, duke u bërë në fund të viteve 1950, një nga njerëzit më të fuqishëm të regjimit?

“Nuk kam qenë, është opinion i gabuar. Anëtare e Byrosë, po kam qenë, por duhet të keni këtë parasysh që, nuk kanë qenë të gjithë anëtarët e Byrosë Politike njerëz të fuqishëm. Unë u bëra anëtare e Byrosë në Kongresin e Parë në fund të 1948 dhe pastaj më 1951 shkova në Moskë me një grup tjetër shokësh, Ramiz Alia, Pirro Kondi dhe kreva shkollën

e lartë të partisë pranë Komitetit Qendror, që ishte si një lloj Fakultet i Shkencave Politike dhe diplomën e merrnim nga Ministria e Arsimit të Lartë të Bashkimit Sovjetik. Kur u ktheva që andej, pozitat e mija ishin përpara syve të Enver Hoxhës, të forcuara sepse ai filloi të bisedonte me mua ndryshe sesa më përpara. Në Kongresin e Parë, ku u bëra unë anëtare e Byrosë, besoj që Enver Hoxha donte në një mënyrë ose në një tjetër vrasjen e Nako Spiros”.

Po mbasi u kthyet nga shkolla e partisë në Moskë?

“Pra, atëherë unë u bëra Sekretare e Propagandës dhe Enver Hoxha filloi të më trajtonte ndryshe, e dëgjonte më me vëmendje mendimin tim. Kjo është një gjë interesante që më ka bërë përshtypje. Kurse, pas Kongresit të 20 të Partisë, në takimet me këtë njeri, disa herë kur unë flisja për problemet që më dilnin dhe doja aprovimin e tij, ai më shikonte me njëfarë keqardhjeje. Nuk e di, si ta shpjegoj këtë gjë. Unë mendoj që Enver Hoxha nuk ishte ai që është paraqitur, nuk ishte ai që thoshte ato që thoshte, kishte të tjera mendime”.

A e dinit ju në atë kohë, që ju kishit ardhur tashmë në kokën e drejtuesve të lartë të komunizmit, se kjo kastë po krijonte një grumbull privilegjesh që ishin krejt e kundërta e propagandës që ajo bënte?

“Unë kam gjetur një ndryshim të madh kur kam ardhur nga shkolla në fund të 1954. Kishte ndryshuar premtimi i Byrosë Politike. Sa isha e martuar me Nakon, privilegje ka pasur Enver Hoxha, Koçi Xoxe dhe Nakua. Pastaj, filluan të kenë këta që ishin më afër Enver Hoxhës: Mehmet Shehu, Tuk Jakova, Bedri Spahiu. Duke i eleminuar këta u ngrit Hysni Kapo. Ne të tjerët jo. Kurse, kur erdha që andej, kisha dy oficerë roje përveç shoferit. Në shtëpi ishte ajo praktika që të kisha shërbyese dhe guzhinier. Përveç rrogës që merrnim, nuk paguanim qira, nuk paguanim drita, ujë etj. Ndoshta këto privilegje nuk kanë qenë shumë të mëdha po t’i krahasoje me privilegjet, që mund të kishin udhëheqësit e Partisë Komuniste të BS-së, po duhet të kemi parasysh edhe proporcionet si vende, që ishin 200 e ca milion me 1 milion njerëz dhe zhvillimin ekonomik. Në çfarë gjendje jetonte populli. Kishim dyqan të veçantë për ushqime, dyqan të veçantë për veshmbathje, shtëpi nëpër rrethe, shtëpi në plazh”.

A e njihnit ju realitetin në Shqipëri, a e dinit që vendi ishte duke u varfëruar?

“Të them të drejtën, që ta njohësh Ferrin duhet të vesh në Ferr. Kur je në Parajsë është shumë vështirë ta kuptosh se si është Ferri. Pra, dua të them që nuk kam qenë shumë koshiente sesi ishte gjendja e vërtetë e popullit”.

Po a e dinit ju që në vend kishte filluar një mekanizëm i tmerrshëm shtypjeje, që kishte shumë krime që po bëheshin?

“Ka qenë ajo, që ne u edukuam me urrejtje: që armiku i klasës dhe antikomunistët duheshin likuiduar dhe shfarosur. Por, sidoqoftë, çdo njeri e ka instiktive ndjenjën e humanizmit dhe një lloj shpirti demokratik. Kjo gjë, dhe një lloj kulture që e krijon njeriu duke lexuar, influencuan tek unë, që të më bëjnë përshtypje shumë gjëra. Megjithatë, ishin gjëra, që unë i mbysja. Të gjithë shokët e tjerë, që kanë pasur një konstruksion shpirtëror, mendor, pak a shumë si unë edhe kur na lindnin mendime kritike për atë që bënte partia jonë, shteti ynë i diktaturës së proletariatit, ne përpiqeshim t’i mbysnim, i

quanim si herezi. Nuk e di a e keni parë filmin e një murgeshe, të cilës i lindin mendime krejtësisht njerëzore dhe ajo i quante herezi dhe pastaj në qeli me kamxhik e rrihte veten deri në gjak. Unë nuk e kam rrahur veten me kamxhik, por sidoqoftë vuaja, mendoja se duke ardhur nga një klasë e pasur nuk jam plotësisht komuniste si duhej”.

Tani, a ndjeni përgjegjësi që keni qenë pjesë e këtij mekanizmi?

“Shumë të madhe. Jo vetëm që ne nuk i realizuam premtimet që i dhamë popullit; por edhe ëndrrat tona, për të cilat sakrifikuam rininë tonë dhe ëndrrat e shokëve që na janë vrarë nëpër duar, që nga Qemali tek Margarita e tek shumë shumë të tjerë. Dëshmor u quajt edhe Nako Spiro, sepse as ëndrrat e tij nuk i realizuam, por i shkaktuam popullit shumë dëme. Dhe pjesa më e dëmshme, më e dhimbshme patjetër, kanë qenë represionet.

Megjithatë, ende askush, nuk ka kërkuar një falje publike për këtë…

Unë gjej rastin për veten time, që të kërkoj ndjesë, t’i kërkoj falje jo vetëm viktimave, por gjithë popullit tim sepse duke u nisur që t’i bënim mirë popullit, i shkaktuam shumë dëme. Unë për veten time e ndjej veten krenare, që luftova pa kursyer asgjë, kundra okupatorëve dhe këtë e quaj pozitive, kur i bëj gjyqin Liri Belishovës. E quaj pozitive që munda të kuptoj, nën ndikimin edhe të Nako Spiros, atë që po ndodhte në marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë dhe në rini unë kam mbrojtur interesat e Shqipërisë dhe e kam mbështetur Nako Spiron, jo vetëm si bashkëshortin tim, por e kam mbështetur pikërisht sepse ai mbrojti interesat e Shqipërisë. Dhe, atëherë, unë jam dënuar jo vetëm se isha gruaja e Nako Spiros, por se kisha mbajtur qëndrime, që u quajtën atëherë antijugosllave. Qëndrimet nuk ishin antijugosllave, ato ishin të mbroheshin të drejtat e Shqipërisë. E quaj veten prapë, me një meritë që në 1960, kur në lëvizjen komuniste filluan të kristalizoheshin dy rrugë, ajo e filluar me Kongresin e 20 të Partisë Komuniste të BS-së, që u quajt revizioniste, por që ishte në fakt, një rrugë reformatore, liberale dhe një rrugë paqësore, një rrugë që e lehtësoi shumë rrugën e popujve të këtyre vendeve dhe e bëri më të lehtë tranzicionin. Unë mbajta një qëndrim të drejtë. E justifikoj veten edhe me këtë gjë, që mosha ishte shumë e re dhe indoktrinimi nuk të lejonte, sepse ishte dhe mungesa e informacionit. A e dini që unë nuk e dija që egzistonte një Oruell në botë, pale veprat e tija. Unë nuk dija se çfarë kritike i bëhej komunizmit”.

Kur filluan mosmarrëveshjet e para tuajat me Enver Hoxhën?

“Në brendësinë time, por jo të shfaqura. Unë thashë se më kanë bërë përshtypje represionet, për shembull kur kam marrë vesh se është pushkatuar pa gjyq S. Q. Për atë vajzë kam pasur simpati të madhe, sepse ka qenë me të vërtetë një nga gratë më të shquara të Shqipërisë së asaj kohë dhe një grua e mrekullueshme dhe për të më ka folur shumë edhe Nako Spiro, i cili e ka njohur në kohën kur studionte në Universitetin e Torinos. Një gjë tjetër, që më ka filluar të më shqetësojë, kanë qenë kritikat që bënte Stalini për Enver Hoxhën për sektarizëm dhe ky ka qenë Enver Hoxha i viteve 60’, jo Enver Hoxha që vazhdoi dhe sidomos, pas viteve ‘60 se ekstremi nuk njohu më kufij. Një kritikë e Stalinit ka qenë, mos u shpejtoni me kolektivizimin sepse jeni një vend i vogël, i varfër, malor. Unë kam pasur dhe një eksperiencë personale, por po përmend njërën. Në kohën kur ishte dhënë direktiva që shpejtohej kolektivizimi u ndodha rastësisht në Shkodër për një aktiv për arsimin. Mirëpo, atje gjeta dy gjeneralët e parë të dëgjuar, Sadik Bekteshin dhe Q. Kapisyzin, dy heronj të Shkodrës, të veshur “grand” uniformë, alamet djemsh, që i donte shumë Shkodra. Dhe, ata më qanë hallin se nuk po ngrinin dot kooperativën në një fshat të Shkodrës dhe m’u lutën me insistim që të shkoja dhe unë me

autoritetin e bashkëpunëtores së Enver Hoxhës. Që kur vajta në atë mbledhje, që kishte vetëm burra, nga një për familje dhe ishin jo të rinj, më bëri shumë përshtypje se të gjithë nxinin sikur kishte ndodhur ndonjë vdekje. E hapëm mbledhjen, folëm për rëndësinë e kooperativave, si na mësonte Enveri etj. Nuk pranonin fshatarët që të ngrihej kooperativa dhe nuk flisnin, megjithëse flisnin Sadiku, Qazimi sekretarët e partisë. E mbaj mend njërin, që më ka mbetur edhe sot e kësaj dite në mëndje zëri i tij, i cili tha: “Jo nuk jam kundra partisë, nuk jam kundra shokut Enver, por ju lutem të më lini vetëm një ditë afat sa ta martoj vëllain dhe pastaj do t’ja dorëzoj të gjitha partisë”. Kështu e kuptonte ai kolektivizimin. Kur u ktheva në Tiranë, duke menduar më mirë si t’ia them në mënyrën më të pranueshme Enver Hoxhës, ia thashë këtë gjë dhe shkaktova një rrebesh të vërtetë, një furtunë. Liri Belishova ke shkarë në pozita … ata fshatarë janë patriotë dhe partia do t’i sqarojë dhe kooperativa do të ngrihet. Një gjë tjetër, që më ka bërë përshtypje, ka qenë edhe ajo kritika tjetër e Stalinit, që mos u nxitoni në kolektivizimin e zanatçinjve, biles përkundrazi favorizoni shkëmbimin e tregëtisë, zhvillimin e industrisë së vogël etj. Kurse ne, arritëm deri aty, sa u kolektivizuan edhe llustraxhinjtë, ne arritëm deri atje sa fshatari e merrte qumështin në gotën e ujit në një fshat si Progonati, që ka pasur 80 mijë kokë dele, ku dhe fshatari më i varfër kishte mbi 100 kokë dele”.

Cili ka qenë shkaku konkret i prishjes tuaj me Enver Hoxhën?

“Përplasja zyrtare me Enver Hoxhën ka ndodhur në pranverën e vitit 1960. Atëherë ishte 90 vjetori i lindjes së Leninit dhe u shpall si një vit jubilar për të gjitha Partitë Komuniste. Partia Komuniste botoi një seri artikujsh me titullin “Rroftë Leninizmi”. Në fakt, ato ishin “Rroftë Stalinizmi”. Godisnin revizionizmin modern pa emër ose revizionizmin jugosllav, por ishte t’i bije penxheres që të dëgjojë dera. Këtu kritikohej Kongresi i 20 dhe rryma që filloi nga ai. Atëherë drejtori i ATSH-së ishte Thanas Nano, babai i Fatos Nanos. Ai i dërgonte lajmet në dy zarfe: zarfeve speciale që kishin lajme shumë sekrete, njëri ishte blu dhe i shkonte radios dhe gjithë gazetave, pra ata mund të botonin; kurse njëri ishte jeshil dhe atje botoheshin lajmet e Rojterit, që Sekretari i Propagandës mund të autorizonte botimin e materialeve, por që zakonisht nuk botoheshin. Në këtë zarfin jeshil, duke kaluar koha, filluan të futen edhe lajme që vinin nga kampi socialist, por që ne nuk na interesonin dhe Thanas Nano, në këtë rast u tregua i zgjuar. E kuptoi që këto materiale ishin kundra qëndrimit zyrtar dhe i futi në zarfin jeshil. Kështu që gazetat nuk i botuan. Mirëpo, pasi kishin kaluar mjaft ditë në të vërtetë, dhe nuk e di pse u vonua kaq shumë, Enver Hoxha, më thirri një ditë në zyrën e tij dhe më tha: “Pse nuk janë botuar artikujt”. Dhe, unë fillova t’i them: “Shoku Enver këtu në fakt është kritika kundër Kongresit të 20, mirëpo në kongresin e 3-të raportin e keni mbajtur ju dhe atje Kongresi i 20 quhet si një program historik; e dyta ju keni vënë firmën në mbledhjen e të gjitha Partive Komuniste që u bënë më 1947 në Moskë, me rastin e 40 vjetorit të Revolucionit të tetorit dhe atë deklaratë e keni firmuar Ju” dhe argumenta të këtij lloji. Enver hoxha më tha: “Mirë nuk do t’i botojmë”. Mirëpo, më thirri prapë dhe më tha: “Biseduam me shokët!” Shokët, kuptohet, ishin Enveri dhe Hysniu se për të tjerët as që pyeste ai, “dhe thanë që duhen botuar”. Atëherë unë thirra në ndihmë arsenalin tim, marksist-leninist nga shkolla. Atëherë isha akoma me tru të freskët, sa isha kthyer nga Moska dhe i mbaja përmendësh Marksin, Engelsin dhe Leninin dhe prapë Enver Hoxha më tha të mos botohen. Kurse, ditën e tretë e pashë që nga pamja, nuk kishte më vend për diskutim. “Vendosëm me shokët të botohet një përmbledhje e shkurtër, që mos t’i mbetet qejfi shokëve”. Tentova

gjysëm zëri e i thashë: “Shoku Enver po do t’i mbetet qejfi shokëve sovjetikë dhe do të thonë se ne kemi rënë dakort”. “Jo, jo, kështu”, tha. “Është zor të shkurtohen”, tentativa e dytë, “sepse është shtylla vertebrore, është shumë zor”. “Jo merr një shok, -tha- dhe shkurtoji”. Atëherë shokun që mund të merrja ishte zëvendësi im, Ramiz Alia, drejtor i Propagandës, dhe u ulëm bashkë Ramizin t’i shkurtonim. Nuk shkurtoheshin dhe unë në një moment u ngrita edhe thashë: “Këto nuk shkurtohen, do vete t’i them shokut Enver”. Ramizi më tha: Ulu. Në të vërtetë kishim shoqëri që nga koha e luftës, shkollën e kishim bërë bashkë, kishim punuar bashkë edhe kur isha unë sekretare e propagandës ai lidhej me mua. “Çtë duhet ty”, më tha. “Si ç’më duhet” thashë unë, “por këto janë haptas Rroftë Stalini”. “A ta dhanë urdhërin”, më tha- “ata e kanë përgjegjësinë”. “Po ne pse e bëmë shkollën?”, i thashë unë, “ne e bëmë shkollën për t’i ndihmuar shokët”. Unë nuk e dëgjova dhe vajta tek Enveri dhe Enveri pasi i thashë unë, atje e ka marrë vendimin për mua, se më pa në një mënyrë të atillë që ishte e qartë se çfarë do të më ndodhte dhe më tha: “Ne Liri, nuk do t’i botojmë” dhe nuk u botuan artikujt, por u botuan pasi kisha ikur unë, i botoi Ambasada kineze, sigurisht me sugjerimin e Enverit, në një broshurë”.

Ka një koment sipas të cilit në momentin ju keni qenë në një vizitë zyrtare në Kinë, keni pasur një qëndrim të ndryshëm nga ai që kishte delegacioni i Partisë së Punës së Shqipërisë?

“Nuk është e drejtë. Në fillim, shkrimet që shkruhen për konfliktin sovjeto-shqiptar 1960, kanë një gabim ose moskuptim, sepse nuk vihet në dukje, ajo që ju thashë më përpara, që pas vdekjes së Stalinit në Kongresin e 20, në lëvizjen komuniste filloi një rrymë e re. Ishte kjo rryma, e cila u quajt revizioniste, pak liberale, pak demokratike, po që pati një rëndësi të madhe që ua lehtësoi jetën këtyre popujve. Pas vdekjes së Stalinit nuk u pushkatua njeri, arrestimet ishin minimale, internimet minimale, u liruan me trena njerëzit e dënuar pa të drejtë dhe kështu dhe në vendet e tjera. Edhe niveli i jetës u ngrit dhe sidomos pati rëndësi kjo rrymë, për evitimin e luftës termo-bërthamore se ashtu siç e kishte nisur Stalini dhe ashtu si vazhdoi Enveri po të kishte fuqi, se s’kishte fuqi, bota patjetër do të kishte shkuar drejt katastrofës atomike, kurse ajo politikë që ndoqi BS për një bashkëjetesë paqësore, për një marrëdhënie midis Lindjes dhe Perëndimit, për dialog në fushën e Çarmatimit etj, unë them që i solli njerëzimit një fitore shume të madhe, evitoi Luftën e Tretë Botërore, që ishte Lufta Atomike. Luftëra ka patur dhe ka, por të paktën luftë botërore nuk pati”.

A është e vërtetë që ju patët një qëndrim të ndryshëm nga delegacioni?

“Këtë unë e kisha, pa vajtur në Kinë. Por, zyrtarisht, këtë qëndrim unë nuk e shprehja, përkundrazi e kam ndjerë veten shumë të sigurtë, kur isha dakort me të gjitha gjërat që thoshte Enveri. Por, kur fillova të kem rezerva dhe sidomos pas Kongresit të 20, kam qenë shumë e druajtur. Unë përpiqesha që në diskutimet e mia, në sjelljen time të mos lija të kuptoja që kisha rezerva. Me të gjitha mënyrat, jam përpjekur që të evitoja dënimin, i cili nuk do të ishte vetëm për mua, por do të ishte për të gjithë familjen time. Para se të veja unë në Moskë, Gogo Nushi kishte shkuar në Pekin, në mbledhjen e Federatës të Sindikatave Botërore dhe atje i kishin bllokuar punimet sepse delegacioni kinez kërkonte që në rezolutë të futej terminologjia e tyre revolucionare: Lufta e Klasave, Diktatura, Lufta dhëmbë më dhëmbë me imperializmin, etj dhe delegacionet e tjera e kundërshtonin. Kinezët bënin dhe punë me pjesët komuniste duke i mbajtur tërë natën e duke i folur kundra tradhëtisë revizioniste. Gogua i kishte bërë një telegram Enverit. Enveri në të

vërtetë, edhe sipas rregullave të Partisë komuniste, duhej të mblidhte Byronë që kur dolën artikujt e Kinës. Këtë duhej ta shtronte ai dhe të thoshte: “Çfarë qëndrimi do mbajmë”. E dyta, erdhi radiogrami nga Gogua, prapë duhej ta mblidhte Byronë, ta shtronte këtë gjë dhe të më thoshte mua që po shkoja në Kinë, se çfarë duhej që t’i thoja Gogos dhe çfarë qëndrimi të mbaja për vete. Nuk më tha asgjë, po më tha vetëm këtë, ditën e fundit kur vajta ta përshëndesja: “Në qoftë se kinezët do t’u flasin për mosmarrëveshje që kanë me sovjetikët, juve u thoni që i zgjidhni ju dy të mëdhenjtë”. Unë i thashë, nuk do na thonë se ne jemi delegacion parlamentar. Ai tha do t’ju flasin sepse kishte eksperiencën e Gogos, ama unë s’dija gjë. Sa vajta në Pekin, Gogua që priste në aeroport, filloi të më flasë në mënyrë shumë të revoltuar kundër kinezëve, bile duke i quajtur banditë sepse ishte dhe nën influencën e delegacionit francez dhe italian, që kishin në krye anëtarët e Byrove politike të partive komuniste përkatëse. Dhe unë, u përpoqa ta qetësoj Gogon, u përpoqa të qetësoj edhe anëtarët e tjerë të delegacionit se kur Presidenti kinez Liu, në takimin e parë që pati me delegacionin tonë, dhe kur po fliste Haxhi Lleshi për sukseset e Shqipërisë, tha: “Këto suksese i kemi arritur në sajë të punës së popullit tonë, por dhe me ndihmën e madhe të miqve tanë, në rradhë të parë të BS, por edh të Kinës. Ai e ndërpreu fjalën: “Puna e popullit tuaj”, tha “s’ka rëndësi ndihma e BS”. Haxhiu u ngrit në këmbë dhe unë e mbajta. “Ne nuk i ndajmë”, tha. Në këtë kohë, kinezët, megjithëse unë nuk pranova na ftuan në Komitetin Qëndror. Ndoshta 6 herë e kam refuzuar, më në fund, ata na thanë: “Hajdeni për çaj” dhe na mbajtën deri në orën 4 të mëngjesit, me kritika kundër Kongresit të 20, kundra tradhëtisë revizioniste. Tani, qëndrimi im ka qenë ashtu siç tha Enver Hoxha. Unë i thashë nuk kam autorizim për bisedime partie. Do t’ia raportoj këto shokut Enver, por meqënëse juve thatë që nuk doni të shkoni në Bukuresht, po marr përgjegjësi edhe në emër të shokëve për të thënë mendimin tonë, që e mira është të shkoni dhe atje t’i diskutoni si vëllezër këto gjëra, ose kërkoni nga sovjetikët të shtyhet mbledhja për më vonë. Çfarë gjë të keqe kishte këtu në kundërshtim me udhëzimin e Enver Hoxhës, veç asaj që unë duhej të thoja që jam dakort me kinezët, sepse ai nuk më tha që të jemi dakort”.

A e vutë në dijeni ambasadorin sovjetik për këtë që kishte ndodhur?

“Me Gogo Nushin, pas këtij takimi, biseduam. Do t’i shkonte telegrami Enver Hoxhës me vonesë sepse nuk kishim lidhje direkte me radio me Tiranën. Ambasada e Pekinit komunikonte me Ambasadën shqiptare të Moskës dhe kjo me Tiranën. Atëherë menduam të thërresim Ambasadorin sovjetik, t’i themi shkurtimisht këtë gjë dhe të kërkojmë atë që u thamë edhe kinezëve: O, ti bindni kinezët të vijnë në mbledhje, ose shtyheni mbledhjen sepse do krijohet po ajo situatë si me Jugosllavinë. Por, Jugosllavia ishte një shtet i vogël, kurse kina është një kontinent. Atëherë, e thirrëm Ambasadorin sovjetik. E thirri ambasadori jonë dhe erdhi atasheu, në fakt jo vetë Ambasadori, por erdhi zëvendësi i tij. Në këtë takim nuk ishte vetëm Liri Belishova, por ishte edhe Gogua, Haxhiu, Ambasadori jonë, zëvendës-ministri i jashtëm. Gjysmë ore zgjati gjithsej takimi. I tha Gogua pak se çfarë po ndodhte te sindikatat; I thashë dhe unë çfarë na thanë në takimin që patëm dhe ajo që ishte kryesore ishte, se ne nuk kishim mundësi të merremi vesh shpejt me udhëheqjen tonë. Ndërkohë, po merrnim përgjegjësinë dhe po i shprehnim dëshirën tonë, propozimin tonë si komunistë të thjeshtë që, ose t’i kandisnin kinezët ose

shtyheni mbledhjen, sepse gjërat duhen marrë me gjakftohtësi, duhen zgjidhur si midis shokësh, jo me gjaknxehtësi. Kjo ishte. Enver Hoxha këtë e manipuloi”.

Kur u dënuat, në cilin vit?

“Unë jam dënuar menjëherë sapo u ktheva nga Kina sepse vizita parashikonte vizitë në Kinë, në Vietnam, në Mongoli dhe në Kore. Mirëpo, edhe në vajtje edhe në ardhje, ne bënim një ditë pushim në Moskë për çështje të kombinimit të avionëve. Porsa erdha unë, gjëja e parë që më bëri përshtypje ishte qëndrimi i Hysni Kapos, i cili ishte nga natyra njeri gjithnjë i buzëqeshur, ndërsa kur erdha unë rrinte shumë i vrenjtur. Në të kundërtën e Enver Hoxhës, i cili më përqafoi, tërë buz e gaz. Akoma nuk ishte marrë vendimi për trajtimin tim. U bë një Plenum i shpejtë, ku u raportua nga Hysni Kapua për qëndrimin e delegacionit tonë në mbledhjen e Bukureshtit dhe aty diskutova dhe unë. Diskutimi im u keqprit nga Enver Hoxha. Menjëherë filluan mbledhjet e Byrosë, ku unë raportova se si kishte punuar delegacioni jonë dhe e gjithë kjo mbledhje e Byrosë u kthye kundra meje. Çdo fjalë që thoja unë, kthehej në të kundërt. “Nuk ke mbrojtur interesat e partisë, as në darkën që u shtrua në Moskë”. Po ju bie një shembull, në atë darkën që ata dhanë për nder të Haxhi Lleshit si President, ishte Presidenti Breshnjev dhe Sekretari i Komitetit Qendror Kozllov, bashkëpunëtor i Hrushovit. Ai pa përmendur kinezët, filloi të thotë që shokët që nënvleftësojnë rrezikun e luftës termo bërthamore nuk janë koshientë të këtij rreziku sepse ne, tha për Brezhnjevin dhe për veten, kemi anëtarë të Këshillit të Mbrojtjes, atje ku ishte bërë prova e bombës së parë atomike në Siberi nuk ka edhe pas 12 vjetësh jetë, asnjë fije bari, asnjë mikroorganizëm dhe ato bombat e atëhershme, përpara këtyre që disponojmë tani ne dhe amerikanët, janë si kokërr dardhe se një nga këto bombat që disponojmë ne dhe amerikanët, mjaftojnë për të shfarosur qytete të mëdha, si Tokio, Moska, Nju Jorku, Londra ose shtete të vegjël si Belgjika, Hollanda, Shqipëria, Prusia, etj. Ky ishte një kërcënim i hapur për partinë tonë, që nëse ju nuk jeni dakort me, atëherë ne një bombë dhe ju shfarosim, kurse duhej marrë ana tjetër e problemit. Nuk duhej shkuar me kinezët, që na thanë haptas në atë takim, se nuk duhet të kemi frikë nga Lufta e Tretë Botërore. Duhet thënë se lufta e tretë mund të jetë atomike, nuk mund të mos jetë, por do vriteshin 300-500 milionë, por punë e madhe, do fitojë revolucioni socialist në tërë botën. Pas Luftës së Parë fitoi në Rusi, pas luftës së dytë në tërë këto vende dhe e treta është fitorja e përbotshme. Ishte diçka që më ka tronditur jashtëzakonisht sa më mbeti stilolapsi në dorë, sepse ne thoshim që Luftën e duan imperialistët, ne luftojmë për paqe, kurse këtu dilte që komunistët janë të interesuar për luftë”.

Ç’masë u morr ndaj jush?

“Ndaj meje, Byroja vendosi që të përjashtohem nga Byroja. Komiteti Qendror vendosi që të përjashtohem edhe nga Komiteti, kurse organizata bazë, që të më përjashtonte edhe nga partia, se kështu ishte orteku”.

Dhe ku ju dërguan?

“Fillimisht unë jam dërguar të punoj si mësuese, duke qënë në Tiranë, në një shkollë, “Hasan Vogli”, në një shkollë 7-vjeçare. Do të isha drejtore e asaj shkolle dhe do të jepja mësim gjeografi, por kuptohet klasave të pesta që nuk kishte politikë. Pastaj përjashtuan edhe burrin tim nga Komiteti Qendror dhe e hoqën si ministër, por jo për arsye politike.

Atëherë u kujtuan, që është i paaftë. Dhe familjen tonë, të gjithë e kanë hequr nga Tirana më 9 nëntor të 1960 dhe na dërguan në një fermë afër Gjirokastrës në fermën “Muço Asqeriu”. Mua si kryemësuese dhe atë drejtor ferme. Atje na përjashtuan nga partia, pas dy muaj e ca dhe na internuan në Kuç të Vlorës. Nga Kuçi nga çuan në Progonat, atë e morrën dhe e çuan në Zvërnec, kurse unë ndenja atje 10 vjet. Pas 10 vjetësh më prunë në Cërrik, ku kam mbetur 20 vjet”.

Ç’punë bënit në Cërrik?

“Në Cërrik kam punuar në fillim në fermë, që ka qënë një punë shumë e vështirë. Dhe atje kam menduar se sa vështirë e ka gruaja shqiptarë jetën e saj. Kur unë kisha mbajtur fjalime për emancipinim e gruas, kisha qënë inisiatorja e parë, ku duhej që gruaja të marrë pjesë gjërësisht në prodhim, se vetëm atëherë do të ketë çlirim, do të jetë e pavarur, do të ketë të drejta të barabarta me burrin”.

Si e përjetuat këtë ndryshim: nga një prej njerëzve më të fuqishëm e më të njohur në një punonjëse ferme?

“Ishte shumë e rëndë në të vërtetë. Ta përballoja ishte e vështirë, se unë duke qënë vajza e Belishovës, nuk kisha zënë fshesë me dorë. Thjesht, nuk isha mësuar të punoja. Por ishte e rëndë shumë nga ana shpirtërore. Megjithatë, më e vështira ishte zhgënjimi deri në këtë gradë. Zhgënjimi kishte filluar, siç ju thashë, kohë përpara, por jo deri në këtë gradë. Nuk e mendoja. Unë doja këta shokë dhe mendoja që këto janë vetëm keqkuptime, gabime të tyre, që këta do ta kuptojnë. Unë nuk isha kundër socializmit, por unë isha vetëm që të korigjoheshin këto, që unë i quaja gjëra të papranueshme”.

Si silleshin njerëzit me ju atje ku punonit?

“Të themi të drejtën, nga ana e popullit, nuk kam pse të ankohem për asgjë. Populli është shumë tolerant. Nuk kam pasur raste. Ndofta në Cërrik, kur veja në punë në magazinë, se kujtoj se pastaj nga ferma vajta në një magazinë ushqimore, e këtu kishte ndonjë nxënës të Teknikumit Bujqësor, që ishte gjatë rrugës, e më thërriste nga penxherja: “O balliste”. Por, nuk i vë faj… Ndërsa, nga këta persona, që kishin të bënin me mua, të sigurimit, të policisë, mund t’i ndaj në tre kategori. Kishte njerëz, të cilët ishin të egër, pra që kishin kënaqësi të bënin të vuaje. Dua të them se është e tmerrshme kjo psikologji. Që njeriu të ketë kënaqësi duke bërë që të vuajë tjetri. Kishte njerëz, të cilët nuk ishin kështu kaq të ligj, por që zbatonin urdhërat e partisë. Për ata, nuk kishte rëndësi, e drejtë-e padrejtë. Për ata ishte vetëm se nëse ka thënë partia quhej e mbaruar. Por kishte midis tyre edhe njerëz që kishin edhe njëfarë njerzillëku, njëfarë humanizmi dhe këta nuk i harroj. Për shembull, kur më vdiq vajza, Komandanti i Policisë së Cërrikut e morri vesh dhe erdhi menjëherë atje te policia. E morri me mend që mund të kërkoja leje që të veja të merrja kufomën e vajzës dhe më tha: “Dëgjo Liri, ti e di. Fëmijën se ka në droë as dega, e ka Ministria. Por unë po të lejoj të shkosh me djalin në Elbasan. Shko te dega”. Nuk e harroj këtë gjë”.

E morët lejen?

“Me shumë vonesë. Do me thënë ata kishin llogaritur, që duhej të vinte gazi nga Tirana me dy oficerë. Më saktë, këto gjëra, kanë një dozë të madhe absurditeti. Mua më kishte vdekur vajza 23 vjeç, vajza që nuk pa një orë gëzim, se kur u dënova unë ishte 2 vjeç. Kur vdiq ishte 23 vjeç dhe unë vazhdoja të isha e dënuar. Kurse duhet të vinte gazi nga

Kur vdiq ishte 23 vjeç dhe unë vazhdoja të isha e dënuar. Kurse duhet të vinte gazi nga

Tirana me dy oficerë. Ç’ka mund të bëja unë? Ç’ka mund të bëja? Nuk e di. Na kanë mbajtur derisa u errësua me qëllim që kur të mbërrinim neve në Cërrik të mos kishte njeri. Ju betohem, që të gjitha penxheret ishin hapur dhe megjithëse dritat ishin të mbyllura ato ishin plot me njerëz. Dhe për këtë them, sidoqoftë… Kurse më mirë ju them, atë që e kam menduar, që komunizmi neve na talli me shumë ndjenja njerëzore. Kurse populli këto i ruajti dhe dinte çdo me thënë vdekje. Dinte çdo me thënë nënë që ka humbur vajzën”.

Gjatë këtyre viteve që kishit këto probleme, a keni tentuar të kontaktoni me miqtë ose me shokët e shoqjet tuaja të viteve të komunizmit?

“Kjo ishte e pamundur, që unë t’i takoja. Por, u kam bërë letra, shumë letra dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Dhe, është e çuditshme, sado i lënduar që të jesh, prapë në momente të vështira të vete mëndja atje. E mbaj mend atëherë, kur vajta të shikoja vajzën para vdekjes dhe ju luta atij oficerit: “Të lutem më lër”. Sepse përpara se të më fusnin tek vajza takova mjekët dhe ata më treguan se ishte çështje orësh ose ditësh, dhe varej nga organizmi. Vajza e kishte mendjen në vend, por dukej që do të vdiste. Nuk kishte fuqi, jetonte me oksigjen dhe kur ikte oksigjeni, ajo paralizohej. Ato orë që ndjenja aty më kërkonte vetëm t’i njomja buzët. I thashë shoqëruesit: Më lini pranë vajzës, se duket se në çfarë konditash është. Ai nuk pranoj. Atëherë nuk e di sesi mu kujtua emri i Nexhmije Hoxhës. Dhe thashë me vehte: E kam bërë tërë luftën me Nexhimijen, ajo është nënë, nuk mund të mos më kuptojë. “Ju lutem telefononi që të më lenë këtu, pranë vajzës që po vdes”. Dhe ai më tha: “O qejfi më vjen. Sa lart e mban, mendon ala se je anëtare e Byrosë politike?”.

Ç’marrëdhënie keni pasur ju me zonjën Hoxha?

“Nexhmija ka qënë përgjegjësja ime, sepse ne kemi një diferencë të madhe të moshës. Kur unë isha 15 vjeç, ajo ishte 21 vjeç. Ishte përgjegjësja e bërthamës së shkollës sonë, Institutit “Nëna Mbretëreshë”, megjithëse kishte mbaruar. Bërthama ishte si biçim Komiteti i shkollës, ku bënin pjesë përgjegjëset e klasave. Dhe, pastaj, Nexhmija ka qënë sekretarja e Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste, deri në marsin e 1944, ose shkurtin e 1944, kur ajo iku nga Tirana për të vajtur pranë Enver Hoxhësm me kërkesën e saj. Kam menduar që ishtë një vajzë e zgjuar, që ishte një komuniste e ndershme, për më tepër ishte përgjegjësja ime. Pastaj fillova unë pak nga pak të kem dhe unë përgjegjësi nga ajo. Mirë tashti por mendoj, se doli shumë ndryshe. Sidomos, kur u botua ky libri i fundit i Nexhmijes. Sikur po të ishim mbledhur të gjithë antikomunistët e Shqipërisë mor ore edhe të botës, nuk do ta kish in poshtëruar aq shumë, sa ka poshtëruar ajo veten me këtë libër”.

Për këtë libër, çfarë mund të thoni?

“Për këtë librin e fundit: “Miqësi e Tradhtuar”! Kjo është pas librit të parë: “Jeta ime më Enverin”. Ajo me këtë libër tregon që nuk ka kuptuar, ose bën sikur nuk kupton se çfarë përmbysje e madhe ka ndodhur në botë, apo sesa të vërteta të hidhura vërtetoi historia. Si është e mundur, që në shekullin XXI, në librin që është botuar para pak kohësh, ajo përpiqet të mbrojë krimet. Krimet, duke filluar që nga vrasja e Kryeministrit; nga shkatërrimi i familjes së tij, apo me gjepura që nuk kanë asnjë bazë. Mehmet Shehu ka qënë poliagjent?! Por, nga e vërteton ajo këtë? Sepse ka vajtur dikush në Ambasadën tonë në Vijenë, ku ka dorëzuar disa dokumenta, të cilat akoma sot nuk po botohen. Mos janë si ai dokumenti që më ka thënë Hysni Kapo. E kam pyetur, por nuk e

di si: “More Hysni, ç’është ky Rrumbullaku?”. Më tha se “Eshtë pseudonimi i komunistit të vjetër vlonjat me mbiemrin Radhima. Kanë kaluar shumë vite të rënda dhe nuk e mbaj mend emrin e tij. Që përfundoi shumë keq”, tha. “Por, lëre Liri, si përfundoi. A e di që kur i kanë bërë pyetje, se ka dokumeta për të treguar se është agjent”. Ai, tha, ishte në Itali i internuar. Shkuan amerikanët dhe i çliruan. Ata i mblodhën dhe do i hidhnin në Shqipëri. Dhe për të vërtetuar se ishte i rekrutuar nga anglo-amerikanët, ata i nxorrën faturën që kishte marrë disa ndresa ose veshmbathje, në një magazinë të ushtrisë amerikane. Dhe, atëherë, më filloi të më hyjë edhe mua frika, sepse kur kam qënë unë në Itali për të operuar syrin në spital anglez, edhe unë kisha marrë, bashkë me Kadri Hoxhën, me Halim Budon, disa gjëra tek kjo magazinë. Kështu besoj janë edhe ato. Por se si i kupton kjo grua si Shekspiri, që ka shkruar 300 e ca vjet më parë një tragjedi, “Romeo e Zhulieta”, që edhe sot e kësaj dite trondit zemrat e njerëzve, që u prish dashuria e dy të rinjve. Si nuk e kupton që është krim, krim që u prish jeta dhe dashuria e dy të rinjve dhe njëri prej tyre ishte i biri i Kryeministrit dhe tjetra ishte vajza e profesorit shumë të nderuar Turdiu. Pse? Se në familjet e kësaj bukurosheje kishte shtatë kriminelë lufte. E kush ishin këta kriminelë? I ati, profesor i nderuar? Myzafer Pipa, ishte kriminel? Apo avokati që u vdiq në duar dhe e hodhën nga penxherja në degën e brendshme të Shkodrës? Apo ishte Arshi Pipa, apo ishte Ramazan Turdiu, xhaxhai, që ka qënë antifashist me Ramiz Alinë dhe me nxënësit e tjerë të gjimnazit? As krime as dreq, s’kishte bërë.

Ju thatë pak më parë se keni qënë anëtare e Byrosë politike, po s’keni qënë me njerëzit më të fuqishëm të regjimit. Kush kanë qënë njerëzit më të fuqishëm të regjimit?

“Enver Hoxha patjetër. E fitoi këtë post gradualisht, por ai që i përforcoi pozitat e Enver Hoxhës, ka qënë Miladini. Mesa kam vënë re, që nga muhabetet me Enverin, por edhe me Nakon, ai nuk ka pasur atë potencë në Partinë e Punës si Miladini. Dhe Enveri e pranon vetë, ai thotë se Miladini ka qënë mësuesi im. “Ato që më thoshte Miladini për mua ishin direktiva”, thoshte Enveri. Tani si shpjegohet që ky Enever Hoxha, i cili para themelimit të partisë nuk ka qënë as anëtar i grupit të Korçës, pale udhëheqës. E thotë vetë, kam qënë vetëm simpatizant. Pra, nuk ka patur një eksperiencë, një autoritet të një militanti komunist. Arriti të fitoi simpatinë e Miladinit, i cili nuk ishte fare sekretar politik. Pastaj në Konferencën e vendit më ’43 e caktoi Enver Hoxhën si sekretar të parë. Pra, si mundi ky Enver Hoxha të fitoi kaq autoritet. Një gjë është, që vras mendjen që edhe Stalini nga shokët e tij, nuk ka pasur ndonjë konsideratë të madhe. Trocki e të tjerë e quanin “Seminaristi”. Mirëpo, ai ua hëngri kokën të gjithëve dhe u bë diktator për shumë vjet me rradhë dhe u bë perandor i fuqishëm i një Perandorie të madhe. Di që janë patjetër konjukturat politike, sepse diktatorit nuk i duhet që të ketë një mendje shumë gjeniale dhe aq më pak një shpirt të madh, human dhe demokrat. Përkundrazi, nuk mund ta ketë këtë gjë”.

Botuar te “Korrieri” më 2004