Poloni: filluan kremtimet për qind vjetorin e lindjes së Papës Wojtila

Kisha polake kremtoi të dielën “Ditën e Papës” organizuar nga Fondacioni “Vepra e Mijëvjeçarit të Ri” për të përkujtuar papninë e Shën Gjon Pali II. Këtë vit veprimtaria hapi kremtimet e njëqind vjetorit të lindjes së Papës Wojtila.

R.Sh. – Vatikan

“Ngrihuni! Të vihemi për udhë!”. Me këtë moto, të dielën më 13 tetor, në 102-vjetorin e dukjes së fundit të Zojës së Bekuar në Fatima, Kisha polake kremtoi ‘Ditën Vjetore të Papës’ kushtuar Shën Gjon Palit II. Veprimtaria organizohet që prej 19 vjetësh nga Fondacioni i Konferencës episkopale polake “Dzielo Nowego Tysiaclecia” (Vepra e Mijëvjeçarit të Ri) që financon studimet e të rinjve të talentuar nga zonat e pazhvilluara që nuk kanë mjete e mundësi studimi (fshatra dhe periferi), duke ndjekur ftesën e Papës Wojtila për “një imagjinatë të re mëshire”.

T’i njohim të rinjtë me shenjtërinë e Gjon Pali II

Edhe këtë vit u organizuan veprimtari të shumta anembanë Polonisë. Veprimtaria kryesore u mbajt në Kishën e Provanisë Hyjnore në Varshavë, me kremtimin e Meshës që u kryesua nga kardinali Kazimierz Nycz. “Duam t’ua bëjmë të njohur të rinjve figurën e Gjon Palit II, shenjtërinë e tij, madhështinë e lutjes, dashurinë për Kishën e për të Lumen Mari Virgjër si dhe misionin e tij”, theksoi kryeipeshkvi i kryeqytetit, kardinali Nycz në predikimin e tij.

Hapja e vitit të njëqind vjetorit të lindjes së Shën Gjon Palit II

Ditën e diel, më 13 tetor, u hap viti i 100-vjetorit të lindjes së Shën Gjon Pali II, në shekull Karol Józef Wojtyła, i cili lindi në Vadovicë (Poloni),  më 18 maj 1920. “Jemi të lumtur që mund t’i inkurajojmë jo vetëm të rinjtë, por të gjithë të zbulojnë figurën dhe të mësojnë nga shembulli i Shën Gjon Palit II. Pikërisht falë tij në atdheun tonë u bën shumë ndryshime të mëdha. Guximi i tij, urtësia dhe forca e shpirtit na ndihmuan ta ndryshojmë Poloninë, ” pohoi Atë Dariusz Kowalczyk, president i Fondacionit “Vepra e Mijëvjeçarit të Ri”.

Fondacioni “Vepra e Mijëvjeçarit të Ri” u themelua më 2000

Themeluar më 2000 pas Udhëtimit të shtatë apostolik të Gjon Palit II në Poloni, më 1999, Fondacioni është i njohur jo vetëm për organizimin e “Ditës së Papës”, por edhe për çmimin “Totus Tuus”, motoja apostolike e Papës polak. Fusha më e rëndësishme e angazhimit të Fondacionit “Vepra e Mijëvjeçarit të Ri” mbetet arsimi, në veçanti nxitja e mundësive arsimore për të rinjtë e talentuar që kanë pak mjete e mundësi. Në Ditën e fundit të Papës 2018 Fondacioni arriti të mbledhë 1,875 milion euro për bursat e studimeve për të rinj në vështirësi.

Jetëshkrim i shkurtër i Shën Gjon Palit II

Papa Gjon Pali II (lat. Ioannes Paulus PP.II), në shekull Karol Józef Wojtyła, lindi në Vadovicë (Poloni), më 18 maj 1920; vdiq në qytetin e Vatikanit më 2 prill 2005 . Vojtila ishte pasardhësi i 263-të i Shën Pjetrit; Papa i 264-t i Kishës Katolike Romake; Kryeipeshkvi i Romës, Kreu i Qytet-Shtetit të Vatikanit. I zgjedhur papë më 16 tetor 1978, po mbushte 27 vjet papnie, e treta për gjatësi në historinë e Kishës.
Karol Vojtila para papnisë
Karol Wojtyla lindi më 18 maj të vitit 1920, në Wadovicë (Poloni), rreth 50 km larg Krakovisë. Karol Vojtila, Ati, ishte oficer; nëna, Emilia Kacazorowska, mësuese. Vëllau më i madh, Edmundi, mjek, ndërsa motra më e vogël, Olga kishte vdekur në lindje. Karoli u pagëzua më 20 qershor 1920.
Më 13 prill 1929 i vdiq e ëma; tri vjet më vonë, edhe vllau, Edmundi (5 dhjetor 1932). Mbeti vetëm me të jatin.
Më 1934, pasi kreu shkollën fillore, u regjistrua në gjimnazin klasik (Marcin Wadowitza). Përveç sportit, nisi të interesohej edhe për teatër, duke themeluar teatrin amator të Wadowices.
Në maj të vitit 1938 mori sakramentin e Krezmimit dhe dëftesën e pjekurisë. Gjatë verës, së bashku me të jatin, u vendos në Krakovi. Në vjeshtë u regjistrua në Universitetin Jagiellonian të Krakovisë, ku nisi studimet në degën e gjuhës e të letërsisë polake, pa e harruar dashurinë për teatrin. Arriti të përvetësojë 11 gjuhë të ndryshme: polonisht, sllovakisht, rusisht, italisht, frëngjisht, spanjisht, portugalisht, gjermanisht, ukraninisht, anglisht e latinisht. U radhit, kështu, ndërmjet intelektualëve më të njohur poliglotë të kohës.
Me 1939 filloi Lufta II Botërore. Nacistët pushtuan Poloninë dhe e mbyllën Universitetin. Karol Wojtyla u detyrua t’i ndërpresë studimet.
Me 1940, për të shpëtuar nga internimi në Gjermani, punoi në guroren e lidhur me fabrikën kimike Solvay. Nisi të lexojë veprat e Shën Terezës së Avilës, përmes së cilës u njoh me përshpirtërinë e karmelitanëve.
Më 18 shkurt 1941 i vdiq edhe i jati.
Gjatë viteve 1942-1944 punoi në një fabrikë prodhimesh kimike.
Me 1942 hyri në Seminarin e Madh klandestin të Krakovisë. Filloi, fshehurazi, edhe studimet në Fakultetin teologjik të Universitetit Jagellonica, pa e ndërprerë punën në fabrikë.
Më 01. 11. 1946, ditën e Gjithë Shenjtorëve, kardinali Adam Stepan Sapieha e shuguroi meshtar, në kapelën e tij private.
Më 02. 11. 1946, ditën e Purgatorëve, kremtoi Meshën e parë në kriptën e shën Leonardit, në katedralen e Wavelit.
Gjatë viteve 1946-1948 vazhdoi studimet pasuniveritare në Romë, në Universitetin Papnor të Shën Tomës (Angelicum). Shkroi punimin e doktoraturës mbi shën Gjonin e Kryqit, duke theksuar natyrën personale të takimit të Zotit me njeriun.
Me 1947, gjatë pushimeve verore, vizitoi Francën, Holandën e Belgjikën.
Në korrik 1948 mbrojti doktoratën dhe u kthye në Krakovi. U emërua famullitar në fshatin Niegowicy.
Më 1949 u transferua në famullinë e Shën Florianit, në Krakovi. Famullitari e caktoi atë shpirtëror të studentëve të Krakovisë dhe të punjonjësve të shërbimit shëndetësor. Nisi të krijojë poezi me pseudonimin Andrzej Jawien, të shkruajë artikuj për revistën ˝Tygodnik Powszechny˝, t’u japë mësim katekizmi studentëve, të inskenojë pjesë teatrale, të organizojë shëtitje e shtegtime.
Më 1951 kryeipeshkvi i Krakovisë, Eugeniusz Baziak, e liroi nga detyrat famullitare, duke i krijuar kushtet për punë shkencore, në fushën e etikës dhe të teologjisë morale.
Më 1953 nisi të japë leksione në disiplinën e etikës katolike, pranë Universitetit Jagellonica.
Më 1954 vijoi punën në Lublin, në Universitetin Katolik. Drejtoi katedrën e etikës, pranë fakultetit të filozofisë.
Më 28. 09. 1958 u emërua ipeshkëv–ndihmës i Krakovisë e, katër vjet më pas, drejtoi dioqezën si mëkëmbës kapitullar. Vetëm 38 vjeç, ishte ipeshkvi më i ri i episkopatit polak.
Në vitin 1960 botoi librin “Dashuria dhe përgjegjësia”.
Më 30 dhjetor 1963 Papa Pali VI e emëroi kryeipeshkëv të Krakovisë.
Prej 1962 deri më 1965 mori pjesë në Koncilin II të Vatikanit, ku dha ndihmesë të çmuar për hartimin e Dignitatis Humanæ dhe Gadium et Spes, dy dokumentet historike më të rëndësishme të Koncilit.
Më 5- 15. 12. 1963 shtegtoi për herë të parë në Tokën e Shenjtë.
Më 30. 12. 1963 Papa Pali VI e emëroi Karol Wojtylën kryeipeshkëv metropolit të Krakovisë.
Më 26. 06. 1967 u krijua kardinal i Shën Cesareo in Palatio, diakoni e lartuar në titullin pro illa vice nga Papa Pali VI.
U kthye në Krakovi, ku nisi të dallohet për veprimtari kundër komunizmit. Filloi të botojë në gazetën e tij dioqezane disa libra, që ishin ndaluar nga cenzura komuniste. Ndërmjet tyre, “Hamendje mbi Jezusin” shkruar nga Vitorio Mesori dhe “Letër e një fëmije, që s’doli kurrë në dritë”, shkruar nga Oriana Falaçi.
Në vitin 1969 botoi librin e dytë “Njeriu e vepra”.
Më 1970 vizitoi disa vende të Evropës.
Me 1973 mori pjesë në Kongresin Eukaristik në Australi; vizitoi Manilën dhe Guinenë e Re. Udhëtoi në Belgjikë e në Francë. Si u rikthye në Krakovi, bëri thirrje për mbledhjen e parë të sinodit të ipeshkvijve.
Gjatë vitit 1974 ishte disa herë për vizitë në Romë.
Më 1975 vazhdoi punën për përfundimin me sukses të sinodit të ipeshkvijve; mbajti një ligjëratë në Seminarin Ndërkombëtar në Friburg dhe në Konferencën e Milanos.
Me 1976 kryesoi ushtrimet shpirtërore të Kuries në Vatikan, në praninë e Papës Pali VI; vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë, mori pjesë në kongrese filozofësh në Romë dhe Gjenevë.
Me 1977 Universiteti Johannes Gutenberg i Mainz-it i dha titullin e nderit doctor honoris causa. Mori pjesë në disa konferenca në Romë, Milano, Paris.
Në gusht të vitit 1978, pas vdekjes së Palit VI, ishte i pranishëm në konklavin, që përfundoi me zgjedhjen e Patrikut të Venedikut, kardinalit Albino Luçiani, Papa Gjon Pali I. Në moshën 65 vjeçare, Luçiani konsiderohej si papë i ri, në krahasim me paraardhësit. Më 28 shtator 1978, pasi papnoi vetëm 33 ditë, Gjon Pali I vdiq. Në tetor 1978 Vojtila u rikthye në Vatikan, për të marrë pjesë në konklavin e dytë, brenda dy muajve.
Më 16. 10. 1978, në orën 18.18 tymi i bardhë lajmëroi zgjedhjen e Papës së ri. Gjysëm ore më vonë në lozhën e Bazilikës së shën Pjetrit u paraqit kardinali Felici, që njoftoi: Habemus papam! Kemi Papën! Papa i ri i Kishës Katolike ishte kardinali i Krakovisë, Karol Vojtila, që deshi të zgjidhte emrin Stanislau I, por me që ky emër nuk përfshihej në traditën romake, u quajt Gjon Pali II. Ishte i 264-ti papë, i pari papë polak.
Pak minuta pas zgjedhjes, Papa i ri u duk në lozhë për të përshëndetur mijëra besimtarët e mbledhur në Shesh. Në fjalimin e tij të shkurtër, u paraqit si ‘papa i ri, i thirrur nga një vend i largët”. Me entuziazmin e tij ia fitoi menjëherë zemrën italianëve, që e shikonin me dyshim zgjedhjen e një pape të huaj, pas kaq shekujsh. Mbeti e famshme fraza: “Në se do të gaboj, ju do të më korrigjoni” dhe i paharrueshëm për ata që patën fatin të ishin të pranishëm, Bekimi i tij i parë Urbi et Orbi – Romës dhe Botës, transmetuar përmes Mondovizionit.
Të nesërmen Papa i ri kremtoi Meshën shenjte, së bashku me Kolegjin Kardinalor, në Kapelën Sikstine e më 22 tetor, nisi solemnisht shërbimin papnor.

Papnia e Gjon Palit II
16. 10. 1978 : Fillon papnia e Karol Vojtilës. Për herë të parë, që nga viti 1522 (Adriani VI, i 218-ti papë, gjerman) ulet në Fronin e Shën Pjetrit një Papë me origjinë jo italiane.
Papa Polak deshi ta fillojë papninë duke nderuar dy pajtorët e Italisë: kështu, më 5 nëntor 1978 vizitoi Asizin e Shën Françeskut, ndërsa më pas, Bazilikën e Shën Marisë mbi Minervë, për t’u gjunjëzuar tek varri i Shën Katerinës së Sienës.
Më 12 nëntor mori në dorëzim katedrën e Shën Gjonit në Lateran, seli e ipeshkvit të Romës.
Më 5 dhjetor nisi vizitën e parë baritore në dioqezën e tij, duke filluar me famullinë e Shën Françesk Saverit, në lagjen Garbatela.
25. 01. 1979 : Shtegtimi i parë ndërkombëtar, në Republikën Domenikane, Meksikë, Bahamas.
04. 03. 1979: Boton Enciklikën “Redemptor Hominis”
13. 05. 1981, Gjon Pali II plagoset rëndë nga turk Ali Agça, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në një atentat, që tronditi mbarë botën.
15. 09. 1982 : Pret në audiencë, në Vatikan, prijësin palestinez Jaser Arafat
Në dhjetor 1983 Papa vizitoi atentatorin Ali Agça, në burgun e Romës.
13. 04. 1986 : Është Papa i parë që shkel në një : viziton sinagogën hebraike të Romës.
27. 10. 1986 : Fton prijësit e të gjitha besimeve të botës për t’u lutur së bashku në Asizi.
01. 12. 1989 : Pret për herë të parë sekretarin e përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, zotin Mihail Gorbaçov.
15. 07. 1992 : I nënshtrohet t për heqjen e një tumori në zorrë. Pak më vonë shfaqen e sëmundjes së Parkinsonit.
Më 25 prill 1993 Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë. Në Shkodër u takua edhe me Nënën Tereze.
17. 05. 1993 : Botohet katekizmi i ri i Kishës Katolike, i dyti pas atij të vitit 1566.
30. 12. 1993: Nënshkruhet, në Jeruzalem, marrëveshja themelore Izrael-Vatikan për fillimin e marrëdhënieve diplomatike.
29. 04. 1994: Pas rrëzimit, thyerja në këmbën e djathtë.
26. 11. 1994 Ati i Shenjtë krijon kardinalin e parë shqiptar, Hirësinë e tij, Mikel Koliqin…..
09. 12. 1994: Revista amerikane Time e zgjedh “Burri më i shquar i vitit”.
15. 01. 1995: Gjatë shtegtimit apostolik në Filipine, kryeson në Manila një nga Meshët më të mëdha në historinë e Kishës Katolike, i rrethuar nga 4 milion njerëz.
25. 12. 1995: Për herë të parë nga fillimi i papnisë, i sëmurë nga gripi, nuk i drejton Romës e Botës (Urbi et Orbi) mesazhin e Krishtlindjes.
21. 01. 1998: Shtegtimi apostolik i shumëpritur në Kubë.
25.12.1999: Hapja e Portës së Shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit: fillimi i Vitit të madh Jubilar 2000.
20. 03. 2000: Shtegtimi apostolik në Izrael, Jordani dhe Palestinë. Lutja pranë Murit të Lotëve në Jeruzalem: kremtimi i meshëve në Betlehem e në Nazaret.
06. 05. 2001: Papa i parë në histori, që viziton një xhami islamike: xhaminë Omajade në Damask.
16. 10. 2003: I sëmurë rëndë, kremton e 25-vjetorit të Papnisë.
Më 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në praninë e më se 300 mijë shtegtarëve, ardhur nga e gjithë bota, Gjon Pali II kryesoi kremtimin me ritin e lumnimit të Nënë Terezës.
01. 02. 2005: Shtrohet për probleme në rrugët e frymëmarrjes, në klinikën romake Gemelli. Rikthehet shpejt në Vatikan.
06. 02. 2005 : Papa del në dritaren e klinikës për të bekuar besimtarët
10. 02. 2005 : Papa del nga spitali Gemelli. Me mijëra njerëz e përshëndesin me gjatë kthimit me në Vatikan.
13. 02. 2005 : duket në dritaren e studios së tij, mbi Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan dhe bekon besimtarët. Lutjen e Engjëllit të Tënzot e lexon imzot Leonardo Sandri.
24. 02. 2005 : Ati i Shenjtë shtrohet përsëri në spital. I bëhet një trakeotomi për ta ndihmuar në frymëmarrje. Vatikani shpreson se do ta ndihmojë për ta kapërcyer sëmundjen.
27. 02. 2005 : Papa duket për disa sekonda pas dritares së mbyllur të klinikës.
01. 03. 2005 : Kardinali Jozef Racinger viziton Papën në spital. Bisedon me Gjon Palin II italisht dhe gjermanisht.
13. 03. 2005 : Gjon Pali II rikthehet në Vatikan, ndonëse shëndeti i tij është rënduar shumë.
27. 03. 2005 : Ati i Shenjtë duket në dritaren e studios së tij në Sheshin e Shën Pjetrit dhe orvatet t’u flasë besimtarëve të Dielën e Pashkëve. Por nuk mundet. Shtegtarët e besimtarët e mbledhur në Shesh, të prekur thellë, qajnë me dënesë.
30. 03. 2005 : Papa dëshiron përsëri t’u flasë besimtarëve. Vatikani njofton zyrtarisht se Papa ushqehet me mnjë sondë në stomak.
01. 04. 2005 : Vatikani pohon se gjendja shëndetësore e Gjon Palit II është tepër serioze. Për shkak të një infeksioni të rrugëve urinare, Papa pëson goditje në sistemin kardiologjik dhe helmim gjaku. I jepet Sakramenti i Vajimit.Me 2 prill 2005, në ora 21:37 zemra e madhe e Gjon Palit II-të pushoi së rrahuri.

Më 27 prill 2014, Gjon Pali II shpallet shenjt nga Papa Françesku.