Politikanët, të adhuruarit për … mungesë provash!

Nga Selim Kurti

Ata na vjedhin paturpësisht e pafundësisht. Me blloqe “borxhesh” kamorriste në duar, me miliona euro rrugësh e tenderash pa hesap.
Po ne nuk kemi prova, ndaj besojmë se ishin thashetheme, keqdashje, komplote.
Të qafëleshëve e flokëpalarëve!
Thellë-thellë se ç’ndjejmë një simpati për zgjuarsinë e tyre, se nuk është dhe aq e lehtë të vjedhësh e të mbulosh gjurmët!

Ata na rjepin pa mëshirë.
Ne na dhemb lëkura, kockat, zemra, shpirti.
Por ne s’kemi prova, ndaj, jo vetëm që nuk iu ngulet gjemb në këmbë, por adhuruesit që i presin poshtë shtëpisë, në oborrin e parlamentit, apo “like”-xhinjtë dhe ditirambistët e Facebook-ut, shtohen paprâ.
Se donin t’iu rrëmbenin idhullin.

Ata na hedhin në erë me fëmijë e shtëpi, na groposin si gjë e gjallë, na zhdukin pa nam e nishan, por ne s’kemi prova. Pasi bindemi se ishte thjesht një “aksident teknologjik”, admirimi për to prek kufijtë e adhurimit.

Ata na shesin tokën, detin, ajrin, por pasi ne nuk mund t’i gjejmë provat, fillojmë t’i duam edhe më shumë, edhe më thellë.
Për zotësinë e treguar.

Ata na masakrojnë trupin e shpirtin, por, ngaqë nuk kemi prova, ne nuk i urrejmë. Përkundrazi, e kemi të ngulur mirë në kokë: ata të “partisë sonë” nuk mund të vrasin as një mizë, jo më të jenë mizorë me ne!

Ata na vrasin si derra, nga dritaret e zyrave luksoze ku i çuam dhe i paguajmë ne!
Por provat s’i gjetëm, ndaj mbështetja për bajraktarin e kullës njeh kulme të reja!

Ata tallen me ne, na përqeshin, na mashtrojnë, na përdhosin, na braktisin, na tradhërojnë, por kot e kemi.
S’kemi prova!

E pra, ndaj i duam, i durojmë, e i votojmë.
Jo vetëm kaq: për to jemi gati të flijohemi edhe kushedi sa herë të tjera. Pagançe, siç na ka hije!

Marre nga postimi ne profilin e tij ne Facebook