Policia vret autorin e një sulmi terrorist në Londër

Policia në Londër thotë se ka qëlluar me armë dhe ka vrarë një burrë në urën e Londrës, pas një sulmi me thikë.

Në një deklaratë të premten, Policia Metropolitane thotë se bëhej fjalë për një sulm terrorist.

Ndihmëskommisioneri Neil Basu u tha gazetarëve se autori i sulmit u vra nga policia në vendngjarje.

Zoti Basu tha se personi kishte një jelek që dukej të ishte një paisje e rreme eksplozive. Ai tha se policia nuk do të spekullojë për motivin.

Zyrtarët britanikë i bënë thirrje publikut që të shmangte zonën dhe shtuan se kryeministri Boris Johnson do të informohej për detajet e incidentit. Zoti Johnson shprehu me një mesazh në Twitter mbështetjen për punonjësit e ndihmës së shpejtë që po merren me incidentin.

Në Shtetet e Bashkuara, Shtëpia e Bardhë nxorri një deklaratë ku thuhej se Presidenti Donald Trump ishte njoftuar dhe po ndiqte situatën.