POEZI MALLI nga Albert Vataj/ Shkodra, i përmallshmi qyteti jem

Rierdha me u djeg mallit n’ty, jo veç e jemja, Shkodër, e t’tanve…
Andje kredhun n’andrra e dëshirime, beha duhishëm,
Si tue dasht me u sos n’zjarmin tem qi kall n’ty,
N’tançka m’gazmon, m’përpush e m’ngazllen.
T’kjesh dorzan pendimeve qi m’rrxuen n’gjunj,
Fajeve qi m’banen ma fort me t’dasht,
E gjithqysh me t’ndi, n’gaz e n’idhni, pa u drasht.

Mbas nji mungimi t’gjat e shtërngimi zoritës, ithtue,
Ikjet m’kthyen prap kryeanuem, n’gjoksin tand, shkreh e preh,
Me ma shum’ andje, me t’pa e me m’mylmye, n’shpirt t’lyp,
Me m’marr n’krah ernash qi t’ledhin kah m’përshkon,
Me t’pushue n’qerpik t’hanave qi notojnë n’liqen,
Hapat i kam ma t’leht, se gjethet frymëmarrin ligshëm,
Ktheva n’tnjejtat gjurmë qi ika, e amësht çapita.

Erdha prap si gjithher, Shkodër loce,
Pa t’çue fjal, e pa t’nguc angësht n’mall,
T’gjeta te pragu, bash njaty ku t’lash sfundiher kryekputun,
N’syt tuej, e n’pikllimin tem, vërshuekan tana vjeshtat e pritjes,
E thyhen gjamshëm, hanat ikanake t’gjëmimit n’gjokse.
Buzën tande t’eshkun, loti ta njom e vesa ta ndez,
Dhimbja n’ty asht qiell, qi gjëmimshëm n’mu sos.
Ti gjithherë ke dit me dhimt, njisoj si me t’dasht,
Jam drasht me t’ndi njaq sa kam and, e pas.

Bash fort m’kishte kput ëndja e kanda, e lumja ti,
N’gjoksin tand me u kredh mujshëm, me ankue diqysh,
Me ma t’amlen dashni me t’rrok, e n’afsh me u ngi,
E me shterr qiellin e dallendysheve,
N’pranverimin e njasaj andrre, ku shoh veç ty,
Me fluturue kah era dhe rremimi shtyjn varkat,
Ku kanga e zogut e zani i legjendës,
Zashëm i lshohen, njatje ku syni jot pikon, vaj e mall,
Tue dasht me mëku jehonat, e kërdis paqtimin.

Erdha, njashtu përmallshëm, e gzuemja Shkodër,
Si zogjt qi gjejn folen ku lane t’thuruan krandet e ikjes,
Me u deh n’armonë tande, e ndijue fort,
Me mbush deri n’buz, ç’ka e zbrazi ligsh malli,
E me kërcye me shiun ku gjurmët mbetne plazmue,
N’gjethe flatrue erën e pendët shpalue,
N’kraht e harlisun t’përqafjeve me shterr e me prajt.

S’pata lot kyt her,
As me t’lag synin, as me t’njom buzën,
Gjak pikova prej plagve t’kryqzimit,
Tue dasht me paqtue prushjen e mallit, plague,
N’tallaze u përpusha, shpirtjeve tuja, u kjesh blatue.
Ti m’prite krahhapun e zazjarm, Shkodra jeme,
Si t’tanaherat tue m’përpi n’përqafjen tande teptisëse,
E tue m’kqyr për seri, si m’ka tret njaj mungim,
E m’përtrika njaja amshtri m’pakje, qi t’kenka shitu,
Thinjat, ti kreha me ledhat prej drite, gjarpnue,
Malli kishte gjegj hapave t’ardhjes, krejtkund pahena bashk,
Diellin i mëkova plagve t’mija, e përndrita.

M’bane vend n’prehën, me t’shenjten prehje,
Kryet mshteta n’gjoksin tand, palue njashtu n’droje e epje,
Si tue dasht me ndez njat t’amlen këndellje,
Me u shkim n’çka shkulm e kall n’çdo prekje,
N’tançka tue u ep, gjithsi m’kthen me krah flutrash fminin,
Kjava e faqet tuja njoma me lot’t e mi,
E s’prana tue t’i puth durt e tue rrëmue n’prehnin tand,
Me u struk si dikur, drojet e mardhet.

Nji kang-ninull t’çili n’buz e kundërmuen faqet tueja,
lule bahqesh hargalis, e gërsheta vashash t’lame krojesh,
Gjumi m’kishte lshue ndër andrra gufue,
Tue m’çue atje ku mbetun kishte veç mall e am.
Tançka preka e putha me epje e afsh,
Qesha njaq sa s’kisha mujt me dritun kurrë, shndrita,
E brita sa qielli m’derdhi n’sy currilin e gjinit tand,
Nduka me babzi agimet e bardhemta, e m’dehi vesa jote,
Diell, t’pash currue nan qerpik, han t’kjesh e vragë.

N’rrjedhën e lumenjve, ku lan t’shkruemit syt e tu,
Vark u ndina tue vozit perëndimin, ku pahena me t’shuemit,
Kah ardhja na struk nan shelgjet pikllues, t’dënesun.
Ju fala nderës e ju luta currilit t’njatij gjini murue,
Për tamlin e t’amshtrin qi m’kishte m’kueme gajle e amlëti,
I’a ktheva t’shugurueme prej zotave e zoritjeve t’mija,
Gjithqysh i kjesh naltue n’përulje, n’fli e n’përgjërim.

S’mujta me shkrue Bibël për ty, hyjnuemja Shkodër,
Por altare t’bana gjikund shkova e mëkova prej t’amlit tand,
Kah naltimin tem hovte gjunjzimi, krenin tande lash bekue,
Jetova me ty, për ty u luta e amësht u ndesha ngadhnjye,
T’pata izëm krejtkund kjesh, gjithçmos prej vedit t’dhash,
S’prajta kurrqysh veç me ken ç’ka levdue teje, m’len,
Mujta ç’ka deshta e s’kurseva ç’ka flijue ta lash.

Shkodër…
Jemja dashni endun me afsh e me ofsham,
Kje njaq e mir’ me mue, sa drue…
Se s’kam me mujt njaq fort me t’dasht,
Aniqysh un bana ma t’mirën tue mos u mjaftu kurrsi,
Ngulmue dashtazi me huj e hov me t’naltue,
Epërmi, ku sos zeniti n’cak t’mbram, yll shndrite,
Me guxue, me za e zemër, n’ty, krenar me ken, Hy me u ndi.

Shkodra, i përmallshmi qyteti jem, m’gazmon e m’dhemb
N’ardhje, ikja shpalon tana plagët e mungimit,
N’shpirt lyp and me dasht si tue u frigue se trazimi s’m’len me u lumtunu.
Hutue kthehem te ti, e iki shterrun zjarmit qi mallshëm m’djeg,
M’pret tanaheret njaty ku syt t’i përflak pezmi i zemres, e truc vetmia,
E buzën t’a eshk puthja qi m’djeg n’ball, e derdhet diell n’duar e tuja,
Mbetsh bekue n’mue, si n’tan vullnesat, dhan dorzan dashnis tande.

T’pata urdhnes t’shenjt, e plagë t’kam ku m’dhemb ma fort,
Zoja Shkodër, bekuemja ti,
Kang gazmimi, shpague t’kjoft pengu qi le n’mu,
Lutem për ty me shpirtin naltuem, e krenin përulun,
T’lypi hallallet, e mbi vedi bari kryqin e Golgotës tande,
Itak e odeseadave qi dergjen deteve, ti Penelop pritjeje,
Iku tue m’bet, ç’ka m’ban me ken za e sy, adhurim n’ty.
Sod e përgjithmonë, e shtrenjta e kungimit qi marr lumnue,
N’emën t’Atit, t’Birit, e t’Shpirtit t’Shenjt.
Amen!