Plumbat e një nacionalisti serb që vranë arkidukën, Franz Ferdinand dhe shpërbënë katër perandoritë e botës

Nga Albert Vataj

Më shumë se 20 milionë njerëz u desh t’i paguajnë me jetën e tyre dy të shtënat e një nacionalisti serb në mesditën e 28 qershorit të 1914-ës. Plumbat që qëlluan për vdekje princin trashëgimtar austro-hungarez, Franz Ferdinand dhe bashkëshorten e tij, çuan botën në Luftën e Parë Botërore, që do të rezultonte më e përgjakshmja kacafytje e përbotshme. “Lufta e Madhe”, me shkëndijën e Sarajevës, do të përfshinte në flakadanin e saj gjakues dhe transformues, gjashtë kontinente: Evropën, Azinë, Afrikën, Amerikën e Jugut, Amerikën e Veriut dhe Australinë. Edhe pse kjo katrahurë e përgjakshme ishte kryesisht e përqendruar në Gjermani dhe Francë, mbolli tmerr dhe vdekje krejt ku ajo kaloi.

As vetë studenti serbo-boshnjak, Gavril Princip, nuk do të ishte i bindur, se të shtënat e tij nuk do të shtrinin përdhe vetëm arkidukën, Franz Ferdinand dhe bashkëshorten e tij Sofi, por dhe katër perandoritë e botës; atë Austro-Hungareze, Prusinë, Perandorinë Osmane dhe Ruse. Asnjë shkëndijë e këtillë nuk do të kishte një reaksion kaq të fuqishëm. Njerëzimi përgjatë gjithë ekzistencës së vet të deriatëhershme i kishte ushqyer me gjak dhe jetë orekset e luftrave. Sot pas 105 vitesh, çdo ndërmendje do të shtangej para kësaj fuqie transformuese, kësaj ndryshese që solli dalldia e kësaj katrahure. Me Luftën e Parë Botërore, e cila zgjatoi kujën dhe kortezhin e vet, nga 28 korriku 1914 deri më 11 nëntor 1918, e ndryshoi përgjithmonë botën, historikisht, gjeografikisht dhe politikisht, por pa mundur ta evoluojë në mendësi.

Kush fshihej pas atentatorit të arkidukës?

Vrasja ishte një akt i mirëmenduar dhe rrjedhonte në dinamikë të zhvillimeve të grupeve që dirigjonin në atëkohje orkestrën e një nacionalizmi, i cili kishte synime të qarta. “Bosnja e re” përshkruhet si një grup, i cili ka kryer “aksione ilegale terroriste” në shërbim të Serbisë, për të marrë nën kontroll Bosnjën dhe Hercegovinën dhe krijuar “Serbinë e Madhe”. “Një organizatë sekrete e njohur si “Bashkim ose Vdekje”, gjithashtu e njohur edhe si ‘Dora e Zezë’, e formuar në Serbi në vitin 1911, kishte mision jetësimin e ëndrrës së Serbisë së Madhen përmes aktiviteteve terroriste”.

Lufta e Parë Botërore, sebep apo shtysë nga atentati

Vrasja e trashëgimtarit të fronit austro-hungarez, Franz Ferdinand, arkidukës së Austrisë, në Sarajevë më 28 qershorit të vitit 1914, çoi në fiillimin e manovrave diplomatike ku u përfshinë Austro-Hungaria, Gjermania, Rusia, Franca dhe Britania, të cilat “nënshkruan” dështimin në korrikun e atij viti. Autoritetet austro-hungareze ishin të bindura se “Dora e Zezë” ishte ajo që zgjatej pas serbo-boshnjakut Gavril Princip dhe grupit që organizoi atentatin, pas të cilit ishin të përfshirë zyrtarë serbë. Në një ultimatum prej 10 pikash, Austro-Hungaria i dorëzon Serbisë aktakuzën e përfshirjes në këtë vrasje. Vetëm për tetë pika do të dakordësohej pala serbe, por pa mundur të zmbrapsë hakërrinë e një perandorie, e cila kishte të vrarë në mes të Sarajevës një arkidukë dhe nderin e saj. Gjithçka merr fund më 28 korrik 1914 kur Austro-Hungaria i shpall luftë Serbisë. Perandoria Ruse, e gatshme për të mos lejuar Austro-Hungarinë për të ekzekutuar ndikimin e saj në Ballkan dhe në mbështetje të serbëve, ka urdhëruar një mobilizim të pjesshëm një ditë më vonë. Perandoria Gjermane më 30 korrik 1914 kurorëzon mobilizimin e saj, e gatshme për të aplikuar “Planin Schlieffen”, i cili ka për qëllim një pushtim të shpejtë të Francës, një dërrmë ushtrisë franeze, pastaj të kthehet kundër Rusisë në lindje. Kabineti francez i rezistoi presionit ushtarak për të filluar një mobilizim të tërhequr 10 km nga kufiri. Franca e gjen veten të kapluar nga flaka e luftës në mbrëmjen e 2 gushtit, kur Gjermania pushtoi Belgjikën dhe sulmon trupat franceze. Gjermania i shpalli luftë Rusisë, në të njëjtën ditë. Nga ana e saj, Mbretëria e Bashkuar i shpalli luftë Gjermanisë më 4 gusht 1914, pas një “përgjigjie të pakënaqshme” të ultimatumit britanik se Belgjika duhej të mbahej neutrale. Dhe kështu u ndez, ajo që do të quhej “Lufta e Madhe”.

Lufta, që erdhi nga lufta dhe polli luftën

Në këtë konflikt mbarëbotëror u vunë përballë njëra-tjetrës dy fuqi të mëdha, perandoritë qendrore, që përbëhej nga Perandoria gjermanike dhe ajo Austro-Hungareze. Nga ana tjetër, Pakti i Trefishtë, ku rreshtoheshin, Mbretëritë e Bashkuara, Franca dhe Rusia. Lufta e Madhe filloi më 28 korrik 1914 dhe përfundoi më 11 nëntor 1918 me fitoren e Paktit të Trefishtë.

Lufta shkaktoi shpërbërjen e katër perandorive: Perandorisë Austro-Hungareze, Prusisë, Perandorisë Osmane dhe Rusisë. Gjermania humbi perandoritë koloniale dhe shtetet evropiane të Çekosllovakisë, Estonisë, Finlandës, Letonisë, Lituanisë, Polonisë dhe Jugosllavisë që fituan pavarësinë. Lufta e Parë Botërore shënoi mbarimin e rendit botëror që u vendos pas luftrave napoleoniane dhe ishte një shkaktare e rëndësishme për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore.