Plava dhe Gucia, me festën e madhe të këngës e valles shqipe, “Alpet shqiptare, Vuthaj 2017”

Plava dhe Gucia për tre ditë me radhë mirëpritën edicionin e dytë të festivalit, “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon”, i cili përkoi edhe me 20-vjetorin e veprimtarisë së përvitshme, “Alpet shqiptare, Vuthaj 2017”.

Gjatë këtij takimi dhe festivali në lëndinën mes këtyre maleve të larta u mblodhën më shumë se pesë mijë vuthjanë dhe të ardhur nga zonat përreth, nga Kosova , Shqipëria dhe Malësia e Madhe, përfshirë edhe dhjetra mërgimtarë, që kishin ardhur së bashku me familjet e tyre, nga SHBA dhe Europa, për t’u ç’mallur edhe për të shijuar bukuritë mahnitëse të alpeve shqiptare.

I pranishëm në këtë veprimtari ishte edhe ish- ambasadori Uilliam Uoker, i njohur për kontributet e jashtëzakonshme për çështjen e Kosovës, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, etj..

Këto aktivitete të zhvilluara nën kujdesin e veprimtarit të njohur, Tahir Gjonbalaj, u organizuan në fshatin Vuthaj, Plavë-Guci nga Shoqata e Alpeve, Shoqata Maja e Karafilit me mbështetjen e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar në datat 30,31 korrik, 1 gusht 2017.

Gjatë këtyre ditëve ansamble dhe grupe muzikore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi shpalosën vlerat më të arrira të folklorit tonë burimor, këngën e moçme, kostumet dhe vallet. Artistët pjesëmarrës në festival u nderuan me mirënjohje dhe çmime. Vendi i tretë i takoi ansamblit “Prishtina”. Në vend të dytë u rendit ansamblit “Shotë Galica”, Drenas. Dhe vendi i parë i takoi ansamblit polifonik “Qepini”, Vlorë, raporton atsh. Juria e festivalit shpalli grupin më të mirë të valleve ansamblin “Shkupi”. Unioni Artistik i Kombit shqiptar do të vazhdojë traditën e organizimeve të tilla përveçse në trevat shqiptare, edhe në diasporë.