Pjetër Arbnori, kryetari i harruar nga demokratët dhe ngjarja e 2 prillit

Shaqir Vukaj

Në një aktivitet të zhvilluar kuadrin e 25 vjetorit të Kuvendit të parë pluralist, ku fola edhe unë si ish nën kryetar i Kuvendit Popullor në vitet 1992-1996, ndërmjet tjerave thashë:

“Dua të kujtoj këtu me shumë respekt e konsideratë të veçantë të pa harruarin Pjetër Arbnori, i cili, pavarësisht se ishte më i vuajturi ndër të gjithë deputetët e të gjitha kohërave në Shqipëri, ai, në postin e Kryetarit të Kuvendit, me dinjitet e kulturë, me njerzillëk e respekt për këdo, edhe për rivalët apo kundërshtarët politikë, diti ta drejtonte aq mirë Kuvendin, sa do të mbetet simbol e shembull për çdo Kuvend Shqiptar.

Unë ruaj kujtime dyfish për të sepse, jo vetëm që punuam bashkë për katër vjet në Kuvend, por edhe sepse për një kohë kemi qenë të dy kryetarë partish në Shkodër, ai i Partisë Demokratike dhe unë i Partisë Socialiste, dhe jemi marrë vesh e kemi bashkëpunuar, aq sa na lejonte koha e sa e lejonin atë nga Tirana ata, që në atë periudhë ishin mbi Pjetrin dhe drejtonin Partinë Demokratike…”.

Me bëri përshtypje, se mbas kësaj, kryetari i Kuvendit të asaj kohe, Ilir Meta, më tha me të qeshur: “Disave nuk u pëlqeu që fole aq mirë për Pjetrin”. Pavarësisht se me të qeshur, fjalët e Ilirit kishin të vërteta brenda, disa prej të cilave i mësova më vonë, sigurisht jo të gjitha…

Krejt rastësisht, disa kohë para vendosjes së bustit të Pjetër Arbnorit, duke kujtuar ato vite tepër të vështira për ne si opozitë, Kryetari i sotëm i Kuvendit, Gramoz Ruçi, mbasi foli me respekt të veçantë për Pjetër Arbnorin, më tha se, së shpejti do të vendosim bustin e tij në oborrin e Kuvendit. Më erdhi shumë mirë sepse ai e meriton vërtet një nder të tillë. Por më erdhi shumë keq kur mësova se Partia Demokratike, Partia e tij, nuk kishte qenë dakord, madje përfaqësuesit e saj kishin ikur nga mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës kur do të diskutohej dhe do të vendosej për këtë problem, siç më erdhi shumë keq kur, nga një shkrim i Visar Zhitit, mësova se busti i tij ishte realizuar me konkurs para shumë vitesh, kur ai kishte qenë Ministër Kulture, por me urdhër nga lart, nga ata që drejtonin qeverinë dhe Partinë Demokratike, ishte hedhur diku në një qoshe magazine…

***

Emrin e Pjetër Arbnorit kam dëgjuar për herë të parë, mbas mitingut të madh që organizoi Partia Demokratike në Shkodër, në fillim të janarit 1991. Kishim dëgjuar që në krye të Partisë Demokratike të sapo krijuar ishin komunistë e bij komunistësh, madje edhe në Shkodër, dega e PD-në për Shkodrën ishte krijuar në shtëpinë e një ish oficeri…. Në këtë miting, thanë se kishte folur një shkodran, ish i burgosur polik që kishte kaluar afro 30 vjet burgjeve.

Ato 2-3 muaj të fushatës së zgjedhjeve të 31 marsit, në Shkodër flitej shumë për Pjetër Arbnorin, që tashmë ishte zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike për rrethin e Shkodrës…

Në zgjedhjet e 31 marsit 1991, në rrethin e Shkodrës, Partia Demokratike fitoi bindshëm dhe nga 19 zona, ajo fitoi në 16 ku sigurisht fitoi edhe Pjetër Arbnori. Partia e Punës (nga e cila, në qershor të atij viti, doli Partia Socialiste, siç kishin dalë edhe disa parti të tjera), fitoi vetëm në tre zona të Malësisë së Madhe, dhe një nder tre deputetët e zgjedhur isha edhe unë, madje i vetmi me banim në qytet, sepse dy të tjerët jetonin në Malësi të Madhe. Në atë kohë punoja në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, në seksionin e shkencës.

Atë ditë të paharruar të 2 prillit, kur në sheshin para Komitetit të Partisë kishte plasur pushka dhe nuk merrej vesh se ç’po ndodhte, një grup njerëzish, prej 6-7 vetash, po shkonin të takonin Kryetaren e Komitetit Ekzekutiv, Tereza Marubi. Rastësisht u ndesha ballë për ballë me ta në korridor. Njihja disa prej tyre dhe ata u ndaluan. Pavlin Radovani (në atë kohë drejtor i Ndërmarrjes Duhan Cigare) mbasi më njohu me Pjetrin, më tha se është vrarë Arben Broci, një inxhinier i ri i asaj ndërmarrje si dhe janë plagosur disa të tjerë… Atë ditë u njoha me Pjetrin.

Mbas ngjarjeve të 2 prillit, u vendos që të gjitha organet drejtuese të Partisë Punës në Shkodër të shkriheshin dhe të krijohej një Komitet Provizor për organizimin e partisë, ku unë u zgjodha kryetar. Më datë 6 prill, Kryetarja e Komitetit Ekzekutiv organizoi një mbledhje me drejtuesit e të gjitha partive, komuniteteve fetare, sindikatave etj. për masat që duheshin marrë për të përballuar situatën tepër të rendë që ishte krijuar në Shkodër. Më bëri përshtypje se në atë mbledhje nga Partia Demokratike kishin ardhur 5-6 vetë, dhe megjithëse Pjetër Arbnori ishte kryetar, gjatë diskutimeve, secili prej tyre përpiqej të fliste i pari…

Mbasi dolëm, u takova me Pjetrin dhe grupin që e shoqëronte dhe i propozova që, siç ishim, të shkonim të shkonim të pinim kafe dhe të bisedonim më konkretisht për hallet që kishte qyteti i Shkodrës. Më tërhoqi vëmendjen se Pjetri ishte dakord, por të tjerët nuk pranuan… Me që të nesërmen ishte e diela e parë, mbas vrasjes së katër Dëshmorëve të 2 prillit, i propozova Pjetrit të shkonim bashkë për ngushëllim në familjet të katër të vrarëve. Pjetri pranoi dhe mbasi lamë vendin dhe orën e takimit, u ndamë miqësisht…

Të nesërmen në mëngjes më mori në telefon Sekretari i kësaj partie dhe më tha që Pjetri nuk do të vijë sepse, nuk e kishin lejuar drejtuesit e Partisë Demokratike në Tiranë…

Më bëri përshtypje ky qëndrim i drejtuesve të Partisë Demokratike dhe fillova të dyshoja…  Me gjithë atë, me vete mendoja se kush e di se me kë kanë folur në Tiranë po përse duhej të pyesnin udhëheqjen e partisë për një veprim të tillë humanitar, siç është vizita për ngushëllim në rast vdekje, që Shkodra e ka për traditë si asnjë vend tjetër. Ç’është kjo parti që edhe për gjëra të tilla duhet pyetur udhëheqja e partisë?

Sesioni parë i Kuvendit të parë pluralist u hap më 15 prill 1991. Problemi i parë dhe kryesor ku u “kap” grupi parlamentar i PD-së ishin ngjarjet e 2 prillit në Shkodër, që praktikisht pengoi për disa ditë Kuvendin për t’u marrë me problemet e jashtëzakonshme që kishte Shqipëria në atë kohë. Diskutimet po vazhdonin pa fund dhe unë, pa u konsultuar me askënd propozova një mënyrë zgjidhje që u prit mirë nga të gjitha grupet parlamentare dhe problemi u zgjidh me konsensus, duke i hapur rrugën Kuvendit të vazhdonte punën normalisht.

Në pushim më takoi Pjetri dhe më përgëzoi për propozimin që bëra dhe shtoi se kështu si e kishim nisur nuk dihej kur do të mbaronin diskutimet…

***

Po afrohej 5 Maji, dita e Dëshmorëve të Atdheut dhe unë, përpiqesha të gjeja mënyra dhe rrugë për bashkëpunim me Partinë Demokratike në Shkodër. Ndërmjet të tjerash mendova që deputetët e të gjitha partive të shkonim në Shkodër dhe krahas familjeve të Dëshmorëve, grupe me deputetë të dy partive kryesore, të shkonim edhe në familjet e katër të vrarëve më 2 prill (në atë kohë nuk ishin shpallur dëshmorë).

Duke parë se Pjetër Arbnori ishte njeri me të cilin mund të merreshe vesh dhe të gjeje rrugë për bashkëpunim, fillimisht bisedova me të. Më mirëkuptoi dhe më premtoi se do të përpiqej të bindte të vetët për ta pranuar një propozim të tillë…

Nuk e di si u zhvilluan ngjarjet brenda PD-së, por u ra dakord që, më 5 Maj, të shkonim bashkërisht në Shkodër dhe të bënim vizita edhe në familjet e katër të vrarëve të 2 prillit. Pavarësisht nga situata e pakëndshme që krijuan disa grupe në Shkodër, ne bëmë vizita bashkërisht në disa familje dëshmorësh dhe në familjet e katër të vrarëve, gjë që u prit mirë, jo vetëm nga familjet e tyre por edhe nga opinioni në Shkodër…

Sipas një vendimi që muar në atë kohë, për të riorganizuar Komitetet Ekzekutive në rrethe sipas votave që kishin partitë në Kuvend, u takuam në Komitetin Ekzekutiv Shkodër për të ndarë postet drejtuese. Si zakonisht Pjetri vinte në takime me 5-6 vetë, që nuk linin njëri tjetrin të flisnin…

Edhe në këtë takim Pjetri u tregua i matur e dinjitoz. Pavarësisht ç’thoshin disa prej shoqëruesve të tij, ai me qetësi kërkonte ato pozicione drejtuese dhe ato seksione që i takonin Partisë Demokratike sipas votave që kishin marrë në Shkodër. U morëm vesh dhe arritëm marrëveshje të pranueshme për të gjithë.

Me qenë se në atë kohë, Kuvendi mblidhej çdo ditë, me Pjetrin, më së shumti takoheshim në Kuvend dhe kur kishim ndonjë problem, e diskutonim aty. Kisha dëgjuar se Pjetri ishte martuar, dhe kur e takova, e urova me gjithë zemër, por ai më tha se do të martohem të dielën tjetër dhe të kam çue ftesë.

Të dielën, sipas orarit të vizitave, i shkova në shtëpi për ta uruar. U krijua një skenë e çuditshmet për të pranishmit, që ishin jo pak. Unë komunisti prej afro 20 vjetësh shkoja për urim tek një njeri që komunistët e kishin mbajtur për rreth 30 vite burgjeve… megjithatë ishte një urim i sinqertë dhe njëkohësisht si një lloj ndjese për atë që e kishin mbajtur burgjeve pa bërë asnjë krim, por vetëm për bindje politike dhe sigurisht për biografinë e tij… Disa shkodranë që ishin aty e që më njihnin, shihnin herë Pjetrin, herë mua, dhe kush e di se ç’mendonin.

***

Në vjeshtën e vitit 1991, krimi kishte pushtuar Shkodrën. Ishte krijuar një situatë e jashtëzakonshme, dyqanet me ato pak mallra që kishin punonin deri në drekë, sepse mbas dreke e deri të nesërmen në mëngjes nuk dilte kush nga shtëpia. Në këto kushte mendova të organizonim një takim të përbashkët të të gjitha partive, sindikatave, shoqatave që kishin mbirë si kërpudhat mbas shiut, komuniteteve fetare etj. ku të ftonim njerëzit me emër në Shkodër, përfaqësues të disa familjeve e fiseve të nderuara etj. Fillimisht mendova ta bisedoja me Pjetrin.

E mora në telefon dhe nga ana tjetër m’u përgjigj një person që në Shkodër përflitej si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Sesi më erdhi mendimi, ky qenka futur në PD ose për të “larë gjynahet”, ose i futur (më vonë mësova se jo pak ish bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit ishin përfshirë në Partinë Demokratike, madje deri në organet drejtuese të saj e disa ishin zgjedhur deputetë…) Më lidhi me Pjetrin dhe i propozova të takoheshim mbas dy orësh para Kafes së Madhe, por shtova, do të takohemi vetëm për vetëm.

I propozova me qëllim që të takoheshim tek Kafja e Madhe sepse para dreke aty mblidheshin shumë njerëz (askush nuk punonte në atë kohë) dhe unë kisha si qëllim që të na shihnin bashkë. Mbasi u ulëm në tavolinë të gjithë kthenin kokën nga ne, dhe siç e kanë zakon shkodranët, filluan të porosisnin për ne kush konjak, kush fërnet apo raki, por as unë as Pjetri nuk pinim në atë orë. U krijua një situatë e pabesueshme për njerëzit, që u dukej çudi se si mund të pinin kafe bashkë kryetarët e dy partive “armike”, aq sa, shumë njerëz hynin nga rruga vetëm për të na parë të dyve bashkë sikur ne të ishim dy kafshë të egra pylli…

Kështu ishte Shkodra atëherë.

I propozova, ashtu siç shkrova më lart, për një takim të zgjeruar për t’i dalë zot të gjithë bashkë qytetit . Pjetri, jo vetëm e pranoi propozimin tim, por shtoi se mbas takimit që mund ta mbajmë në Teatrin Migjeni, të demonstrojmë në rrugët e Shkodrës bashkërisht, dhe në krye të turmës të jemi ne të dy, dhe më tregoi se kështu kishin vepruar një herë në Barcelonë. Megjithatë më tha se do ta bisedoj me udhëheqjen e Partisë në Tiranë dhe do ta diskutojmë përsëri.

Nuk më ktheu përgjigje asnjëherë, madje edhe kur më shihte në Kuvend, dukej se kishte zor dhe i shmangej takimit me mua. Nuk dinte se çfarë të më thoshte sepse dukej që drejtuesit e PD-së nuk e kishin aprovuar organizmin e një aktiviteti të tillë, për më tepër në bashkëpunim me Partinë Socialiste. Dukej haptazi se disa klaneve në PD u interesonte që Shkodra të mbetej vendi i krimit…

***

Kuvendi që doli nga zgjedhjet e 26 marsit 1992, zgjodhi Kryetar Pjetër Arbnorin, një zgjedhje tepër e goditur për shumë arsye. Që ditët e para u duk se ndonjë prej drejtuesve të PD-së nuk e donte Pjetrin, madje edhe e përçmonte. Ndoshta kishte pretenduar për vete për atë vend…

Ditët e para Pjetri ishte shumë i tensionuar, madje në momentin kur u bë deklarimi për zgjedhjen e Presidentit, ai, nga emocioni i propozoi Presidentit të ulej në vendin e tij, të Kryetarit të Kuvendit. Kur e kuptoi, tha “na falni se nuk i dimë këto punë”, por si njeri me vullnet e përkushtim për të kryer detyrën sa më mirë, ai i mësoi shpejt “ato punë”.

Megjithëse pa përvojë në poste drejtuese e në përgjithësi në administratë, ai duke pyetur dhe pa asnjë lloj kompleksi, duke u këshilluar me specialistë, brenda një kohe të shkurtër arriti të behej administrator i mirë , por kryesorja të mësonte artin e drejtimit të Kuvendit që për mendimin tim e ka mësuar dhe e ka bërë aq mirë sa duhet marrë si shembull…

Një ndër veprimet më të dëmshme e që mbetet një njollë e zezë në historinë e Partisë Demokratike e që i ka sjellë pasoja të pa llogaritshme Shqipërisë, pasoja që ndihen edhe sot, mbas shumë vitesh, ishte shkatërrimi i administratës së vjetër. Ajo që bëri Partia Demokratike me nenin e famshëm 24/1ishte e pashembullt dhe e pa parë në asnjë vend europian. Sipas PD-së ndryshimi i sistemit do të bëhej duke hequr njerëzit nga puna, specialistët më të mirë në të gjitha fushat, me pretekstin se i kishin shërbyer Partisë Punës e socializmit… U arrit deri aty sa të pushohej nga puna elektricisti i fshatit, punonjësi i gjendjes civile (mbaj mend u hoq një punonjës i gjendjes civile në Shkodër që dinte përmendsh pothuajse të gjithë regjistrat e familjeve e fiseve të Shkodrës e që e pushuan nga puna vetëm se vinte nga familje komunistësh), pa folë për specialistë të nivelit ndërkombëtar si Fahrudin Hoxha, Hysen Laçej etj. etj.

Mbaj mend një bisedë me Presidentin e Hungarisë, Arpad Gënc. Gjatë një takimi me të, në cilësinë e Kryetarit të delegacionit të Kuvendit Popullor, në shkurt 1993, pyetjes sime si kishin vepruar me administratën e trashëguar nga periudha e socializmit, ai m’u përgjigj: “Sjellja me administratën që trashëguam nga e kaluara ka qenë një ndër gabimet më të mëdha që kemi bërë. Kur erdhëm në pushtet ne i larguam në masë punonjësit e administratës së vjetër me pretekstin si kishin qenë komunistë ose u kishin shërbyer komunistëve, dhe i zëvendësuam me njerëzit tanë. Por shumë shpejt e pamë se puna nuk ecte. Në shumë institucione e qendra pune shtuam numrin e punonjësve, por puna ecte më keq. Madje në disa vende me rëndësi vumë deri në tre vetë në vend të një punonjësi që kishim në të kaluarën. E kuptuam gabimin dhe iu kthyem të vjetërve, atyre që kishin qenë dhe i propozuam të ktheheshin në vendet e mëparshme të punës, por një pjesë e mirë e tyre ishin punësuar nga kompani e firma të huaja, të cilave nuk u interesonte nëse kishin qenë komunistë apo i kishin shërbyer atij sistemi, atyre u i interesonte puna dhe ata e bënin punën shumë mirë. Ju këshilloj që ju mos ta bëni këtë gabim”. Ndërkohë në Shqipëri ishin pushuar nga puna mijëra vetë… “me aksion”, që fillimisht ishte eksperimentuar në Shkodër që në korrik të vitit 1991, sapo Partia Demokratike kishte marrë kryesimin e Komitetit Ekzekutiv pluralist siç u quajt në atë kohë.

Gjatë punës si ambasador i Shqipërisë në Pragë, në takim me Presidentin e nderuar të Republikës Çeke, Vacllav Havel, ndërmjet të tjerave ai më tha: “Ne u treguam tepër të kujdesshëm me administratën që trashëguam nga periudha e socializmit, nuk bëmë gabimin që bëri ndonjë nga vendet ish socialiste”. Ndërsa gjatë një bisede me Ministrin e Jashtëm te Republikës Çeke, duke folur për diplomatët që kishin trashëguar nga epoka e socializmit më tha se “Ne nuk larguam asnjë nga Ministria e Jashtme sepse ata ishin specialistë shumë të mirë, që kishin mbaruar shkolla të specializuara dhe kishin përvojë në fushën e diplomacisë”. Sa për shembull kujtoj se në periudhën kur kam punuar në Pragë (2002-2006), Republika Çeke kishte 13 ambasadorë, që jo vetëm ishin punonjës të Ministrisë së Jashtme të kohës së socializmit, por që kishin mbaruar studimet në Universitetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës, përfshi edhe ambasadorin çek në Tiranë… Shqiptarët e mbajnë mend mikun e vendit tonë Eduard Kukan, që ka ardhur disa herë në Shqipëri edhe për të pajtuar politikanët tanë… Ai është nga ata diplomatë çekosllovakë të periudhës së socializmit, që ka mbaruar studimet në Moskë, që ka qenë përfaqësues i Çekosllovakisë në OKB dhe mbas ndarjes së Çekosllovakisë, i Republikës së Sllovakisë po në OKB e më vonë Ministër i Punëve të Jashtme në disa qeveri.

U zgjata me shembuj për tu kthyer tek Pjetër Arbnori dhe neni i famshëm 24/1. Sigurisht Pjetri e drejtonte Kuvendin kur grupi parlamentar i PD-së aprovoi me zell të tepruar këtë nen famëkeq, por, kur erdhi puna për ta zbatuar në Kuvend, ai veproi krejtësisht ndryshe, madje në disa raste që i di unë edhe në kundërshtim me urdhrat që i jepeshin nga Partia për të larguar njërin apo tjetrin… Në kohën kur në shumë institucione, ministrat e drejtorët e PD-së pushuan nga puna deri pastrueset, Pjetri nuk largoi askënd nga administrata e Kuvendit. U mbajtën edhe ata që kishin punuar me Haxhi Lleshin e Ramiz Alinë në Presidiumin e Kuvendit Popullor, si ndihmës apo këshilltarë…

Pjetri ishte njeri me humor, madje me humor të hollë. Kam shumë kujtime nga bisedat me të sepse me që të dy vinim nga Shkodra , qyteti i humorit dhe shpesh herë flisnim me njëri tjetrin në mënyrën tonë, shkodrançe, por do sjell dy-tre shembuj.

Me krijimin e Organizatës të Persekutuarve Politikë, krahas të persekutuarve të vërtetë politikë, aty u turrën lloj-lloj horrash e hajdutësh. Sigurisht fajin e kishte Partia e Punës që, kur gjykatat i dënonin për vjedhje apo shkelje ordinere të ligjit, sipas parrudhës “degjenerimi moral sjell edhe degjenerimin politik” i fuste dhe një nen politik dhe tani, shumë prej tyre na hiqeshin si të persekutuar politikë, madje tepër aktivë në çdo aktivitet që zhvillonte PD-ja në Shkodër, dhe jo vetëm në aktivitete politike por edhe në krye të turmave për shkatërrimin e çdo gjeje që trashëguam nga socializmi… Për gjatë 15 vjetëve që kam punuar në Ndërmarrjen Ushqimore të Shkodrës (me rreth 2000 punonjës), si kryeinxhinier e drejtor, kisha njohur shumë prej tyre, disa prej të cilëve edhe i kisha këshilluar për tu kthyer në rrugë të mbarë, madje ndonjërin e kisha shpëtuar edhe nga burgu i dytë…

Mbasi u zgjodh Pjetri kryetar, shpesh gjeja tek dera e Kuvendit disa prej tyre që vinin ta takonin, sigurisht për t’i kërkuar ndonjë favor apo ndihmë. Një ditë, si duke qeshur i thashë: “Kryetar, kujdes me këta hajdutët shkodranë që vijnë të takojnë, se po na nxjerr namin e keq si Kuvend” dhe Pjetri, me atë humorin e hollë mu përgjigj “Janë hajna politikë mor zotni”.

Përgjigje e zgjuar dhe kuptimplote…

Një herë, kur ishim për vizitë në Moskë, na çuan në Bolshoj Teatër, në lozhën qendrore. Gjatë shfaqjes i them lehtë: “Kryetar, a e din se në atë karrige ku je ulur ka ndejë gjithmonë Stalini, prandaj kujdes se mos infektohesh…” Dhe ai ma ktheu se “do të ishin infektuar shumë të tjerë para meje, por megjithatë unë kam fituar me kohë imunitet në atë vendin …”.

Ndërsa kur po shkonim ne Gjermani për vizitë, në aeroportin e Vjenës, doganieri, mbasi i kaloi në kontroll çantën diplomatike, nuk e la të kalonte pa i hapur çantën. Unë me humor, i thosha “çoje mendjen te Isa Buletini në Londër, që gjithsesi e fshehu koburen”. Dhe Pjetri: “Po çfarë kobureje mor zotni, unë që nuk kam prekë pushkë me dorë kurrë në jetën teme, po unë aty kam një thikë bakri për peshqesh, që si duhet as dreqit gja.”

Loja me spiunë e bashkëpunëtorë Sigurimi ka qenë një ndër mënyrat më të ndyra për të nxirë e akuzuar kundërshtarët dhe kryesorja për t’u bërë presion atyre që vërtetë kishin qenë të tillë e për t’i nënshtruar në mënyrën më të pështirë. Ishte e zakonshme ato vite që të lexoje në gazeta e të dëgjoje lloj-lloj pseudonimesh. Por kjo lojë i jepte kurajë dhe material edhe opozitës të abuzonte me pseudonime e të akuzonte njërin e tjetrin. Është e vërtetë se deputetët e Partisë Socialiste ishin të pastër nga kjo pikëpamje, kështu që flitej e shkruhej pa asnjë rezervë, sepse dihej se bëhej fjalë për deputetë apo kuadro drejtuese të Partisë Demokratike… Madje më së shumti për ta shkruante shtypi i PD-së, ose i afërt me të, ku lufta për pushtet, për favore etj. bënte që segmente e lobe brenda Partisë Demokratike që ishin njohur me dosjet e tyre, të publikonin pseudonime, karakteristikat e bëmat e tyre…

Aq shumë ishte trashur zullumi, sa Partia Demokratike me pretekstin e zgjedhjeve në parti kishte eliminuar shumë prej atyre që kishin zënë poste drejtuese në degët e saj neper rrethe. Po ashtu kishin larguar edhe disa bashkëpunëtorë e spiunë që kishin zënë vende me peshë në administratën e shtetit… Problemi ishte me deputetët, të cilët nuk mund t’i hiqte para zgjedhjeve të vitit 1996.

Që me krijimin e Kuvendit, mbas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kishte kërkuar disa herë hartimin e një ligji për hapjen e dosjeve. Partia Demokratike që kishte shumicën absolute në Kuvend, me pretekste të ndryshme e shtynte nga koha në kohë. Dhe ja, në fund të vitit 1995 solli në Kuvend një projekt-ligj titulluar “Për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit, kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare”.

Pa u zgjatur me përmbajtjen e tij, qëllimi kryesor ishte eliminimi i të gjitha figurave kryesore të Partisë Socialist nga jeta politike dhe kryesorja nga pjesëmarrja në zgjedhjet për deputetët e Kuvendit Popullor që do të mbaheshin mbas disa muajve. Aq antidemokratik ishte ai projekt-ligj, që deputetët e PD-së e kthyen në ligj, sa ai u kundërshtua me forcë nga ndërkombëtarët si antidemokratik e që duhej shfuqizuar dhe që realisht u shfuqizua mbas pak kohësh…

Për diskutimin e aprovimin e këtij palo ligji u zhvilluan disa seanca, ku folën shumë deputetë. Diskutimet ishin tepër të zjarrta, me akuza e kundër akuza nga deputetët e të gjithë partive. Në fjalën time ndërmjet tjerave thashë:

“…Janë pikërisht ata që dje rekrutonin disa prej jush, ju vunë pseudonime dhe që sot, brenda apo jashtë SHIK-ut, me radio apo pa radio ju survejojnë ju e familjet tuaja, përgjojnë bisedat telefonike të deputetëve e deri të ministrave të PD-së. Nuk ka si shpjegohet ndryshe, që pak muaj mbas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, një deputet i PD-së, e përsëris i PD-së, akuzoi Kryetarin e Kuvendit Popullor, zotin Pjetër Arbnori të ketë qenë i tillë dhe të ketë spiunuar shokët dhe bashkëvuajtësit e tij, por e them tepër sinqerisht se më vjen shumë keq, që ata, që dje mund ta kenë futur në këtë batak (në qoftë se është e vërtetë) po ata i përmendin sot pseudonimin. Pse? Për presion , “për t’i zënë kokën me derë” si thotë populli, apo për të shpërfillur këtë Kuvend, që pothuajse unanimisht e zgjodhëm Kryetar.

A ia ka bërë ndonjëri prej jush vetes këtë pyetje, a është në interesin tonë si shqiptarë që Kryetarin e Kuvendit Popullor ta kemi ish bashkëpunëtor të Sigurimit . Unë nuk e kuptoj kurrsesi, sepse veprime të tilla janë antikombëtare, antishqiptare….”.

(Dua të vë në dukje se akuza ndaj Pjetër Arbnorit ishte përsëritur disa herë, madje një deputet i Partisë Demokratike, në një seancë plenare, në shenjë proteste dhe duke iu drejtuar Kryetarit me fjalë fyese e akuza, u afrua tek Kryesia e Kuvendit, shkelmoi dhe rrëzoi edhe foltoren e Kuvendit. Deputetët e asaj kohe i mbajnë mend mirë ato skena…. )

Sikur ta kishim bërë me fjalë me Pjetrin, sepse diskutimi im (pavarësisht se fillimisht e keqkuptoi) i dha shkas që të merrte fjalën dhe, ndërmjet tjerave, jo vetëm të mohonte se nuk kishte qenë bashkëpunëtor, por lexoi një letër (e gjetur në Arkivin e Shtetit) që ai, ia kishte dërguar në vitin 1964, Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi, Prokurorit të Përgjithshëm etj. ku denonconte falsifikimet e proceseve gjyqësore ndaj tij, dhunën e presionin e ushtruar në hetuesi e madje edhe gjatë kohës që ishte i dënuar me vdekje, falsifikimin e firmave të tij etj. Ishte viti 1964 kur ai denonconte këto veprime, dhe duhej guxim e kurajë për të paditur e akuzuar falsifikatorët (në letër ai përmendte me emër kush kishte falsifikuar firmën e tij) dhe dhunën e ushtruar ndaj tij. Dhe këto i vërtetonte me dokumente të asaj kohe.

Dua të vë në dukje se ishte ndër të paktët deputetë që u ishin përmendë më parë pseudonimet apo karakteristikat, që doli e mbrojti veten, me fakte e dokumente. Edhe ndonjë prej atyre që diskutuan, folën me fjalë të përgjithshme, madje ndonjëri e vuri theksin tek ata që i kishin rekrutuar dhe jo tek ata që kishin spiunuar shokët e tyre…

Për shumë arsye nuk dua të përmend emra, por për zgjedhjet e vitit 1996, shumë prej atyre që u ishin përmendë pseudonimet nuk u vunë në listat e kandidatëve për deputetë. Them shumë prej tyre, sepse nuk e di për të gjithë ata që nuk u përfshinë në lista, në se kanë qenë në të vërtetë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, sepse, më vonë, gjatë ngjarjeve të pranverës 1997, kur brenda PD-së plasi sherri, Presidenti, akuzoi me emër, si spiunë të Sigurimit të Shtetit disa që ishin ulur në karrigen e deputetit nga votat e vjedhura të 26 majit 1996…

Madje dy-tre prej tyre ish ministra të Qeverisë së Partisë Demokratike. Dhe këtë Presidenti e ka bërë hapur, në mbledhjet e Grupit Parlamentar, më 20 mars dhe 2 prill 1997.

Shqiptarët e dinë mirë si u vodhën votat në zgjedhjet e 26 majit 1996 dhe si u krijua ai i ashtuquajturi Kuvend. Partia Socialiste dhe shumë parti të tjera nuk e kanë njohur atë Kuvend, madje në Kongresin e saj, Partia Socialiste ka dalë me deklaratë për mosnjohjen e tij. Ndërmjet tjerave, krahas rënies së fajdeve, pikërisht aty duhen kërkuar edhe shkaqet që sollën ngjarjet tragjike të marsit të vitit 1997…

Unë kurrë nuk e kam njohur atë Kuvend, madje edhe kur duhej të shkoja aty si Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, gjeta një pretekst dhe nuk shkova. Mbasi Pjetri ishte zgjedhur Kryetar edhe i këtij “Kuvendi” e takova rastësisht, dhe mbasi e urova, i thashë me të qeshur “në qoftë se karrigen e Kryetarit të Kuvendit të mëparshëm e ke pas me thumba, këtë e ke me gozhda” dhe u ndamë miqësisht.

Gjatë punës si Ministër Mbrojtje, nga burime brenda Partisë Demokratike mësova se, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, më 5 mars 1997, kur “gjeneral” Gazidede, po bënte plane e përgatiste ShIK-un, Ushtrinë, policinë, paramilitarët dhe “vullnetarë” nga Veriu për të sulmuar Jugun, Pjeter Arbnori , ishte ngritur dhe i ishte drejtuar “gjeneralit” dhe grupit, me propozimin për të shkuar në Vlorë e biseduar me “rebelët”, madje kishte shtuar se “shkoj unë në Vlorë”. Dhe kishte vazhduar “Sepse dua që Vlora të çarmatoset pa luftë. Nuk dua që të vritet njeri. Shkoj unë në Vlorë. Çdo më bëjnë mua rebelët? Kurrgja”

Askush nuk ja kishte vënë veshin propozimit të tij, por kur e dëgjova dhe lexova ç’kishte propozuar Pjetri në atë mbledhje, mu shtua edhe më shumë respekti për të. Atëherë, nga informacionet që më vinin si Ministër Mbrojtje, dhe shihja çdo ditë hatanë që e kishte gjetur Shqipërinë, mendoja se sikur të kishin dëgjuar Pjetër Arbnorin, Shqipëria nuk do të përjetonte ato ngjarje të llahtarshme…

Një ditë, mbas një mbledhje të Këshillit të Mbrojtjes, Pjetri më thotë se do të më thërrisnin në Kuvend për të raportuar për situatën në ushtri. Unë, si me të qeshur, por me doza serioziteti i them, se ti e din se unë nuk e njoh atë kuvend, por, kur të ma bëni kërkesën zyrtarisht, do të vij për hir të Pajtimit Kombëtar (siç ishte dhe emri i qeverisë)

Kur shkova në “Kuvend” për të raportuar, gjithnjë duke i qëndruar mendimit tim se ai nuk ishte Kuvend i vërtetë, por i vjedhur, fjalën time e fillova “Zonja dhe Zotërinj”, në vend që ta filloja “Të nderuar deputetë” etj. siç ishte praktikë aty. Pjetri e kuptoi, dhe kur dolëm në pushim më tha “Kurrsesi nuk ta nxori goja t’i quash deputetë”, po mirë –vazhdoi- se shumica nuk e kuptuan. Shumë prej atyre që i kanë ulur në ato karrige të vjedhura nuk i kuptojnë këto gjëra – i thashë me të qeshur…

Pjetri ka punuar nën presion, madje do të shtoja “si në tenxhere me presion”. Për shumë gjëra ndërhyhej, urdhërohej, madje jo rrallë e vinin para faktit të kryer, dhe ai, jo gjithmonë kishte kurajën e duhur për të kundërshtuar. Por kishte mjaft raste që ai vërtetë rezistonte e mbante qëndrimin e duhur. Nuk do të zgjatem me shumë shembuj. Do të përmend vetëm rastin e drurit të arrës, për të cilin, muaj me radhë u bë zhurmë e madhe. Pa u zgjatur, akuzoheshin dy deputetë, ministrat Rexhep Uka (edhe zv/kryeministër) dhe Genc Rruli, për shkelje të ligjit, për eksportin e një sasie dru arre. Prokuroria kishte kërkuar nga Kuvendi që t’i hiqej imuniteti të dyve. Ishte krijuar mendimi se mbasi t’u hiqej imuniteti, ata i priste burgu, madje siç thoshin burime nga PD-ja, ata mund të arrestoheshin sapo të dilnin nga Kuvendi…

Më datë 16 mars 1995, u zhvillua një seancë e posaçme e Kuvendit, me diskutime të zjarrta nga deputetët e të gjitha grupeve parlamentare. Me qenë se, sipas disa deputetëve, Prokuroria e Përgjithshme e kishte formuluar kërkesën jo qartë, me korrigjime e madje me djallëzi, çka linte shteg për interpretime të ndryshme, që gjatë diskutimeve në Komisionin e Mandateve dhe Imunitetit ishin shfaqur mendime të ndryshme, pro e kundër, çka u pa edhe në diskutimet e shumë deputetëve.

Mbas diskutimit të një deputeti socialist, jurist nga profesioni, që argumentoi me logjikën e juristit se, kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm ishte jo e drejtë, e formuluar me gabime etj. , shprehu mendimin se, në qoftë se bëhet kjo, “do të ndodhë si në raste të tjera, që mbas heqjes së imunitetit, kanë ardhur  arrestimet”. Pjetri, që siç dukej dinte më shumë dhe nuk ishte dakord me atë çfarë mund të ndodhte më vonë, mori fjalën dhe në mënyrë kategorike tha:

“Sa për çështjen e arrestimit, unë si Kryetar i Kuvendit Popullor them që as deputeti Genc Ruli, as deputeti Rexhep Uka nuk do të arrestohen. Unë për vete do të jap dorëheqjen, po qe se do të arrestohen ata”.

Sigurisht që askush nuk e priste një qëndrim të tillë, që në radhë të parë i binte ndesh atyre që kishin urdhëruar… Dua të vë në dukje se gjatë atyre viteve ishin bërë shkelje, manipulime, mashtrime e vjedhje shumë më të mëdha që kapnin vlerat e dhjetëra e dhjetëra miliona dollarëve dhe askush nuk u kishte thënë gjë, madje vazhdonin edhe me ritme më të larta. Vlera prej 20 mijë dollarë për ta cilët akuzoheshin dy ministrat s’ishte asgjë në krahasim me 4-5 milionë dollarë që ishin vjedhur nga rikonstruksioni i hotel “TIRANA” (kaq kishte deklaruar zyrtarisht një ministër i Partisë Demokratike), me 7 milion dollarë nga skandali i çimentos etj. etj. dhe siç pata deklaruar në fjalën time në atë seancë: “Problemi i drurit të arrës është gjethe fiku për të mbuluar të tjerat”.

Duket dikujt i interesonte të bënte shembull këta dy ministra për të treguar se ja “ne luftojmë korrupsionin”, prandaj dhe Pjetri që dinte më tepër se ne të tjerët, mbajti atë qëndrim.

***

Pjetri dhe unë vinim nga familje që gjatë Luftës Nacional Çlirimtare kishin mbajtur qëndrime krejtësisht të ndryshme. Babai i tij kish qenë oficer i Milicisë Fashiste dhe, sipas dokumenteve, ishte vrarë në një përpjekje me partizanët, në qarkun Korçës. Babai im kishte qenë partizan që në vitin 1942, dhe Milicia Fashiste, së bashku me pushtuesit italianë i kishin vrarë vajzën, plaçkitur pasurinë, djegur shtëpinë, internuar familjen…

Ai asnjëherë, të paktën publikisht nuk i doli zot e nuk u përpoq të justifikonte kolaboracionizmin e babait të tij, si disa të tjerë, bij apo pinjollë të bashkëpunëtorëve të pushtuesit, ndonjë prej tyre edhe deputet… Pjetri nuk doli publikisht të deklaronte si disa të tjerë se, kolaboracionizmi i babait të tij ka qenë “kolaboracionizëm patriotik” (si është quajtur me ironi në Europë bashkëpunimi me pushtuesit), siç kanë bërë e bëjnë edhe sot disa prej bijve, pinjollëve e pasardhësve të tyre. Apo siç kanë shkruar disa prej tyre (që fatkeqësisht vazhdojnë të shkruajnë) se baballarët apo paraardhësit e tyre bashkëpunuan me pushtuesin se donin të luftonin komunizmin!…

Ne nuk u morëm asnjëherë me të kaluarën e baballarëve tanë, pavarësisht se të dy ia dinim biografinë njeri tjetrit. Ne e dinim mirë se ku na kishte çuar urrejtja për njëri tjetrin, njëri me biografi të “mirë” e tjetri të “keqe”, ku na çoi “lufta e klasave”, prandaj edhe nuk e hapëm atë temë asnjëherë e nuk diskutuam për të kaluarën e baballarëve tanë. Unë sigurisht krenohem me atë që ka bërë babai e familja ime gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, por nuk kam asnjë meritë për atë që kanë bërë ata, ashtu si Pjetri, që nuk kishte asnjë faj për atë që kishte bërë babai i tij. Të dy e kuptonim mirë se duhej parë përpara, drejt së ardhmes, që fëmijët tanë, e jo vetëm ata, por të gjithë shqiptarët, mos ta shohin më njeri tjetrin si armiq. Besuam vërtetë dhe e dhamë shembullin tonë, por fatkeqësisht nuk zuri aq vend sa deshëm ne…

***

Pjetër Arbnori ka qenë njeri si gjithë të tjerët, me të mirat e dobësitë, por unë shkrova disa nga kujtimet që kam për të, për ato vite që bashkëpunuam e punuam bashkë, ashtu si e kam njohur unë, sigurisht me qëllimin e mirë, për ta nderuar këtë figurë, që për mendimin tim meriton shumë. Vërtet ne kemi qenë kundërshtarë, madje kundërshtarë të ashpër politikë dhe jo çdo gjë ka shkuar vaj midis nesh. Shumë herë jemi zënë, dhe për shumë të këqija që u bënë në ato vite në Shqipëri, unë e kam akuzuar ballë për ballë, por edhe publikisht. Kemi ngritur tonin, jemi grindur duke mbrojtur secili të vetën, por kurrë, në asnjë rast nuk kemi kaluar në fjalë të rënda, sharje e për më tepër në ofendime, siç dëgjojmë këto vite disa deputetë që shahen me libër shtëpie si rrugeçër …

Në disa seanca tensioni ngrihej në shkallën më të lartë e në çdo rast, Pjetri përpiqej të qetësonte situatën, dhe asnjëherë nuk foli “për thyerje kafkash” apo “për nxjerrje jashtë për zhelesh të deputetëve kundërshtarë”… Sa herë shihte që situata mund te dilte jashtë kontrollit, ndërpriste seancën deri sa të uleshin gjakrat.

Vërtetë Pjetri ishte kundërshtar i ashpër i Partisë Socialiste, por në asnjë rast ai nuk ofendoi apo fyeu deputetët e saj, madje i respektoi, i trajtoi si të barabartë me deputetët e tjerë. Por edhe përfaqësuesit e saj në Kuvendin e atyre viteve, nuk linin shkas sepse ishin një grup, që për mendimin tim, për nga formimi, profesionalizmi, kultura, ndershmëria, idealizmi, fryma e bashkëpunimit, aftësia për të debatuar etj. do të mbetet Grup Parlamentar model e shembull, për të gjitha Kuvendet dhe që e respektoi dhe u soll me korrektësi e dinjitet me Pjetër Arbnorin.

Ndërmjet tjerave, edhe sjellja e tij ndaj deputetëve të Partisë Socialiste, bënë që pikërisht përfaqësuesit e saj, socialistët, vendosën përjetësimin e figurës së tij, duke vendosur bustin e tij në oborrin e Kuvendit, që sa ishte Kryetar, e drejtoi me njerzillëk, seriozitet e korrektësi.

Dita