Piramidat legjendare të Egjiptit, Nili i famshëm biblik dhe Arnaut Mehmet Ali Pasha

Jovan Jano (studiues dhe publicist)

Udhëtari që viziton Egjiptin, sapo shkel këtë vend mbërthehet nga një mori emocionesh, të cilat nuk besoj se i përjeton në ndonjë vend tjetër. Shkretëtira e pafund, Nili gjigand, piramidat dhe misteri i ngritjes së tyre, statuja mbinatyrore e gdhëndur në gur, e Sfinksit të madhërishëm, Muzeu Kombëtar Egjiptian dhe misteri i balsamosjes së mumjeve, qytetet e lashta kolosale të Karnakut dhe të Luksorit (Tebës), të ndërtuara 3000 vjet para erës së re dhe Lugina e Mbretërve, në galeritë e të cilës gjenden me dhjetra nekropole që shtrihen në bregun perëndimor të lumit Nil, të gjitha këto janë befasuese dhe impresionuese për atë vizitor që ka lexuar e dëgjuar për historinë e lashtë e tronditëse të këtij vendi.

Lugina pjellore e Nilit, historikisht, ka ushqyer popullin e Egjiptit, ndërsa shkretëtirat që e rrethojnë atë nga të gjitha anët e kanë mbrojtur nga sulmet e popujve fqinjë. Në epokën e Mbretërimit të Parë, Egjipti u bë një shtet shumë i fuqishëm ushtarak, që diti, jo vetëm të sprapste armiqtë e vet, por edhe të drejtonte ekspedita për thesare në lindje nëpërmjet gadishullit të Sinait dhe në jug nëpërmjet rrjedhjes së lumit Nil, arrinin në Nubinë e pasur përrallore, nga ku karvanet ktheheshin në Egjipt të ngarkuara me flori, fildish dhe pas tyre, të lidhur ecnin të cfilitur mijëra skllevër nga Nubia e minierave të floririt.

Sipërfaqja e Egjiptit është e madhe mbi një milion e ca kilometra katrorë, ku 96% e saj është shkretëtirë dhe vetëm 4% është tokë e punueshme në të cilën është përqëndruar popullësia. Dhe kjo sipërfaqe e punueshme është lugina e Nilit me të dy brigjet e saj. Këtu janë vendosur prej shumë shekujsh qytetet dhe fshatrat. Këtu janë monumentet madhështore të lashtësisë etj.

Në Egjipt sundon klima e nxehtë dhe e thatë. Temperatura në verë, jo rrallë, ngrihet më lartë se +40 gradë celcius, sidomos në Luksor, Karnak, Assuan e më në jug. Ekzistojnë dy stinë: vera dhe dimri. Në dimër temperatura lëkundet nga +10 deri + 20 gradë celcius. Shirat këtu janë dukuri jashtëzakonisht të rralla dhe ato zakonisht bien në dimër në deltën e Nilit ku tipi i klimës është mesdhetare dhe temperaturat janë të buta. Një herë në vit bie shiu në Egjipt. Prandaj për egjiptianët Nili është gjithçka. Ky lum jo vetëm që i jep jetë këtij populli e këtij vendi, por ai është edhe një muze i gjallë, nga ku lashtësia ia bën me sy civilizimit të sotëm. Dhe muze gjigantë gjenden në të dy anët e bregut të Nilit: nga Giza e Piramidave e deri në Memfis dhe nga Memfisi në Karnak, Luksor e në Assuan, atje ku prej 5000 vjetësh qëndrojnë ende në këmbë dy Kollosët e Memnonit, Obelisku i Luksorit dhe kollonadat e tempullit të Amonit.

Në Egjipt gjithçka është e madhërishme, kolosale, gjigante: që nga Piramidat e gjeri tek vetë lumi Nil dhe shkretëtira e pafund.

Pasi e ke parë mirë Egjiptin, të krijohet bindja se qytetërimi i njerëzimit ka filluar pikërisht, këtu. Kjo bindje forcohet kur mëson se mjaft gjera të realizuara në qytetërimin e lashtë të këtij vendi, sot nuk gjejnë dot shpjegime. Por do ta lëmë lashtësinë e do të vijmë shumë shekuj më pas, kur ky vend i lashtë ishte i gjithi në dorën e një shqiptari Mehmet Ali Pashës.

Një nga gjërat më të bukura, që mund të realizojë një turist i huaj, në Kajro, është edhe vizita në Kështjellën e Kadivit me prejardhje gjenetike shqiptare, Mehmet Ali. Për këtë figurë me dimensione botërore kisha lexuar shumë. Qofshin enciklopeditë ruse, qofshin studimet e Dora d’Istrias, të Fan Nolit, të profesor Aleksandër Xhuvanit, për mua kishin krijuar një tablo të qartë rreth personalitetit të tij. Dhe mbi këtë bazë njohjeje dhe të tjera kësisoj, unë kam shkruar në disa organe shtypi për të.

Kur hymë në kështjellë seç ndjeva një emocion disi të veçantë. M’u duk sikur po shkelja në Kalanë e Beratit, në atë Krujës, Rozafës… sikur po ecja në malet shkëmbore të Shqipërisë dhe përfytyrimi i luftës kundër osmanëve më fanitej sikur të ndodhesha para një filmi tredimensional.

Kështjella e Mehmet Aliut përbëhej nga një kompleks ndërtesash shumë të bukura nga pikëpamja ndërtimore dhe arkitekturore dhe vizitori gadi hutohet nga mjeshtëria e ndërtimit, nga përsosmëria simetrike e gjithçkaje funksionale e këtij ansambli gjigant muzeal, ku harmonizohet në mënyrë befasuese arkitektura e kohës me ndriçimin; pikturat, gdhëndjet në dru me praninë e floririt të Nubisë.

Ciceroni, një burrë i apasionuar pas historisë interesante të vendit të vet, por edhe nje mehmetaliolog i aftë na tregoi se kjo kështjellë përbëhet nga xhamia e Mehmet Aliut, nga rezidencat e familjes mbretërore dhe të gjitha këto sëbashku përbëjnë ansamblin muzeal të Kadivit të madh të Egjiptit.

Nga cicëroni mësuam se është dashur 23 vjet për ta ngritur xhaminë dhe ajo përfundoi tre vjet pas vdekjes të Kadivit. Minarja e saj ishte 80 metro e lartë. Trashësia e mureve të xhamisë ishte 2.5 m. Në një kënd të xhamisë së mrekullueshme, madhështor, ndodhej mauzoleu i Mehmet Aliut. Projekti i saj ishte marrë në Stamboll dhe ishte një sozi e njërës prej xhamive më të bukura të metropolit turk. Cicëroni na tregon gjithashtu se kryeqyteti i Egjiptit, Kajro, në kohën e sundimit të Mehmet Aliut kishte 150 mijë banorë, ndërsa tani ka 17 miljonë banorë.

Në kujtesën e popullit egjiptian, Mehmet Aliu ka mbetur si një pasha i madh e i drejtë, trim e zemër mirë dhe si një burrë shteti shumë i aftë. Ai nuk njihet vetëm si një themelues i shtetit modern egjiptian, por edhe si një udhëheqës largpamës që e lidhi Egjiptin me Europën dhe vecanërisht me Francën; që e emancipoi vendin nga pikëpamja politike, ekonomike dhe kulturore. Kjo histori filloi kur Egjipti u pushtua nga francezët e Napolon Bonapartit në vitin 1789, për afro tre vjet. Në këtë kohë njohja me arritjet teknologjike perëndimore zgjoi tek egjiptianët synimin për t’u modernizuar.

Dhe hapjen e parë e bëri njeriu me prejardhje gjenetike nga Zëmblaku i Korçës, Mehmet Aliu, ky gjeneral i ushtrisë otomane që komandonte dhe drejtonte Egjiptin. Në vitin 1805, kur u shpall zëvëndës mbret, ai përsosi sistemin e bujqësisë dhe ndërtoi fabrika tekstili duke përpunuar pambukun që eksportohej në Europë.

U ndërtuan gjithashtu kantire për ndërtimin e anijeve dhe fabrika armësh. Në veprimtarinë e vet politike dhe ushtarake Mehmet Aliu i vuri qëllim vetes që ta zhvillonte Egjiptin, të mbronte kulturën e tij dhe popullësinë e thjeshtë egjiptiane nga varfëria, nga shfrytëzimi i pamëshirshëm dhe nga sëmundjet. Ndërsa tregëtarët ai i shpëtoi nga grabitjet e mercenarëve të  pasuruar në kurriz të popullit e që quheshin mamlykë. Mamlykët iu bënë ferrë në këmbë Mehmet Aliut dhe popullit. Shpesh ata rebeloheshin të organizuar kundra Mehmet Aliut, sepse ai nuk u jepte poste në qeveri.

“Ka mbetur proverbiale, por është e vërtetë, – tregon ciceroni i muzeut – që një herë mamlykët dërguan një delegacion tek Mehmet Aliu për t’u marrë vesh me të. Mehmet Aliu u tha atyreve se nuk duhet t’i zgjidhim problemet me dhunë, por me bisedime e me marrëveshje. Por edhe pas kësaj mamlykët nuk vunë mend. Atëhere ai ftoi në Kështjellën e vet për “gosti” 467 krerë të mamlykëve nga i gjithë Egjipti dhe u tha: “Ju kam thirrur që sëbashku të hamë një darkë. Nderi më i madh që iu kam bërë sonte është që secili nga ju ka nga një ‘kamerier’…”.

Mehmet Aliu i kishte menduar mirë punët. Ai me ushtarë besnikë, që të gjithë shqipëtarë, kishte rrethuar kështjellën dhe në sallën e madhe të gjithë “kamerierët” ishin gjithashtu shqiptarë besnikë të armatosur e me thika të mprehta, ku secili nga “kamerierët” qëndronte prapa shpinës së çdo mamlyku.

Pashai dinak dha sinjalin nga vendi kryesor ku ishte ulur duke ngritur dorën lart. Në këtë moment, “kamerierët” nxorën thikat dhe menjëherë u therën 466 mamlykë, nga të cilët shpëtoi vetëm njeri. Kur ia treguan largimin e një mamlyku Pashait, ai u tha rojeve: “Mirë bëri që iku pa u therur sepse nëpërmjet tij do të përhapet haberi në radhët e tyre”.

Që nga ky moment Mehmet Aliu gëzoi pa masë dashurinë e egjiptianëve të thjeshtë dhe sidomos të tregtarëvë duke konsoliduar njëkohësisht edhe pushtetin e vet.

Nga xhamia ne hymë në një mjedis tjetër shumë interesant. Ishte rezidenca e familjes mbretërore të Mehmet Aliut që e drejtoi këtë vend 150 vjet. Shohim në një dhomë të mobiluar bukur sipas stilit rokoko, i ulur këmbë kryq Mehmet Aliu dhe në krah të tij këshilltari dhe përkthyesi duke pritur popullin e thjeshtë në zyrën e tij. Sipas të dhënave të këtij muzeu, Pashai një herë në tre muaj priste popull në kështjellë dhe ua zgjidhte hallet. Kjo bëri që besimi për të në popull të rritej tej mase. Po ashtu ai mbante përkthyes, sepse nuk mësoi mirë arabisht. Ai fliste shqip dhe i shkruante fjalët shqipe me gërma turke.

Pas vrasjes së mamlykëve ai vendosi në vend një qetësi absolute. Nga lagja e bukur në zemër të Nilit, në ishull, Mehmet Aliu i përzuri familjet e mamlykëve grabitqarë dhe instaloi familjet e shqipëtarëve me të cilët erdhi në pushtet. Lagjes i vuri emrin e fshatit Zemblak të Korçës (Zemalek), pasi shumica e shqiptarëve ishin nga ky fshat.

Gjatë guidës në muze shohim lidhjet e tij me oborret mbretërore të Europës, dhuratat e shtrenjta dhe mënyrën e tij të jetesës. Pastaj në pavione të tjerë del para nesh i pikturuar, i biri, Ismail Pasha, një njeri mjaft i zoti dhe ende i respektuar në Egjipt. Pas vdekjes së Mehmet Aliut, reformat në Egjipt i vazhdoi Ismail Pasha, me emrin e të cilit njihet edhe hapja e Kanalit të Suezit në vitin 1869.

Një nga gjërat më interesante në këtë muze ishte dhe një pikturë e gjinisë së portretit, kushtuar nipit të Mehmet Aliut, Fuad Pashës, që erdhi në pushtet në vitin 1922 dhe sundoi me ndihmën e anglez ëve në këtë vend deri në vitin 1936.

Unë edhe pse i dua pikturat, nuk jam ndonjë specialist i dalluar për to, por si adhurues i tyre mund të them se ky punim i bërë para 90 e ca vjetësh është unikal në botë përsa i përket teknikës së realizimit. Ishte vepër e një piktori hungarez, i quajtur Lazlos. Nga çdo kënd që mund ta shihje, kjo pikturë dukej, njëlloj. Për mendimin tim dhe të përshtypjeve të të huajve të tjerë, ishte një lloj Xhakonde egjiptiane.

Pavioni i fundit i kushtohej mbretit të fundit të dinastisë së shqipëtarëve, Farukut. Këtu u informuam që një motër e mbretit Faruk ishte martuar me shahun e Iranit, Rehza Pahlevi.

Nga kështjella shpalosej një pamje mjaft spektakolare e lagjeve të Kajros. Midis luksit të madh, pranë tij dhe mizerja. Krahas ndërtesave vertikale të xhamta duke përfshirë edhe hotelet luksoze vertikale të tipit “Sheraton”, të ngritura në të dy anët e lumit të madh, jo larg tyre ishin të pranishëm edhe varre të lashtë mbretërish, sulltanësh, pashallarësh. Dhe mbi to, si për karshillëk, dremiste mjerimi ekstrem, varfëria pa dinjitet, njerëzit pa shpresë e të dëshpëruar, ata që na thoshnin me naivitet se “allahu mendon se duhet të jemi të varfër tani, ndërsa të pasurit do të bëhen të varfër njëherë tjetër”.

E vetmja gjë që më trishtoi në këtë vend të paharruar qenë pikërisht këta njerëz të mjerë, që flinin gadi mbi varret e vjetra të të pasurve, nën qiellin gri të Saharasë nën afshin e ngrohtë të shkretëtirës të përzjerë me pak fllad nga Nili legjendar. Duket si një metaforë, por është një realitet.

Në artikullin “Panhelenion, Dora d’Istria bën fjalë për veprimtarinë e këtij shqiptari të madh si sundimtar i Egjiptit, i lidhur ngushtë me tregtarët francezë të qytetit të Lionit. “Mehmet Aliun, – shkruan autorja, – e mbërtheu një pasion i tillë për Francën sa mund të thuhet se Rilindja e perandorisë së Faraonëve të lashtë, është pasojë e një aleance franko – shqipëtare.”

Mehmet Aliu është një shqiptar i pranuar nga të gjithë studiuesit e huaj seriozë të historisë së Egjiptit. Ishte njeri me energji dhe vullnet të rrallë, i gatshëm për ta nxjerrë Egjiptin nga letargjia lindore aziatike, e cila kishte kohë që e kishte pllakosur.

Në vitin 1804 Mehmet Aliu arriti të vërë në duar pushtetin shtetëror, me një repart trimash shqipëtarë, akt ky, që me hir apo me pahir, u njoh nga Sulltani. Konsulli francez pranë Mehmet Aliut, Mourriez, shkruan: “E pyeta një ditë Mehmet Aliun pse aq shpesh ai thoshte se ishte shqiptar. Ai m’u përgjigj se i tillë ishte dhe fliste gjuhën shqipe. A nuk e kishin dëgjuar t’u fliste rojeve të tij… shqiptar jam e shqiptar do vdes, ndonëse u përpoqa të bëhem egjiptian i mirë.”

Mehmet Aliu ishte i bindur nga pervoja e gjatë historike se mamlykët, si repart ushtarak sundues, qenë bërë pengesë e pakapërcyeshme për zhvillimin e vendit dhe, rrjedhimisht, qenë kthyer në një burim të rrezikshëm anarkie.

Në mars të vitit 1811 ai i qëroi hesapet njëherë e mirë me ta. Ndërsa sipas Fan Nolit gjatë periudhës së sundimit të Mehmet Aliut u bënë zbulime me vlera të mëdha shkencore e kulturore. Për herë të parë gjeografët egjiptianë arritën të bënin një hartë të Egjiptit modern, në të cilën vendi dhe popullësia paraqiten shkencërisht.

Inxhinjerët egjiptianë në kohën e Mehmet Aliut bënë përpjekje të mëdha për të hapur kanalin e Suezit, përpjekje, e cila njëherë e përgjithmonë përfundoi me punën dhe mendjen e inxhinjerit francez, Leseps. Napoleon Bonaparti dhe Marieti dhanë ndihmesë të muar për egjiptologjinë. Bashari zbuloi bëri zbulime edhe më të mëdha.

Në vitin 1791 ai gurin e famshëm të Rozetës dhe tre mbishkrime në gjuhët greke egjiptiane hierografike dhe në gjuhën egjiptiane popullore. Shampolioni zbuloi çelsin e alfabetit hierografik. Si rrjedhim i këtyre zbulimeve “vetë Egjipti”, – shkruan Fan Noli, – u kthye nga kultura dhe shkenca franceze… Dhe e tërë kjo veprimtari u krijua nga sundimtarët frankofilë të Egjiptit e në veçanti nga Mehmet Aliu dhe i biri, Ismail Pasha” –  përfundon Noli.”

Mehmet Aliu, sikundër edhe Napoleon Bonaparti, e vijoi misionin qytetërues me shkencëtarë, studiues dhe specialistë francezë. Në shkrimet e Nolit për figurën e Mehmet Aliut shpjegohet edhe shkaku që e detyroi atë të luajë një rol qytetërues në Egjipt. Fan Noli thotë se “Mehmet Aliu ishte vërtetë fetar, por aspak fanatik, dhe ky fakt vendimtar e bënte të hapur ndaj ideve perëndimore, sepse prej fanatizmit nuk vjen asgjë e mirë. Mendim ky i shkëlqyer, i vërtetuar plotësisht nga historia dhe i hedhur tej me neveri nga iluministët francezë të shekullit të 18-të dhe nga vetë revolucioni francez”.