Petrit Palushi dëshmon përmes fakteve dhe dëshmive: “Dënimi i dytë – ridënimi i Havzi Nelës”

Tek Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (KSBE), H. Nela shihte me plot besim dritën e frymës së re europiane, të mirëkuptimit e bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve. Aty, nëntokë, H. Nela i shihte fijet e dritës që vinin prej asaj Konference, që tashmë ka zënë vend plot shkëlqim në histori, ndërsa mbi tokë, propaganda e sistemit në fuqi e anatemonte KSBE-në si të keqen e madhe për Europën.
Me 3 Korrik 1973 – it, përfaqësues të 35 vendeve pjesëmarrëse të Evropës, së bashku me Rusinë dhe SHBA-në u tubuan në Helsinki në Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (KSBE).
Qe nisma e parë për një Europë krejt ndryshe, një Europë pa luftëra, por vetëm drejt paqes.
Me 21 Korrik 1975 vendet pjesëmarrëse të KSBE-së nënshkruan Aktin Final të Helsinkit. Sipas shkrimtarit dhe studiuesit K. Morina “Riafirmuan angazhimin për paqe, siguri, drejtësi dhe bashkëpunim të mëtejshëm mes shteteve, respektimin e sovranitetit të çdo shteti pjesëmarrës, heqja dorë nga kërcënimi apo përdorimi i forcës nga shtetet pjesëmarrëse, paprekshmëria e kufijve, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve, mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve, respektimin e të drejtave të njeriut dhe liritë themelore, përmbushja në mirëbesim e obligimeve sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, të drejta të barabarta dhe vetëvendosje të popujve, etj.”
Ndërkohë, në qelinë e Rrëshenit, një javë më vonë (28 korrik 1975), H. Nela merrte aktakuzën, ku ndër të tjera akuzohej se “Duke folur për Konferencën e Sigurimit Europian u ka thënë se kjo është në dobi të të gjithë popujve, se do të sigurojë popujt nga luftërat, do të bjerë zhvillim të madh kultural, shkencor, ekonomik, etj., dhe se pamvarësisht se Shqipëria nuk merr pjesë në këtë konferencë, kjo përfundimisht do të detyrohet nga fuqitë e mëdha për t’iu nështruar vendimeve të saja dhe si përfundim diktatura e proletariatit në fuqi do të marrë fund, etj.”
Bash n’ato ditë, në qeli-zgafellën ku e kishin ndry, në poezinë “Fryma e Helsinkit”, poeti H. Nela i këndonte Konferencës së Helsinkit, mirëkuptimit dhe paqes njerëzore, ndërsa Shqipëria e asokohshme po shkonte hijerëndë, plot këndellje dhe me duartrokitje drejt mbylljes së plotë fatale:
Kështjella feudale tundet e lëkundet
Si nji varkë e thyeme mbi valët përkundet;
Tirani mizor me detin sot po mundet
Thellë, gjithnji ma thellë n’mes dallgëve po futet.
Fryma e Helsinkit u derdh porsi era
Na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera.
Këtu, në votrat tona futi gaz e shpresë
Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do vdesë.
H. Nela qe i pari poet në Shqipëri, por ndoshta dhe n’Europë, i cili i ndrymë në qeli i thurte vargje plot dritë Konferencës së Helsinkit, por ndërkohë edhe si njeriu i prangosur që përpiqej me aq besim e shpresë të përcillte tek bashkëvuajtësit vendimet e saj.
Më vonë, tek vuante dënimin në kamp-burgun e Qafë-Barit, me 5 shkurt të 1983-it do t’i kthehej sërish kësaj teme në poemën “Konferenca e Helsinkit”. Në fund të poemës gjendet shënimi:
“Kjo poemë që unë e ruej akoma në mendje, mendoj se asht ma e mira nga këto që kam krijue në burg dhe që i ve vulën periudhës 40-vjeçare në Shqipni. Ka mbrendë epikë dhe satirë, por ma tepër përmban gjendjen e mjerueme të popullit shqiptar dhe terrorin e egër që ushtrohet mbi të dhe demaskimin e hapun që i bahet sistemit politik të kohës nëpërmjet demaskimit që u bahet udhëheqësve të sotëm shqiptarë; të atyne që vdiqën dhe atyne që janë gjallë. Shtylla qëndrore e urrejtjes dhe e demaskimit tim qëndron Hoxha. I lutem atij që do të mund t’ia dorëzoj dhe që nuk di se kujt mund t’ia dorëzoj, të m’i ruejë me shumë kujdes dhe asnjiherë të mos i mbajë pranë vetes”.
Edhe pas daljes nga burgu, H. Nelës s’iu shua besimi se në një kohë t’afërt Shqipëria do futej në Bashkimin Europian dhe me një besim të zjarrtë se ky organizëm do bënte ç’është e mundshme që Shqipëria të shkëputej prej sistemit të tiranisë.
Sipas një dëshmie, në dhjetor të 1986-s ai thoshte:
“Sa për Enver Hoxhën, balta e zezë shumë shpejt ka me ia mbulue emnin, edhe në rast se ia përmendë kush, ka me ia përmendë me përbuzje. Punët janë për mirë. Ky regjim do të përmbyset fort shpejt. Krejtekrejt, po e ka rrëzue për tokë ekonomia e dobët. Nji skamje me të trishtue. Shumë ma keq se para vitit ’67 kur kam hy në burg. Do të hyjmë shpejt në Bashkimin Evropian. S’do ketë ma kufij, por do jenë vetëm formalë. Edhe në Kosovë kemi me hy shpejt lirisht”.
Prej vitit 1975, kur H. Nela shfaqte besimin e plotë te KSBE (sot OSBE), do duhej një rrugë e gjatë derisa Shqipëria t’avitej aty, pikërisht mbas rrëzimit të sistemit të tiranisë. Pranimi i saj u realizua vetëm gjatë punimeve të Këshillit Ministror të Berlinit (19-20 qershor 1991) dhe e nënshkroi Aktin Final të Helsinkit më 16 shtator 1991, ndërsa Kartën e Parisit për një Evropë të Re me 17 shtator të 1991 – it.
Më heret, në poemthin “Eni të vajtojmë Shqipnin”,13 H. Nela kishte shkruar:
“Asht vallja e re, krejt ndryshëm nga tjetra,
Asht vallja hirplote që i shëron plagët e vjetra!”