Peter Bergen & David Sterman: Takimi i 1988-ës që i dha formë botës ku jetojmë sot

Nga Peter Bergen & David Sterman*

Në gushtin e vitit 1988, 9 persona u takuan në shtëpinë e Osama Bin Ladenit në Peshauar të Pakistanit, për të krijuar një grup që do të luante një rol dramatik në formësimin e Shteteve të Bashkuara të shekullit XXI-të. Ata e quajtën grupimin Al-Kaeda, që në gjuhën arabe do të thotë “baza”.

Si rezultat i aktiviteteve të saj terroriste, SHBA-ja do të përjetonte sulmin më vdekjeprurës të ndërmarrë ndonjëherë në territorin e saj, do të fillonte një luftë që po zgjat tashmë prej 17 vjetësh, do të shpenzonte rreth 2.8 trilionë dollarë për të mbrojtur veten nga sulmet e mëtejshme, sipas një raporti më të fundit të Qendrës Stimson, dhe do të shihte një ndryshim thelbësor të politikave të saj.

Në vazhdën e atij takimi themelues, dokumentet e Al-Kaedës tregojnë, se “puna e organizatës filloi më 10 shtator 1988”, pra 30 vjet më parë. Muajin e shkuar u mbushën 20 vjet, qëkur Al-Kaeda bëri përpjekjen e saj, për të treguar se synonte një lufte globale kundër Shteteve të Bashkuara, kur bombardoi ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani, duke vrarë 224 njerëz.

Ndërkohë 17 vjet më parë, Al-Kaeda vrau 2.977 njerëz në Shtetet e Bashkuara. Përkundër sfondit të kësaj historie dhune, cili është kërcënimi që nderet sot për Shtetet e Bashkuara nga ana e terroristëve xhihadistë? Në një raport të ri, think-tanku “New America”, zbulon se që nga sulmet e 11 shtatorit, kërcënimi xhihadist ka ndryshuar shumë.

Që nga ajo ditë tragjike, Al-Kaeda nuk ka drejtuar me sukses asnjë sulm vdekjeprurës brenda Shteteve të Bashkuara. Dhe asnjë organizatë tjetër terroriste xhihadiste. Ky përfaqëson një sukses të madh në përpjekjet e Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit, që nga sulmet e 11 Shtatorit. Pak analistë në muajt dhe vitet pas sulmeve, do të kishin parashikuar se Shtetet e Bashkuara, do të ishin kaq të suksesshme në shmangien e sulmeve.

Falë punës së madhe të agjencive të zbatimit të ligjit, shërbimit të fshehtë dhe ushtrisë, si dhe ndërgjegjësimit më të madh të publikut, kërcënimi ndaj atdheut është sot shumë më i kufizuar se sa ishte më 11 shtator 2001. Por kjo sigurisht ka ardhur me një kosto- triliona dollarë shpenzime, masa të paprecedenta të sigurisë në aeroporte dhe vende publike, si dhe një debat i nxehtë publik mbi emigracionin dhe zbatimin e ligjit.

E megjithatë, Shtetet e Bashkuara, po përballen sërish me një kërcënim të ri dhe të ndryshëm xhihadist:individë të motivuar nga ideologjia xhihadiste, por pa një drejtim operacional nga një organizatë terroriste e huaj. Individë të tillë, kanë kryer 13 sulme vdekjeprurëse, duke vrarë 104 njerëz në Shtetet e Bashkuara që nga sulmet e 11 shtatorit, sipas hulumtimit të ”Neë America”.

Rritja e fraksionit të shkëputur të Al-Kaedës, ISIS, e çoi këtë kërcënim në një nivel të ri.

Treçereku i njerëzve të vrarë nga ekstremistët xhihadistë në Shtetet e Bashkuara që nga 11 shtatori janë vrarë që nga viti 2014 e në vazhdim, vit kur ISIS-i shpalli themelimin e Kalifatit të tij.

Tetë nga 13 sulmet vdekjeprurëse në SHBA që nga 11 shtatori, kanë ndodhur në atë periudhë kohore, dhe 7 prej atyre janë motivuar pjesërisht nga propaganda e ISIS. Në vitin 2015, 80 amerikanë u akuzuan për krime xhihadiste të lidhura me terrorizmin, pothuajse të gjithë të frymëzuar në njëfarë mënyre nga ISIS-i, sipas studimit të ”New America”.

Por edhe në kulmin e fuqisë së tij në Irak dhe Siri, ISIS-i nuk arriti të organizojë ndonjë sulm vdekjeprurës brenda Shteteve të Bashkuara. Me rrudhjen territoriale të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, kërcënimi ndaj SHBA-së është zvogëluar më tej. Numri i rasteve të terrorizmit xhihadist, ku përfshihen edhe amerikanët, ka rënë çdo vit që nga kulmimi me 80 raste në vitin 2015.

Deri në fundin e gushtit, vetëm 8 amerikanë janë akuzuar për krime xhihadiste, të lidhura me terrorizmin në vitin 2018.

Pavarësisht frikës së madhe ndaj kërcënimit të “luftëtarëve të huaj” – nga ata perëndimorë që iu bashkuan ISIS-it dhe grupimeve të tjera militante jashtë vendit – pak prej tyre qenë amerikanë. Dhe akoma më pak prej tyre janë rikthyer. Ekziston vetëm një rast i njohur i një amerikani, që luftoi në Siri ose Irak, duke planifikuar akte dhune pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, teksa asnjë i kthyer nuk ka ndërmarrë ndonjë sulm.

Megjithatë, amerikanët nuk duhet të presin që kërcënimi të zhduket me rrudhjen territoriale të Kalifatit. Ky leksion u ilustrua më së miri kur Sajfullo Saipov, një rezident i përhershëm 29 vjeçar nga Uzbekistani, vrau 8 persona në një sulm me kamion në një rrugë biçikletash në Manhatan në tetorin e vitit 2017, në të njëjtin muaj që kryeqyteti i vetëshpallur i ISIS-it, Raka  u çlirua nga Forcat Demokratike Siriane, të mbështetura nga amerikanët.

Në fakt, sfida nga terrorizmi xhihadist me të cilën përballen Shteteve të Bashkuara, mund të mos përdoren tërësisht nga ideologjia xhihadiste. Shumë nga sulmuesit xhihadistë kishin çështje personale, duke përfshirë historitë e dhunës jo-politike dhe probleme të shëndetit mendor, dhe disa duket se janë ndikuar nga ideologji të shumta, dhe jo vetëm nga xhihadizmi.

SHBA-ja po përballet gjithashtu me kërcënimin e dhunës publike, së motivuar nga ideologji të ndryshme nga xhihadizmi, përfshirë dhunën e së djathtës ekstreme, e cila ka vrarë 73 persona që nga 11 shtatori. Të vetmet gjëra që nuk duhet të bëjë SHBA-ja, është të mos përqafojë qasjen kundër terrorizmit të orientuar edhe kundër emigracionit, të nxitur nga administrata Trump, të cilës presidenti duhet t’i japë fund.

Kërcënimi sot është “i rritur në shtëpi”, dhe jo rezultat i infiltrimit të të huajve. Nëntëmbëdhjetë rrëmbyesit e huaj që hynë në Shtetet e Bashkuara me viza jo si emigrantë, kryen sulmet e 11 shtatorit. Ai imazh i kërcënimit, ka “ngjyrosur” që nga ajo kohë perceptime kërcënuese.

Megjithatë, që nga 11 shtatori, vetëm gjysma e 449 ekstremistëve xhihadistë të akuzuar në SHBA kanë lindur si qytetarë amerikanë, dhe 84 për qind janë qytetarë ose banorë të përhrshëm.

Rreth 3 në 10 prej tyre janë të konvertuar në Islam. Ndalimi i udhëtimit nga disa vende myslimane në SHBA, nuk do të kishte parandaluar një sulm të vetëm vdekjeprurës që nga 11 shtatori, dhe as vetë sulmet 11 shtatorit. Ajo që Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë, është të shfrytëzojnë kolapsin territorial të ISIS-it në Siri dhe Irak, për të rivlerësuar dhe iu përgjigjur pyetjeve themelore lidhur me qasjen e saj kundër terrorizmit.

Administrata Trump, nuk ka bërë publike asnjë strategji për të luftuar terrorizmin, dhe Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të zhvillojnë një luftë bazuar në një Autorizim për Përdorimin e Forcës Ushtarake (AUMF) që po mbush 17 vite, dhe rëndësia e të cilit për ISIS-in, një grup i dalë prej Al-Kaedës, dhe ku shumë prej anëtarëve të saj nuk kishin lindur ende ose ishin fëmijë të vegjël në kohën e sulmeve të 11 shtatorit, është e diskutueshme.

Administrata e Trump, duhet të publikojë një strategji kundër terrorizmit, dhe Kongresi duhet të kalojë një autorizim të përditësuar për përdorimin e forcës ushtarake. Thuhet se ajo ka bërë ndryshime thelbësore në politikat lidhur me sulmet kundër terrorizmit, duke i dhënë autoritet komandantëve, dhe anuluar kriterin e objektivave që paraqesin një “kërcënim të menjëhershëm” për amerikanët.

Që nga 11 Shtatori, Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 2.8 trilionë dollarë për përpjekjet kundër terrorizmit, përfshirë luftërat në Afganistan, Irak dhe Siri- pothuajse sa 15 për qind e shpenzimeve të qeverisë për të njëjtën periudhë – dhe nuk ka një llogaritje të unifikuar të shpenzimet, siç është dokumentuar nga Qendra Stimson.

ISIS-i ia doli të kryejë 5 sulme në Evropë që nga viti 2014, duke vrarë më shumë njerëz në ato pesë sulme sesa xhihadistët kanë vrarë në SHBA që nga sulmet e 11 shtatorit. Aviacioni mbetet një objektiv kyç. ISIS-i vrau 224 njerëz, me shpërthimin e një bombe, në një avion në fluturim nga Egjipti në Rusi në tetor 2015.

Përdorimi gjithnjë në rritje i dronëve nga grupet terroriste, dhe përdorimi efektiv i përplasjeve me automjete nga një sërë grupesh, tregojnë potencialin inovativ të kundërshtarëve terroristë të Amerikës. Më shumë se një e katërta e amerikanëve, janë shumë të rinj për të kujtuar sulmet e 11 shtatorit, dhe 1 në 5 prej tyre as nuk kishin lindur as në atë kohë, siç raportoi “The Washington Post”, por sulmet vazhdojnë të përcaktojnë shumë mënyrën se si ushtria amerikane, shërbimet e inteligjencës dhe ato të ligjit, bëjnë punën e tyre. Dhe ato vazhdojnë të ndikojnë në mënyrë thelbësore edhe tek politikat amerikane.

*Peter Bergen, është analist i sigurisë kombëtare i CNN, dhe lektor në Universitetin Shtetëror të Arizonës. David Sterman, është analist i politikës në Programin Ndërkombëtar të Sigurisë në think-tankun “New America”. Artikulli është botuar në CNN. Përktheu: Bota.al