Përtej afatit të vizave, mbi 600 mijë vizitorë qëndrojnë ilegalisht në SHBA nga 2017

Departamenti i Sigurisë së Brendshme përllogarit se mbi 606 mijë njerëz kanë tejkaluar afatet e qëndrimit të vizave gjatë vitit 2017, për të qëndruar kështu ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

Thënë ndryshe, 1.15 për qind e mbi 52.6 milionë vizitorëve duhej të ishin larguar nga vendi deri në fund të 2017-s.

Sipas raportit më të fundit të qeverisë, 280.559 persona (përjashto kanadezët dhe meksikanët) kanë hyrë në SHBA me viza biznesi apo turistike.

Mes tyre, brazilianët zënë numrin më të lartë, me 31.912 vetë. Ata ndiqen nga 29.419 venezuelianë, 21.070 kolumbianë, 16.225 kinezë dhe 12.498 indianë.

Afro 114 mijë të tjerë kanë shkuar në SHBA përmes programit të vizave të përkohshme, që u lejon shumicës së të ardhurve nga vendet përfituese që të hyjnë në SHBA për maksimumi 90 ditë, pa pasur nevojë për një vizë.

Shkelësit më të mëdhenj të kësaj kategorie ishin vizitorët nga Britania e Madhe. 23.231 britanikë dyshohej se ndodheshin ende në SHBA deri në fund të 2017-s. Pas tyre radhiteshin 14.406 francezë, 11.850 spanjollë dhe 9.043 italianë.

Nga ata që kanë qëndruar përtej afateve llogariten edhe 93.073 kanadezë dhe 47.537 meksikanë.

Raporti zbulon gjithashtu se 39.074 njerëz kanë qëndruar në mënyrë të paligjshme në SHBA deri në fund të vitit të kaluar, pasi kishin hyrë me viza studentore. Pjesën më të madhe e zënë kinezët, të ndjekur nga indianët, nigerianët, koreano-jugorët, brazilianët dhe sauditët.

Numri total përfaqëson gjithsesi një rënie të vogël krahasuar me vitin paraardhës 2016, kur 1.25 për qind të rreth 50.4 milionë udhëtarëve duhej të kishin lënë vendin brenda atij viti.

s.a/dita