Përshkallëzon protesta e opozitës në Tiranë, hidhen shishe Molotov drejt Kryeministrisë

Në Tiranë ka nisur me tensione protesta e opozitës përpara selisë së Qeverisë, e 12-ta në radhë që nga 16 Shkurti kur Partia Demokratike, Lëvizja socialiste për Integrim dhe aleatët e së djathtës u larguan nga parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e deputetëve të tyre.

Opozita në protesta

Tymuese dhe qeska me bojë nisën të hidheshin drejt dritareve te ndërtesës që në momentet e para.Ato u pasuan nga shishe të shumta Molotov, jo vetëm drejt portës qendrore të Kryeministrisë por dhe drejt godinës përballë të Parlamentit. ​Mësohet se afër 1500 forca të policisë janë angazhuar për manifestimin e sotëm. E gjithë zona rreth godinës së Kryeministrisë është e rrethuar me një gardh metalik sikurse dhe rrugët anësore që të çojnë drejt saj.

Shqipëri, protesta e opozitës

Një grup manifestuesish arritën të çajnë gardhin e policisë përballë hyrjes kryesore, ndërkohë që dret saj nuk rreshtnin hedhjet e shisheve Molotov. Policia ju drejtua me thirje të njëpasnjëshme që të largohen dhe më pas përdori gazin lotsjellës. Zoti Basha i cili në ato momento po mbante fjalën e tij, e ndërpreu atë për disa minuta derisa situate u qetësua përkohësisht.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj reagoi përmes një statusi në Tëitter. “Me Molotov nuk ndërtohet demokracia, por synohet të shkatërrohet Shqipëria. Por kjo gjë është e pamundur! Ftoj qytetarët e përgjegjshëm të distancohen nga sulmi ndaj institucioneve. Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë përsëri!”, shkruan zoti Lleshaj.

​Për situatën e krijuar ndërhyri dhe presidenti Ilir Meta. “Jam duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkoj të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve”, shkruan kreu i Shtetit.

Protesta e opozitës

​Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që të garantojë organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ajo ka vendosur të bojkotojë dhe zgjedhjet vendore të 30 Qershorit, duke kërcënuar se nuk do të lejojë mbajtjen e tyre. “12 javë pas nisjes së kësaj beteje jua them me gojën plot se gjysma e punës është kryer: Shqipëria do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, Shqipëria do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjysma tjetër e punës do kryer akoma”, deklaroi dje gjatë një takimi me mbështetësit e partisë së tij kryetari demokrat Lulzim Basha, i cili i ka paraprirë protestës së sotme me një tur në shumë qytete të vendit.

Nga ana e saj shumica ka përsëritur se “zgjedhjet vendore do të zhvillohen në datën e caktuar dhe më 30 Qershor qytetarët do të zgjedhin kryebashkiakët e tyre”, ripërsëriti pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama.