Përse bizneset shqiptare duhet të regjistrojnë shenjat e tyre dalluese si marka tregtare?

Av. Dr. Etlon Peppo

 Në ditët e sotme, veprimtaria e biznesit është rritur dhe zgjeruar në mënyrë të vazhdueshme. Për këtë arsye, si dhe bazuar në zhvillimin me hapa galopantë të teknologjisë dhe rrjeteve të komunikimit online, bizneset po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje politikave të marketing-ut dhe reklamimit të mallrave apo shërbimeve të tyre. Në këtë kontekst, bizneset investojnë shuma monetare të konsiderueshme për të promovuar dhe reklamuar mallrat/shërbimet e tyre në treg. Në përgjithësi, shumë biznese kanë krijuar dhe përdorin shenjat e tyre dalluese gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare për të mundësuar identifikimin e mallrave apo shërbimeve të tyre nga ato të konkurrentëve të tjerë. Këto shenja shërbejnë edhe si një “pasaportë” tregtare për origjinën e mallrave apo shërbimeve të një personi (juridik ose fizik) në momentin e regjistrimit të tyre si markë tregtare.

Çdo ditë, ne ndeshemi me një numër shumë të madh markash tregtare kudo në rrugë, dyqane, televizor apo internet. Vendimet e konsumatorëve mbi blerjen e mallarve apo përzgjedhjen e shërbimeve ndikohen në të shumtën e rasteve nga marka tregtare dhe reputacioni i saj. Për këtë arsye, është shumë e rendësishme për të gjithë njerëzit e biznesit që të kuptojnë rendësinë që mbart marka tregtare për suksesin dhe veprimtarinë e tyre tregtare.

Por, çfarë është në vetvete marka tregtare dhe cilat janë avantazhet që rrjedhin nga regjistrimi i saj? Çdo shenjë, duke përfshirë këtu fjalët, emrat personalë, figurat, numrat, format e mallrave apo paketimet e tyre, mund të përbëjë një markë tregtare. Madje, edhe tingujt mund të regjistrohen si markë tregtare në rast se ato përmbushin dy kushtet e nevojshme të kërkuara nga ligji për regjistrimin e një shenje si markë tregtare:

  • Shenja duhet të jetë e aftë të dallojë mallrat apo shërbimet e një personi fizik apo juridik nga ato të një personi tjetër fizik apo juridik;
  • Shenja duhet të jetë e aftë të përfaqësohet në regjistrin e markave tregtare që t’i mundësojë autoriteteve kompetente dhe publikut të përcaktojë qartë e saktë objektin e mbrojtjes që i njihet pronarit të saj.

Në këtë kuptim, si dhe bazuar edhe në legjislacionin në fuqi për pronësinë industriale në Republikën e Shqipërisë, funksioni kryesor i një marke tregtare konsiston në identifikimin dhe dallimin e origjinës tregtare të mallrave ose shërbimeve të një personi fizik/juridik nga mallrat ose shërbimet e një personi fizik/juridik tjetër. Konsumatorët, duke u nisur nga marka tregtare që mbajnë ose përfaqësojnë mallrat/shërbimet, bëjnë të mundur edhe identifikimin e origjinës tregtare të tyre. Si rrjedhojë, mallrat/shërbimet që mbajnë një markë mundësojnë që konsumatori të blejë mallra apo të sigurojë shërbime të caktuara duke menduar e besuar se këto mallra/shërbime i përkasin një biznesi/subjekti tregtar të caktuar.

Pra, marka tregtare shërben së pari si një shenjë dalluese dhe identifikuese e një biznesi përmes së cilës ky i fundit arrin të dallohet në rradhët e publikut dhe konsumatorëve nga shoqëritë/bizneset dhe markat e tjera që janë në treg. Bashkëlidhja që konsumatorët i bëjnë markës tregtare me emrin e biznesit, forcon më tej sigurinë dhe bindjen e tyre rreth cilësisë së mallrave apo shërbimeve. Në këtë drejtim, edhe kostot financiare të biznesit për zhvillimin e politikave të marketing-ut do të reduktoheshin më tej në rast se marka tregtare e një biznesi do të fitonte besim dhe sukses në rradhët e konsumatorëve.

Në vijim për sa më sipër, markat tregtare mund të regjistrohen në forma dhe lloje të ndryshme, të tilla si: marka fjalë (marka që përbëhen ekskluzivisht nga fjalë, shkronja, numra, karaktere standarte apo çdo kombinim i tyre), marka figurë (marka që përbëhen nga karaktere jo-standarte, figura, paraqitje fjalësh të stilizuara, paraqitje grafike ose një kombinim të elementëve fjalë dhe figurë), marka formë (marka që përbëhen nga ose tregojnë një formë tridimensionale, duke përfshirë kuti, paketime, vetë produktin ose pamjen e tyre), marka të pozicionit (marka që tregojnë mënyrën specifike sipas së cilës marka vendoset ose ngjitet në produktet përkatëse), marka me elementë përsëritës (marka që përbëhen ekskluzivisht nga një grup elementësh që përsëriten në mënyrë të rregullt), marka ngjyrë (marka që konsistojnë në një ngjyrë ose kombinim ngjyrash të caktuar), etj..

Natyrisht, jo çdo shenjë mund të regjistrohet si markë tregtare. Në këtë drejtim, ligji parashikon një seri shkaqesh absolute dhe relative mbi të cilat mund të refuzohet aplikimi për regjistrim i një marke apo mbi të cilat mund të kërkohet shfuqizimi i një marke tregtare të regjistruar.

Në periudhën e sotme të globalizmit dhe zhvillimit të vrullshëm të rrjeteve sociale dhe tregtisë elektronike, nuk do të ishte e nevojshme investimi i shumave monetare të konsiderueshme për të promovuar produktet apo shërbimet e një shoqërie tregtare. Në rast se një markë tregtare do të fitonte një popullaritet të caktuar në rradhët e publikut, do të ishte e mjaftueshme reklamimi i produkteve/shërbimeve me këtë markë në rrjetet sociale apo faqet e web-it duke qenë se konsumatorët do të bashkëlidhnin në mënyrë të drejtpërdrejtë markën tregtare në fjalë me shoqërinë prodhuese të produkteve apo ofruese të shërbimeve.

Në këtë kontekst, marka tregtare përbën një aset dhe vlerë të çmuar për çdo biznes. Për këtë arsye, të gjithë shoqëritë e huaja i kushtojnë një rendësi të veçantë të drejtave të pronësisë industriale në momentin e themelimit apo shitjes së shoqërisë, ashtu si edhe në rastet e tjera të bashkimit/përthithjes/shkrirjes së shoqërive tregtare. Rëndësia e regjistrimit të markave tregtare është rritur gjithnjë e më shumë edhe në vendin tonë, ku numri i aplikimeve për regjistrim marke tregtare gjatë vitit të fundit (viti 2017) ka kaluar shifrën e një mijë aplikimeve kombëtare. Po ku depozitohen kërkesat/aplikimet për regjistrim marke?

Aplikimet për regjistrimin e markave tregtare, ashtu si edhe aplikimet për regjistrimin e patentave të shpikjeve, disenjove industriale apo treguesve gjeografikë, depozitohen pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale si institucioni shtetëror përgjegjës që siguron dhënien dhe mbrojtjen e objekteve të pronësisë industriale në Republikën e Shqipërisë.

Gjithësesi, regjistrimi i markave tregtare nuk përbën një fenomen të ri për vendin tonë. Regjistrimet e para të markave tregtare datojnë që me fillimin e ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar. Certifikata e parë e regjistrimit të një marke tregtare në Shqipëri është lëshuar më datë 16 Prill 1920 për markën kombëtare “HOBDARI” (fabrika e famshme e prodhimit të sapunëve). Pas instalimit të regjimit komunist, procesi i regjistrimit të markave tregtare u ndërpre së bashku me mohimin e pronës private dhe të drejtave të tjera pronësore për shtetasit shqiptarë.

Megjithatë, markat tregtare e huaja vazhduan të regjistroheshin rregullisht në Republikën e Shqipërisë edhe gjatë periudhës së komunizmit si pasojë e një vendimi të marrë nga qeveria shqiptare e asaj kohe. Kështu, prej vitit 1957, pranë Dhomës së Tregtisë së Shqipërisë u krijua dhe ka funksionuar Zyra për Regjistrimin e Markave Tregtare. Pas viteve 90’, veprimtaria e Dhomës së Tregtisë i kaloi ligjërisht Zyrës së Patentave dhe Markave, e cila tashmë është shndërruar në një institucion publik të mirëfilltë dhe të specializuar nën varësinë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë: Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale.

Po si realizohet mbrojtja e markave tregtare? Çfarë hapash duhet të ndërmarrë një biznes për regjistrimin e shenjës së tij dalluese si markë tregtare? Markat tregtare mbrohen nëpërmjet regjistrimit të tyre pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale. Një markë tregtare aplikohet dhe regjistrohet për një ose disa mallra dhe/ose shërbime të caktuara bazuar në Klasifikimin e Nicës, i cili përbën edhe klasifikimin ndërkombëtar të mallrave dhe shërbimeve që zbatohet në funksion të regjistrimit të markave tregtare. Ky klasifikim i ndan, grupon dhe kategorizon mallrat dhe shërbimet në 45 klasa të ndryshme në varësi të llojit, natyrës dhe funksionit të tyre.

Në rast të regjistrimit të markës tregtare, cilat janë avantazhet konkrete dhe përfitimet që sjell regjistrimi për pronarin e saj? Së pari, pronari i një marke tregtare të regjistruar gëzon të drejtën ekskluzive të përdorimit të markës, ashtu si edhe njëherazi të ndalojë persona të tjerë që të përdorin në mënyrë të pa-autorizuar gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre tregtare një shenjë të njëjtë ose të ngjashme me markën e tij për mallra apo shërbime të njëjta ose të ngjashme me ato për të cilat është regjistruar marka e tij.

Për më tepër, pronari i një marke tregtare me reputacion të lartë si p.sh. Coca-Cola, Nike, Adidas, Apple, Armani, Versace, etj.. gëzon të drejtën të ndalojë përdorimin e pa-autorizuar të një shenje të njëjtë apo të ngjashme me markën e tij, edhe në rast se mallrat apo shërbimet përkatëse nuk janë të ngjashme ose të njëjta me mallrat/shërbimet për të cilat është regjistruar marka e tij. Në këtë kuptim, një markë tregtare e regjistruar dhe me reputacion në Republikën e Shqipërisë, mbrohet nga çdo shenjë tjetër e njëjtë ose e ngjashme me të që përdoret pa shkak të arsyeshëm, realizon përfitim të padrejtë ose dëmton natyrën dalluese/ermin e mirë të markës. E shpjeguar më thjeshtë, askush nuk mund të prodhojë produkte farmaceutike apo vajra industriale nën emrin apo shenjën “Coca-Cola” (ose çdo shenjë tjetër të ngjashme me të), pavarësisht faktit se marka tregtare e mirënjohur “Coca-Cola” është regjistruar nga shoqëria “The Coca-Cola Company” për pije jo-alkoolike.

Bazuar në legjislacionin për pronësinë industriale, pronari i një marke tregtare të regjistruar gëzon gjithashtu të drejtat e mëposhtme:

  • Të ndalojë vendosjen e shenjave të tilla tek mallrat ose ambalazhet e mallrave;
  • Të ndalojë hedhjen në treg të mallrave dhe ofrimin e tyre për shitje duke përdorur këto shenja, ashtu si edhe krijimin dhe mbajtjen e rezervave për këto qëllime;
  • Të ndalojë ofrimin e shërbimeve duke përdorur shenja të tilla;
  • Të ndalojë importimin ose eksportimin e mallrave duke përdorur shenja të tilla;
  • Të ndalojë përdorimin e shenjave të tilla në veprimtari tregtare, reklamime ose publicitete.

Natyrisht, marka tregtare nuk i jep të drejtën pronarit të saj që të ndalojë përdorimin e markës për produkte të hedhura në qarkullimin civil brenda territorit të Republikës së Shqipërisë me pëlqimin e tij. Gjithashtu, për të ruajtur vlefshmërinë e markës tregtare, pronari i saj duhet detyrimisht të përdorë markën për ato mallra/shërbime për të cilat ajo është regjistruar, përveç rasteve kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme për mospërdorimin e saj. Në rast të mospërdorimit të markës për një periudhë të pandërprerë 5-vjeçare, ajo mund të bëhet objekt i kërkesave për zhvlerësim dhe regjistrimi i saj të zhvlerësohet.

Një tjetër avantazh që sjell regjistrimi i markës tregtare është fakti se një markë tregtare e regjistruar mund të licensohet nga pronari i saj për një pjesë ose për të gjthë mallrat/shërbimet e regjistruara. Në këtë rast, kontrata e licensës (ekskluzive ose jo-ekskluzive) nënshkruhet nga të dyja palët dhe duhet të depozitohet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale. Për më tepër, pronari i një marke të licensuar mund të përdorë të gjithë të drejtat që rrjedhin nga regjistrimi i markës kundrejt të licensuarit që shkel kushtet e përcaktuara në kontratën e licensës.

Regjistrimi i të drejtës së pengut mbi një markë tregtare përbën një tjetër përiftim në favor të pronarit të markës. Si rezultat i ndryshimeve të fundit ligjore, marka tregtare e regjistruar mund të sigurohet ose të jetë objekt mbi të cilin mund të vendoset pengu. Kontrata e vendosjes së pengut mbi një markë tregtare regjistrohet gjithashtu në regjistrin e markave tregtare që administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale.

Së fundmi, pronari i një marke tregtare të regjistruar gëzon të drejtën të ngrejë padi në gjykatë (gjykata kompetente për shqyrtimin e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve që rrjedhin nga të drejtat e pronësisë industriale është Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë) për shkelje të të drejtave lidhur me çdo përdorim, kufizim, imitim ose bashkëshoqërim të pa-autorizuar të markës së tij, si dhe çdo veprim tjetër që cënon të drejtat e pronarit. Në vijim të ushtrimit të të drejtës për t’iu drejtuar gjykatës, pronari i një marke tregtare ka të drejtë të kërkojë marrjen e masave të tilla si:

  • Ndalimi i mallrave/shërbimeve që shkelin të drejtat e tij;
  • Heqja ose bllokimi nga qarkullimi civil i materialeve, pajisjeve dhe mjeteve që përdoren për krijimin apo prodhimin e mallrave/shërbimeve që shkelin të drejtat e tij;
  • Shkatërrimi i mallrave të falsifikuara;
  • Publikimi i vendimit të gjykatës në median publike me shpenzimet e shkelësit;
  • Shpërblimi i demit (dëmi i pësuar + fitimi i munguar).

Marka tregtare e regjistruar mbrohet për një afat 10-vjeçar duke filluar nga data e depozitimit të aplikimit për markë, por mund të ripërtërihet pafundësisht për periudha 10-vjeçare nga ana e pronarit të saj. Pra, marka tregtare përbën në vetvete një pronë që mbetet gjithnjë e vlefshme duke sjellur rrjedhimisht edhe një seri tagresh dhe të drejtash të pakufizuara në kohë.

Në këtë mënyrë, duke pasur pararsysh vlerën që mbart regjistrimi i një marke tregtare për pronarin e saj, ashtu si dhe duke konsideruar të gjithë avantazhet dhe përfitimet që sjell procesi i regjistrimit të markës, do të këshilloja të gjithë pronarët, titullarët apo administratorët e bizneseve shqiptare që të aplikojnë dhe regjistrojnë markat e tyre pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale në mënyrë që të përfitojnë mbrojtje dhe siguri ligjore kundër çdo shkeljeje të mundshme në të ardhmen. Marka tregtare duhet të konsiderohet gjithnjë si një aset dhe investim i domodoshëm për t’u kryer nga subjektet tregtare, pasi ajo luan një rol kryesor në suksesin e një biznesi dhe identifikimin e “origjinës tregtare” të mallrave apo shërbimeve të tij.