Përplasje për buxhetin, Rama rrëzon amendimet e PD. Basha: Buxhet, pastrim parash

Edi Rama hodhi poshtë 16 amendamentet e PD, duke i quajtur ide të vjetra të programit elektoral të 2005-ës, që rrit me 10% borxhin publik dhe ul të ardhurat në buxhet me 710 mln dollar.

“PD nuk ka asnjë vizion alternative për Shqipërinë, asnjë program alternativë për të ardhmen dhe asnjë ide përveç programit elektoral të 2005. PD është në agoni. Për ty, e gjitha kjo është një lojë. Ti je në një lojë me një lodër që ty ta kanë falur. Ti nuk ia di as vlerën, nuk ia di as kuptimin, as funksionin dhe në fund fare do ta bësh cop e çikë si ata kalamajtë”, tha Rama.

Por për Lulzim Bashën, buxheti i vitit të ardhshëm është buxheti i pastrimit të parave dhe politikat e qeverisë kanë vetëm një qëllim: “Pastrimin e parave të drogës dhe krimit gjatë mandatit të parë. Qindra miliona e miliardë euro janë paratë e krimit, Rama mundëson pastrimin e parave të pista në formën e PPP-ve duke lënë në dorë të krimit rrugët, spitalet, shkollat etj. Pas çdo politike publike qëndron një projekt I PPP-ve të pastrimit të parave të pista. Një nga shkaqet kryesore të mungesës së investitorëve të huaj është ngritja në piedestal e krimit. Ky model ekonomik po shkatërron strukturën ekonomike e politike të krimit. Vetëm një qeveri anti-mafia, që do shembë lidhjen krim-politikë e që do e çojë vendin drejt zgjedhjeve legjitime, do të ishte zgjidhja”, u shpreh Basha.

Top Channel