Përpara ëndrrës, prapa kohës. Tre “mallkimet” që kanë ndjekur Shqipërinë e tranzicionit

Nga Preç Zogaj

Një titull paradoksal si ky e akuzon ëndrrën si të pafuqishme për të vështruar larg. Por ma merr mendja  shkon për të  treguar  në  larminë e zhvillimeve dhe kundërzhvillimeve të saj Shqipërinë postkomuniste nga viti 1991 e këndej.

Ta shohësh nga  jashtë Shqipëria e  para viteve nëntëdhjetë nuk njihet në Shqipërinë e ditëve tona. Për të mos thënë nuk ekziston më. Dhe  këtu sigurisht nuk kam parasysh gjeografinë e përjetshme apo trashëgiminë e paprekshme arkeologjike. Kam parasysh Shqipërinë urbane dhe rurale, infrastrukturën rrugore, turistike, ekonomike, mënyrën e jetesës, marrëdheniet me punën, pronën, veshjen, ushqimin, argëtimin…Me fjalë të tjera, gjithçka që  përfshin nocioni  zhvillim në shoqërinë e hapur.

Liria ka punuar. Koha ka punuar. Njerëzit kanë punuar. Hapja ka punuar. Ndryshimi është ngritur mbi ndryshimin, siç lartohet tullë pas tulle një mur dhe kat pas kati një ndërtesë. Ashtu si unë, shumë nga miqtë e mi të afërt me të cilët kemi ndarë mendimet dhe kontributet në mbështetje  apo si pjesë e  Lëvizjes Demokratike të Dhjetorit 1990,  nuk e kishin përfytyruar atëherë Shqipërinë që jetojmë sot. Kanë kaluar shumë vite vertetë,  si rregull  koha , në afat të gjatë,  e fiton garën me  pritshmëritë  dhe parashikimet  e limituara njerëzore.  Sepse vetë koha  nuk ka kufinj. Në rastin e Shqipërisë diferenca midis ëndrrës  së fillimeve dhe realitetit të vazhdimeve ka një shpjegim me kompleks  që lidhet, ndër të tjera, me startin e vendit tonë nga një  izolim dhe prapambetje e pashembullt në Europë, gjë që ka  pas  përcaktuar edhe rrezen e endërrës, që nuk mund të shihte aq larg sa ç’mund të thuhet me lehtësi sot. Studentët dhe intelektualët më të ndriçuar të kohës, mjaft  prej të cilëve do të bëhëshin  protagonistë të ndryshimeve dhe qeverive  që erdhën me radhë,  ishin më  të qartë për çfarë nuk  mund të pranonin më – diktaturën, regjimin njëpartiak, izolimin, mohimin e të drejtave  universale – se sa për çfarë do të vinte. Në lidhje me të ardhmen përfytyrimet e tyre i brendashkruheshin vizionit  të rrumbullakosur për një Shqipëri si gjithë Europa. Në  fakt liria, hapja,  ekononia e  tregut, shkëmbimet, të drejtat, me një fjalë inventari  i vlerave  të demokracisë liberale  e kanë hedhur  vendin   vazhdueshëm përpara ëndërrës  së momentit në  shumë aspekte.

Por Shqipëria ka mbetur gjithashtu në jermin e rrotullimit në vend, rreth lëngatave të saj që duken si endemike. Një  shqiptar në emigracion apo një i huaj çfarëdo që e viziton në mënyrë periodike Shqipërinë,  fjala vjen një herë në  katër pesë vjet,  aq sa e  gjen të ndryshuar  duke e  parë, po aq e  gjen të njëjtë  duke e dëgjuar e lexuar. E njëjta gjuhë e ashpër, e varfër, e cekët- gjuhë parullash dhe llogoresh – e  politikanëve  dhe ndjekësëve të tyre; të njëjtat mosmarrëveshje për çështje që nuk e përligjin mosmarrëveshjen,  të njëjtat tema në shqyrtim, që shkunden e shkunden nga e para dhe njëlloj si herën e parë  edhe herën e  njëmijtë,  të njëjtat trajtime, të njëjtat tone, të njëjtat grimasa. E me radhë, e me radhë.

Në vështrimin tim, metaforikisht, janë tri mallkime që e kanë  ndjekur e mbajtur pas Shqipërinë përgjatë tranziconit.

Një është  mallkimi i baltës.

Nuk e harroj kurrë një episod nga shpallja e themelimit të Partisë  Demokratike në qytetin Studenti në 12 dhjetor  1990. Kishte rënë shi gjithë ato ditë,  Tirana mbarë ishte shkulur për të asistuar ngjarjen  historike. Pasi u mbajtën fjalimet e rastit turma e stërmadhe filloi zhvendosjen e ngadalshme drejt Tiranës, duke e përzier edhe njëherë nga e para baltovinën e krijuar. Ishte vështirë të gjeje një njeri që nuk ishte stërpikur me baltë nga mesi e poshtë. Por festiviteti sundonte mbi gjithçka. Në këtë çast një miku im i ngushtë më tha  me shaka:  “Me gjak nuk u bëmë, por me baltë po”. Qeshëm. Qeshëm prapë, duke parë lumin e njerëzve që shtyhej ngadalë drejt qytetit. Qeshëm më të madhe si të ishim kujtuar për kalimin nëpër një fushë të minuar, ku asnjë minë nuk kishte shpërthyer. Kishim menduar të gjithë se regjimi nuk do të  lëshonte pa shkuar gjaku në gju të kalit. Ashtu ishte kapur me thonj e me dhëmbë në udhëkryqin e kohës tirania shqiptare. Kishim menduar se do të bëheshim me gjak. Por ishim bërë vetëm me baltë. Nuk e dinim atëbotë se balta do t’i ngjitej si mallkim tranzicionit të gjatë të Shqipërisë, kur  të gjithë do të  turreshin për të bërë pis njëri tjetrin me baltën  gratis. Shkrimtari më i madh i vendit, Ismail Kadare kishte  pasur  intuicionin e shpërthimit të gjirizeve si një formë e hakmarrjes së diktaturës   së rrëzuar ndaj njerëzve në liri që nuk ishin një popull tjetër nga ai që kishte jetuar nën diktaturë. Që nga Parisi ku ishte vendosur si arratisur politik në atë kohë  Kadare  do të përpiqej të projektonte një  dalje  të qytetëruar, plot tolerancë e vetëpërmbajtje  të shqiptarëve nga  diktatura, duke thirrur në ndihmë  dhe duke shkruar në portën e exit-it të tyre  vargjet e një poezie të vjetër  në frymën kristiane të Lekë Matrëngës. Por  vërshimi i gjirizeve do të ishte më i fortë.  Shpjegimi nuk është i thjeshtë , por një gjë ka qenë e qartë qysh  në krye: në skemat  politike aktive në Shqipëri,  jo rallë të errëta dhe shpeshherë pa thelbe programore të mirëfillta, balta u shndërrua në një mjet të   pacipë e të lehtë të  luftës politike  për pushtet dhe epërsi të tjera.  Mallkimi i baltës u ngrit kundër  lirive që  duhej të çlironte demokracia.  Dhjetra dhe qindra intelektualë të  shquar apo të njohur u tërhoqen në vetminë e tyre, shumë të tjerë moren arratinë, me kalimin e  viteve injoranca  mori frenat kudo.   Dëmet e   mallkimit të baltës  nuk janë llogaritur akoma me laps në dorë. Nëse do të llogariten, do të dalë se   kanë qenë e janë jashtëzakonisht të mëdha.

Një mallkim i dytë është ai i simulimit të pluralizmit.  Pluralizmi ynë lindi i negociuar, partitë kryesore  që e sendërtuan ishin në njëfare mënyre nga i njëjti material njerëzor, elitat politike kundërshtare nuk arritën të diferencoheshin  në ide, në programe, në gjithë atë  që është  kultura e ngjyrës politike  dhe ideologjisë. Më shumë se sa ta kishin si atribut,  këto parti dhe drejtuesit e tyre e simulonin ndryshimin. Për të kompensuar mungesën  e  ndryshimit real, që është punë e kohës dhe nganjëherë  e shekujve, ata, të kompleksuar  nga simulimi,  i dhanë jetë një konfliktualiteti të ashpër, acidik,  ndësjelltazi përjashtues, që nuk gjente justifikim në orjentimin komun  perëndimor.  Ashtu siç bënë  keq  luftën, bënë keq edhe paqen kur e bënë ndonjëherë. Sepse nuk ishin të vërtetë  në asnjerën. Ngjan si paradoks, por është e vërtetë:  partitë dhe politikanët  në krye të tyre  merren vesh më mirë kur janë  realisht të ndryshëm se sa të njejtë  për çeshtjet e përbashkëta  dhe për ato të bashkëjetesës  demokratike.  Dëmet e konfliktualitetit të kërkuar  janë në sytë e gjithë njerëzve që kanë jetuar historinë e tranzicionit. Gjithësesi, ato dëme nuk janë llogaritur ndonjëherë deri në  një.

Mallkimi i tretë është ai i pandëshkueshmërisë. Nga viti 1993 e këndej drejtësia që ishte ndërsyer  nga politika për të goditur poltiikisht kryetarin e atëhershëm të PS-së dhe shefin e opozitës, Fatos Nano, u  ndalua po nga politika të  vepronte  në sferat e larta. Nga një ektrem në tjetrin.  Këtu fillon historia e elitave politike mbi ligjin. Këtu fillon dhe shtrihet   në kohë nga legjislatura në legjislaturë  e nga nga qeveria në qeveri  pandëshkueshmëria, dukuria  që bashkon qeverisjet dhe kupolat  politike në vend.  Të gjithëve në përgjithësi, me pak diferenca,  u ka shijuar modeli  që  mundëson pasurimin galopant dhe njeherësh  i mbron nga llogaridhënia e ndëshkimi.

Pandëshkueshmëria shpjegon shumë prej fenomeneve shqiptare që kanë  çuditur njerëzinë, siç janë marrja peng e zgjedhjeve në mënyrë periodike,  promovimi  i injorancës dhe   krimit në politikë ,  shkelja e   mjaft  lirive  dhe të drejtave  demokratike,  thyejet  e mëdha shoqërore,   morale dhe etike,  që janë mjeshtëria e uzurpatorëve me  turne të pushtetit në Shqipëri,  vrasja graduale e shpresës  popullore për një demokraci  normale  dhe si konkuzion i  gjithë listës  së  gjatë  të këtyre pasojave  ka ardhur zbrazja e pambaruar e vendit, ikja pothuajse  pa pauza e njerëzve nga atdheu tashmë jo më për një copë bukë, por për shumë arsye të tjera që lidhen me  dinjitetin e  familjeve dhe personit e deri me shijet që  neverisin politikbërjen.

Asgjë nuk mban, gjithçka kalon, thotë maksima heraklitiane. Shqipëria  po pret një zhvillim të ri, të panjohur, që mund të përshkruhet si  fundi i sundimit të politikës dhe fillimi i sundimit të ligjit. Kjo është një premisë realiste se edhe  për tre  mallkimet që numërova unë këtu numërimi mbrapsht  do të fillojë. Dhe ëndrra do të kthehet të  tregojë udhën. / bota.al


Kjo ese e shkrimtarit Besnik Mustafaj është pjesë e serisë së intervistave dhe refleksioneve me titull: “Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?”, një Projekt i Bota.al në bashkepunim me Institutin Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikes Çeke.Pikëpamjet e shprehura janë të autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit apo partnerit të Projektit.

Çdo portal/gazetë që do të ribotojë këtë material, duhet t’i referohet burimit të tij fillestar (bota.al) duke vendosur linkun përkatës.