Përmbushet amaneti – Eshtrat e Mid’hat Frashërit prehen në Shqipëri

Personaliteti i shquar i kulturës dhe letrave shqipe, Mid’hat Frashëri do të prehet në atdhe. Në një ceremoni shtetërore të organizuar në Akademinë e Shkencave, të afërm, personalitete të botës akademike, kulturës dhe politikës zhvilluan për më shumë se dy orë homazhe në nderim të tij. Më pas arkivoli me eshtrat e Mid’hat Frashërit u drejtua drejt varrezave monumentale të vëllezërve Frashëri ku edhe do të prehet. Për kthimin e eshtrave nga SHBA për në vendlindje të firmëtarit të Pavarësisë dhe kryetarit të Kongresit të Manastirit, Këshilli i Ministrave akordoi fondin prej 3,239,400 lekë, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore.  I përndjekur nga regjimi komunist me akuzën si themelues i organizatës së Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Në një prononcim për mediat, Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat Artur Roshi tha se Mid’had Frashëri bashkoi kombin nga ana kulturore. “Ky veprim i qeverisë është një ndjesë nga të gjitha qeveritë. Njeriu nuk mund të jetë edhe bashkëpunëtor edhe ta luftojë kundërshtarin. Sistemi diktatorial deformoi jetën kulturore, historinë dhe deformoi edhe të vërtetën për kundërshtarin e sistemit, siç ishte Midhad Frashëri. Ne do punojmë për të lançuar profilin e tij të lartë. Mid’hadi bashkoi Kombin nga ana kulturore. Mid’had Frashëri dha firmën për njehsimin e gjuhës shqiptare”- tha Artur Roshi.

Mid’hat Frashëri, i njohur si Lumo Skëndo

Mid’hat Frashëri i biri i rilindasit të shquar Abdyl Frashëri, lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Ai njihet edhe me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Mid’hati e njohu shumë pak të atin e tij, ngaqë Abdyli vdiq i ri në burg. U rrit në kujdestarinë e xhaxhallarëve, rilindësve të shquar Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik në Stamboll. Patriot, njeri i ditur, Mid’hat Frashëri ka mbajtur në zemër amanetin e të atit Abdyl Frashëri, i cili gjatë qëndrimit në burg, u vendos të ekzekutohej nga xhonturqit. Kur u pyetën Abdylin nëse dëshironte të thoshte diçka, ai është përgjigjur: “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”. Deri në vitin 1905, Mid’hati punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore, i emëruar drejtor për punë politike të vilajetit të Selanikut. Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX dhe u bë një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare. Mid’hat Frashëri ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut në Manastir, ku takoheshin patriotët shqiptarë. Gjithashtu ai nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin Kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901, botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në botimet e ndryshme ai përdori edhe pseudonimin Ismail Malosmani. Në korrik 1908 Mid’hat Frashëri themeloi gazetën “Liria” në Selanik, në vitet 1897-1928, botoi revistën “Kalendari Kombiar”, më 1909 themeloi revistën “Dituria”, në Selanik, pastaj në Kostancë dhe më vonë në Tiranë. Më 1908, mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit. Më 1909, 2-8.09, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Përmetit, Elbasanit dhe Pejës dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua Ministër i Punëve Botore. Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit, në vitet 28.05.1914 – 03.09.1914, ishte Ministër i Punëve Botore dhe Post-Telegrafës, ndërsa në vitet 25.12.1918 – 29.01.1920, ishte Ministër pa Portofol. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919 – 1920. Më 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926 – 1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”. Mid’hati Frashëri nuk u martua. Varrimin e tij në SHBA e kanë organizuar përmes një ceremonie madhështore patriotët shqiptarë.