PD-PS sherr në Kuvend, por bashkë në senatin e SHBA. 4 deputetë në Uashington

Në kuadër të vizitës që po zhvillon në Uashington, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri mori pjesë në një forum të organizuar në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me temë diskutimi çështjet e sigurisë dhe perspektivën integruese të vendeve të Evropës Juglindore.

Të pranishëm në forum ishin senator, kongresmenë dhe përfaqësues të vet vendeve të Evropës Juglindore, si dhe 4 deputetë të cilët shkëmbyen pikëpamjet për sfidat me të cilat përballet ky rajon.

“Kryefjala ku përputhen të gjitha qëndrimet është që nëse duam të shkojmë tek rrënja e problemit dhe duam të kemi një situatë me perspektivë stabiliteti në rajonin e Ballkanit, kjo ka të bëjë mbi të gjitha me zhvillimin ekonomik dhe integrimin e këtij rajoni në Bashkimin Evropian”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Në këndvështrimin e tij, zhvillimi ekonomik, interkonektiviteti dhe procesi i Berlinit është një instrument për angazhimin e të gjitha vendeve të rajonit drejt ndërlidhjes më të madhe ekonomike, pra në infrastrukturë, në energji e në tregje, që ky rajon të trajtohet si i tërë, si pjesë e ardhshme e Bashkimit Evropian.

“Sot patëm lajmin që në strategjinë e Bashkimit Evropian del e qartë që vendet e rajonit duhet të integrohen, pavarësisht se mund të ketë pikëpamje të ndryshme për shpejtësinë me të cilin ecin këto vende. Ajo çka është më e rëndësishme është se të gjitha vendet po bëjnë përpjekje, janë duke u angazhuar. Ka dhe vështirësi dhe Bashkimi Evropian këtu është për të ndihmuar përmes strategjisë së qartë dhe mbështetjes financiare për të tejkaluar ato deficenca të trashëguara në infrastrukturë që kanë vendet e rajonit”, nënvizoi Gjiknuri.

Në forumin e zhvilluar në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin të pranishëm edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë Elona Gjebrea, Fatmir Mediu dhe Aldo Bumçi. e.k/dita