PD është ngujuar për 7 orë në sallën e Parlamentit, duke kërkuar zhvillimin e debatit për Reformën Zgjedhore dhe raportin për zgjedhjet të OSBE/ODIHR

Vendimi i kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për të përjashtuar kreun e opozitës, Lulzim Basha, nga seanca parlamentare e së enjtes ka bërë që grupi i demokratëve të rrethojë foltoren e Parlamentit dhe të qëndrojë aty deri në përfundim të seancës.

Pushimet e gjata të seancës nga kreu i Kuvendit, demokratët i konsideruan një kurth të Gramoz Ruçit për të nxjerrë jashtë sallës së Parlamentit kreun e PD-së, Lulzim Basha, ndaj edhe preferuan të mos largohen në asnjë moment nga salla e boshatisur. Vendimit të grupit parlamentar për të qëndruar në sallën e Parlamentit iu bashkua edhe ishkryeministri Berisha.

NGUJIMI

Sakrificat e të qenët në opozitë, disa nga deputetët e rinj demokratë i provuan për herë të parë gjatë seancës së kësaj të enjteje. Disa prej deputetëve demokratë iu desh të sakrifikonin mungesën e ushqimit në drekë, ndonëse gjatë paradites kishin dhënë gjak në shenjë solidariteti në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Deputetët më me “fat” kanë qenë ata që kanë mundur të sigurojnë brioshët e vegjël në kafet e Parlamentit dhe disa qese me “Bake Rolls”.

Disa shishe plastike me dhallë mbaruan që në mesditë, ndaj edhe deputetët e tjerë u mjaftuan vetëm me kafe dhe ujë. Por pavarësisht sakrificave, kreu i PD-së, Lulzim Basha, postoi një foto në “Facebook” të grupit të tij parlamentar të bashkuar në sallë me diçiturën: “Kur dhunohet fjala e lirë, largohen dhunuesit, jo opozita”.

QËNDRIMI

Pas vendimit të kreut të Kuvendit Ruçi për të votuar pikat e rendit të ditës duke mos zhvilluar debat për Reformën Zgjedhore, Lulzim Basha deklaroi se në Parlament po rikthehet regjimi diktatorial. Së bashku me grupin e tij parlamentar, Basha paralajmëroi se do t’u bëjë thirrje shqiptarëve të marrin në dorë Parlamentin e tyre.

“Nëse në këtë Parlament vendoset të rikthehet edhe një herë regjimi diktatorial që për 50 vite ndaloi mendimin ndryshe, dhe ekzekutoi në të gjitha format e mënyrat opozitën dhe mendimin kundër, atëherë ka ardhur koha të themi të vërtetën troç; paqja sociale është e rrezikuar, bashkekzistenca demokratike është e rrezikuar dhe opozitës i lind jo vetëm e drejta, por detyrimi t’u bëjë thirrje shqiptarëve të marrin Parlamentin në duart e tyre. Partia Demokratike, jo vetëm grupi parlamentar i saj, por edhe aleatët tanë dhe gjithë qytetarët, do të hedhim së bashku. Ne nuk do të lejojmë kurrë që Gramoz Ruçi dhe Edi Rama ta kthejnë 30 vite pas orën e Shqipërisë”, tha Basha.

ma.me