Patozi: Si do të jetë qeveria e re e ‘përbindëshit’ Rama dhe çfarë po bën ‘bajlozi’ Basha

Duke cilësuar Edi Ramën si ‘fituesin’ dhe Lulzim Bashën si ‘humbësin’, Astrit Patozi bën një krahasim mes të dyve, ku ngjajn dhe ku diferencohen dy aktorët kryesorë politik të vendit tonë.

Për Patozin, arroganca me të cilën po sillet Edi Rama me bashkëpunëtorët e tij, qofshin në pushtet apo jo, është treguesi i mendësisë së tij për mënyrën si Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e vetme. Patozi shkruan se Rama mendon se i ka fituar vetë zgjedhjet. Në parandjenjën e tij për qeverinë e re, sikurse titullon edhe këtë shkrim, Patozi shprehet se shqiptarët nuk duhet të gëzohen nëse shohin fytyra të reja në kabinetin qeveritar apo në parlament, pasi ata janë të depersonalizuar, që me heshtjen e tyre ndër vite kontribuuan në rritjen e ‘përbindëshit’, duke nënkuptuar Edi Ramën.

Sipas Patozit, Basha nuk është edhe aq larg Ramës. Papritur ai u kthye në një ‘bajloz’ që merr vendimet vetë, bën listat e deputetëve dhe fushatën vetë.

Duke i quajtur ortakë të marrëveshjes së 18 majit, Patozi shkon drejt mbylljes së shkrimit të tij duke nxjerrë në pah shqetësimin e tyre. Të dy duan të jenë të rrethuar nga servilë dhe vartës të bindur. Sipas Patozit, ndryshimi mes të dyve është se Rama i do me emra, por që të mos flasin, ndërsa Basha ka frikë edhe nga emrat.

Duke e cilësuar këtë politikë si larg asaj moderne, Patozi shkruan se së shpejti vendi nuk do të ketë më nevojë as për parlament, pasi mjafton që të shkojnë vetëm dy burra, fituesi dhe humbësi, dhe Patozi shprehet se “atdheu do të jetë më i përfaqësuar se kurrë”. /LAPSI.AL/

Postimi i Astrit Patozit në Facebook:

E KAM NJË PARANDJENJË PËR QEVERINË E RE

E kam një parandjenjë që do ketë shumë befasi në qeverinë e re të Edi Ramës. Mund të shikoni në shtator burra e gra, për të cilët nuk ia ka vajtur mendja kurrë. Që mund të mos jenë marrë asnjë ditë të vetme me politikë, apo që mund të kenë qenë në hall të vet diku në rreshtat e fundit të saj.
Mënyra si po sillet “timonieri” pas 25 qershorit të çon në këtë përfundim.
Dhe kjo shkon përtej arrogancës së 4 vjetëve të shkuara, kur fjalimi iparë i tij në parlament mbahet mend vetëm për shprehjen “prisni, prisni, se nuk keni parë gjë akoma”.
Është karshillëku i atij që mendon se ka fituar i vetëm dhe se nuk ka më kë e ndan “plaçkën e luftës”. Ndaj edhe po tallet me të gjithë bashkëpunëtorët, si me ata që janë ende në detyrë, por edhe me ata që po presin më kot që të vlerësohen një ditë për mundin dhe kontributet. Të cilët po rrinë e vështrojnë të depersonalizuar se mbase deri në vjeshtë i ndërron mendja udhëheqësit suprem.
Në këtë pikë ka mbërritur plotfuqishmëria e liderit në partitë tona, që po degradojnë dita-ditës.
Ndaj edhe nëse nuk shikoni fytyra të diskretituara në polifoton e kabinetit të ri të Edi Ramës, mos u gëzoni kot, se asgjë nuk do të vijë për mirë. Ju mjafton “timonieri” për ta ditur që tani se çfarë ngjyre, çfarë ere dhe çfarë shijeje do të ketë qeveria e re.
Dhe mos mendoni se ulja në stolin e deputetit të disa ministrave do të rrisë cilësinë e parlamentit. Sepse do të shkojnë aty kokëulur dhe nuk do të ndihen fare, por do të flasin vetëm nëse dikush u përmend emrin. Sepse e kanë pranuar vetë fatin e tyre, që kur ushqyen për vite me radhë rritjen e përbindësishit.

Është e njëjta sëmundje, madje më e rëndë, që ka pushtuar prej kohësh edhe opozitën. E cila fazën e vet akute e pati në 3 muajt e fundit, kur Lulzim Basha u shndërrua papritur në një bajloz dhe i bëri vetë të gjitha. Çadrën, Republikën e Re, listën dhe fushatën. Por ndryshe nga “timonieri” u shpërlblye me çelësat e kashtës më 25 qershor. Por kjo nuk e dekurajoi fare, sepse si trim i çartur udhëhoqi një tjetër betejë ku doli triumfator duke mundur 9 me 1 Eduard Selamin.
Po ta shikosh me vëmendje, të dy ortakët e marrëveshjes së 18 majit kanë vetëm një merak, të jenë të rrethuar nga vartës të bindur dhe servilë gjithëfarësh. E vetmi ndryshim është se “timonieri” i do që të kenë emra, por që të mos flasim, ndërsa tjetri ka frikë edhe nga emrat.
Nëse do ta lemë që ta zgjasë edhe pak ky fenomen i shpifur, që vetëm me politikën moderne nuk ka lidhje, nuk do të ketë më nevojë fare për parlament. Sepse mjafton që të shkojnë në sallën e Kuvendit vetëm dy burra, fituesi dhe humbësi. Dhe atdheu do të jetë më i përfaqësuar se kurrë.