Pater Piu: Gjithçka vuajti Jezusi gjatë mundimeve të Tij, e vuaj edhe unë, për aq sa ka mundësi të vuajë krijesa njerëzore

Një frat i varfër, që lutet

I lindur në një familje fshatarësh, që fëmijë u dogj nga dëshira për t’u bërë frat. 16 vjeç hyri në noviciatin e Urdhërit të Fretërve të Vegjël kapuçinë në Morcone e  zgjodhi emrin vëllau Piu. Në vitin 1910 u shugurua meshtar. Gjashtë vjet më pas hyri në kuvendin e Shën Marisë së Hireve, në San Giovanni Rotondo. Nisi t’i kushtojë shumë orë të ditës Sakramentit të Rrëfimit. Kulmi i angazhimit të tij apostolik ishte gjithnjë Mesha Shenjte. E quajti veten: “frat varfanjak, që lutet”. “Lutja – pohonte – është arma më e mirë, që kemi, çelës për të hapur zemrën e Zotit”.

Takimi i jashtëzakonshëm

Në vitin 1948 pati rrëfyer një meshtar të ri polak. Quhej don Karol Wojtyla e, 30 vjet më pas, do të ulej në fronin e Shën Pjetrit me emrin Gjon Pali II. Në fratin e përvuajtur – pati nënvizuar Papa polak më 1999, gjatë ritit të lumnimit të Atë Piut – pashë në të figurën e Jezusit të vuajtur e të ngjallur: “trupi i tij, me varrët e Krishtit, tregonte lidhjen e ngushtë ndërmjet vdekjes e ngjalljes”. Jo më pak të dhimbshme, e,  shikuar me sy njerëzor, edhe më përvëluese – qenë provat, që iu desh të kalonte si pasojë, nëse mund të shprehemi kështu, e dhuratave aq të jashtëzakonshme, që i kish bërë vetë Zoti! Për atë Piun, të vuash për Krishtin, është dhuratë: “Duke e kundruar kryqin mbi shpinë të Jezusit – pohonte – ndjehem edhe më i përforcuar në fe, krejtësisht i pushtuar nga gëzimi. Gjithçka vuajti Jezusi gjatë mundimeve të Tij, e vuaj edhe unë, për aq sa ka mundësi të vuajë krijesa njerëzore”.

Lehtësimi i vuajtjes

Jeta e atë Piut pasqyron edhe angazhimin e tij të palodhur për lehtësimin e vuajtjeve e mjerimeve të shumë familjeve. Në vitin 1956 u përurua “Shtëpia e Lehtësimit të Vuajtjes”, pol spitalor i pararojës. “Është ‘bebja e syve të mi’”, pohoi frati me rastin e  fjalës së mbajtur gjatë përurimit: “Kjo është krijesa e shestuar nga Provania, e ndihmuar nga ju; po jua paraqes. Admirojeni e bekojeni, së bashku me Zotin Hyj. U hodh në dhe një farë, të cilën Ai i Lumi do ta ngrohë me rrezet e dashurisë së Tij”

Vdekja

Atë Piu vdiq natën e 23 shtatorit të vitit 1968, në moshën 81-vjeçare. Më 16 qershor 2002 u shpall shenjt nga Papa Gjon Pali II: “Jeta dhe misioni i Atë Piut  – pati pohuar Papa polak në homeli – dëshmon se vështirësitë e dhimbja, nëse pranohen për dashuri, hapin udhën drejt perspektivave të një së mire më të madhe, të cilën e di vetëm Zoti!”.

“Tre misteret e vdekjes së Atë Piut”

Kjo vizitë e Françeskut ka në qendër të vëmendjes plagët e Krishtit. Si i jetoi atë Piu?

Gjithçka fillon nga çasti kur Atë Piu u shugurua meshtar, më 10 gusht 1910. Me këtë rast përgatiti për kujtim një figure, mbi të cilën shkroi me dorë të vet se dëshironte të ishte si Jezusi: meshtar shenjt e viktimë e përkryer. Pastaj, nga letrat e tij zbulojmë se ia kishte dhuruar shumë herë vetveten Zotit, për të nxjerrë prej Tij hirin e kthimit të mëkatnorëve dhe pastrimin e shpirtrave të Purgatorit. Pak javë pas këtij dhurimi të vetvetes, Zoti iu përgjigj në Pietrelcina, e pikërisht në  lagjen Piana Romana, që do ta vizitojë Papa, ndërsa po lutej nën një vidh. I dhuroi çka kërkonte: varrët e veta! Pastaj, me që ai u turbullua shumë nga këto shenja të dukshme, iu lut Zotit t’ia zhdukte shenjat e t’i linte vetëm dhembjen. E kështu edhe ndodhi për disa vjet. Por më vonë, e pikërisht më 20 shtator të vitit 1918, plagët iu bënë përsëri të dukshme. E kështu edhe i mbetën gjithë jetën, për t’iu zhdukur dalngadalë muajt e fundit para vdekjes. Kur u kontrollua trupi i Atë Piut, menjëherë pas vdekjes, mjeku kurues, profesor Sala, vërejti se plagët ishin zhdukur krejtësisht, pa lënë asnjë gjurmë, asnjë shenjë. Kjo, sipas shkencës, u quajt absurd fiziopatologjik.

Lidhur me plagët e Atë Piut, mbi këtë aspekt kanë folur si Gjon Pali II, ashtu edhe Benedikti XVI, duke u ndaluar posaçërisht tek oferta, që pati bërë Atë Piu, për t’i përngjarë Krishtit. Por, në të kaluarën, ka pasur edhe zëra, që folën fjalë të ngarkuara me dyshime. Ju e keni studiuar me fund këtë çështje. Cili është mendimi juaj?

Duhet të them, me një farë keqardhjeje, se zërat që dyshuan për vërtetësinë e plagëve të Atë Piut, e gjykuan mendjeshkurtësisht çka bëri Kisha për vërtetimin e fenomenit. Në vitin 1919 tre mjekë e vizituan Atë Piun, me urdhër të eprorëve të Fratit të thjeshtë. E vizituan edhe përfaqësues të Sant’Uffizio-s e, në përfundim, u hartuan tre relacione. Relacioni i dytë, i datuar 1925, u bë nga njëri prej tre mjekëve. Në të gjitha këto relacione, nënvizohet vërtetësia e fenomenit. Dy, nga tre mjekët, e quajtën fenomen i pashpjegueshëm; i treti, profesor Amico Bignami i Universitetit la Sapienza të Romës, udhëroi të bëhej një eksperiment: të fashoheshin duart e Atë Piut për tetë ditë, duke e penguar kështu,  të përdorte  ndonjë substancë që mund t’i mbante të hapura plagët. Kur t’i kontrolloj, pas tetë ditësh – mendoi – do të jenë përtharë. Tre fretërit, që ia fashuan këmbët e duart e Atë Piut e, pasë tetë ditësh, panë se nga  plagët  rridhte gjak edhe më shumë se më parë.

Ju sapo keni botuar një libër: “Tre misteret e Atë Piut”, në të cilin  ndaleni mbi tri rrethana shumë të veçanta, të lidhura me vdekjen  e Shën Piut nga Pietrelçina…

Përmes një sërë dëshmish, disa krejt të panjohura, arrita të vërtetoj se Atë Piu  e dinte saktësisht çastin kur do të vdiste. Misteri i dytë, që nuk është as i ri e as i panjohur, ndonëse i botuar për herë të parë në librin kushtuar procesit të lumnimit, ka të bëjë me mundësinë që ai të ketë lejuar një nga bijat e tij shpirtërore  të ishte e pranishme në çastin e vdekjes së tij, pa qenë fizikisht në kuvend, sepse kur vdiq, Atë Piu ishte në klauzurë. Misteri i tretë ka të bëjë pikërisht me zhdukjen e plagëve, pa lënë asnjë gjurmë, mbasi çdo plagë – sipas mjekëve – në çastin kur mbyllet, lë pas një blanë. Ndërsa kur kufoma e Atë Piut, pas vdekjes, u kontrollua nga tre mjekë, u zbulua se plagët e tij qenë zhdukur, pa lënë asnjë gjurmë.

Radio Vatikani