Pashko Gjeçi, shqipëruesi i monumenteve të letërsisë, njeriu i përkorë që na grish sot ndërmendjen

Nga Albert Vataj

Sot 100 vite më parë u lind në qytetin e Shkodrës, Pashko Gjeçi, ai që do të hynte në testamentin e njohjes dhe kujtesën si shqipërues dhe dijetues. Puna pasionante e një vetmohuesi si e tija, tejkaloi të gjithë caqet e ngadhënjyesve, për të mbetur emblemë e sfidës së përkushtimit që mposht pamundësinë. Ai erdhi dhe iku në heshtje për të lënë ndër ne jo vetëm një vepër të ngjizur në caqet e përjetimit, por edhe kujtimin e brishtë të strukur në përvojat e atyre që e njohën.
Një burrë shtatpakët, i kërrysur aq sa mosha dhe hekat i kanë lejuar t’ia përthyejnë kurrizin, shfaqej dhe shuhej mes pluskimit të vërshimit njerëzor të qytetit që huajti si vendbanim, qytetit që nuk mundi të ishte djep por do të ishte purgator mundimesh rraskapitëse dhe parajsë kaplimi të eterit të hirshëm. Rendte ngeshëm me vështrimin përdhé pa i rënë në sy akujt. Hynte nga dera e një auditori, dilte nga kthina e një heshtjeje që zvargej pas tij si një hije, e… kërrysej në zhguallin e shfletimit dhe shkrimit duke jetuar botët në frymëmarrjen e një kraharori që kërcente tinëzisht nën petkat e vjetëruara.

Me një jetë modeste, pa privilegje, megjithëse ishte nga të paktët që i meritonte. Rendi i përulur dhe sfidues me kohën dhe pasionin e shqipërimit. Lëvizi në eterin e kohës pa rënë në sy, por pa hequr nën thundrën e persekutimit. Zërin anktimtar as vetja nuk ka mundur t’ia dëgjojë. I’u dha punës ditë e netë pambarim, për t’i dhënë jetë legjendave të letërsisë botërore, për të mësuar të flasin në shqim monumentet e letrave. I rrethuar me heshtje endi shkronjë pas shkronje udhën drejt përjetësisë.
Ndryshe nga shumë njerëz që rreken të ecin duke u zvarritur në emër të karrierës, Pashko Gjeçi kurrë nuk e bëri këtë. Vepra që ai krijoi e ngjiti në majën e Olimpit të letërsisë shqiptare, edhe pse nuk është zvenitur kurrë me lavde dhe çmime.
Përgjatë dyzet vjetëve ka jetuar në një dhomë shumë të ngushtë. Aty ka përjetësuar emrin e tij, megjithëse në ngrysje të kësaj jete nuk ndihet mirë me shëndet. Këtë askush nuk e di. Ashtu siç pak vetë e dinë që “Komedia hyjnore” erdhi nga Pashko Gjeçi.
Fatin e përjetësisë, me të cilën Zoti sfidoi egon për jetë të njerëzve, çfarë ëndërrojmë si trashëgimi të mbretërisë hyjnore – në kulm të këtij dimri, tani mund ta kuptojmë në dritë të së vërtetës, jo më si realitet biblik, por njerëzor, kur po përcjellim për në banesë të fundit Mjeshtrin Pashko Gjeçi.

Përkthyesi i “Komedisë hyjnore” që kaloi rrathët e Dantes për ta ngritur qytetërimin tonë, u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare, me një testament dëshmie të gjallë nga duhet shkuar për tek drita, e vërteta dhe jeta, kush është njeriu dhe mësuesi, mjeshtri dhe dija. Nga një shkrimtar i qe bërë pyetja; “Po sikur të ringjallej Dantja, mjeshtër?”. Buzëqeshja e Pashko Gjeçit i kishte fshirë sakaq çdo mund të rëndë, e kishte hapur atë njeri grusht për t’i dhënë fund habisë tonë, për një dimensionin e një mjeshtri se: “ndoshta, ndoshta do të bisedonim për ato gjëra të cilat unë nuk mundja t’i bëja dot më mirë”.
Dashuria e këtij Mjeshtri ishte ndërgjegje, me të njëjtën providencë siç iu dha shqiptarëve të vegjël, të parritur drejt zgjatimit të jetës, që etjen e kishin aventura fëmijësh në përkthimin e “Odisesë” së Homerit. Kush jemi ne?! Në këtë përpjekje ky grusht njeriu në memorie nxënësish, miqsh, shkrimtarësh, kolegësh nxiti vetëdijësimin mes nesh dhe të tjerëve, aty ku i ndahet hendeku njeriut, midis jetës dhe vdekjes, midis harresës dhe përjetësisë.

Dikur Gjergj Fishta tha për mjeshtrin: “Ajo grimca atje paska shkruar gjithë këtë artikull!”, kujtojmë se bëhej fjalë për botimin e shkrimit kritik të Pashko Gjeçit, “At Gjergj Fishta, poet satirik”.
Ne quhemi gjuhë dhe sfida e saj i takon plejadës së mjeshtrit, e bashkë me to ky përkthyes i dha shqipes autoritetin e njohjes, çfarë e kemi të trashëguar sot si lëndë pasurore, e papërsëritshme duke i rezistuar për pesëdhjetë vjet “pushtimit” më të egër të shqipes, ajo e standardit të shpallur nga diktatura. Prandaj ka “pushuar” prej vitit 1985 deri në vitin 2005 përkthyesi, kur pas gati 40 vjetësh ribotohet “Komedia hyjnore” dhe “Fausti”. Mbas ’90-ës, ashtu siç janë prekur të gjithë që e njohën, ku mjeshtri jetonte në një shtëpi bodrum diku tek Shallvaret, Pashko Gjeçi nuk arrinte dot të punonte më. E kishte mbyllur ciklin e punës së tij, por në të kundërt bota jonë akademike, intelektuale dhe ajo politike e “konservonte” memorien për të në heshtje.
Me vdekjen nuk shuhen të gjithë. Ndër ta ishte edhe ai, shkodrani i urtë i shqipërimit, shkodrani i fisëm i përjetësimit të të mëdhenjve. Të gjallët e tij e lidhi me përtëritjen gjalluese të kreshtave të estetikës dhe iluminimit, shpirtërores dhe hyjnores. Lëvizi në kohën që nuk ishte e tija dhe ngjizi virtuozitetin e këndimit në shqip të zërave që jehonin në hapësirën e mijëvjeçarëve. Ai ishte gjithkund dhe askush nuk mundi ta shohë. Në ajër e frymëve të shtërzyera shkiti hija e tij. Dritëza e mekur e qiririt që flakëriu në pëlhurat e terrttë të netëve, shkrimet sa hap e mbyll sytë dhe përnjëherësh shpërthen në çdo shtangie që mpiks koha. Zgjat dorën e lëveshkur nga një kat i qiellit dhe na tregon udhën që rrugëton shqipja që e endi në çdo nerv dhe ind, në çdo shkulm gjaku dhe shfrim vetmohues.

Pashko Gjeçi dhe “Komedia Hyjnore”
Përkthimi ka qenë kurdoherë ai i thjeshti, që s’i gjendej muzë në Parnas që t’i bëhej krah. Në këtë formë ka ardhur dhe Dantia në gjuhën shqipe. Me sa duket çdo njeri që pas lë një emër të mirë ka një fat të çuditshëm. Kur e arrestuan më 4 shtator të vitit 1947, ” për fajin pjesëmarrje në grup kundër pushteti”, Pashko Gjeçin e kyçën për tre muaj në një dhomë izolimi. Me tu mbyllur porta metalike, pas shpinës së tij drita mbeti përjashta. Në ditët e para, i mbështjellë nga kundërmimi i lagështirës nuk arrinte të perceptonte hapësirën. Kurrë terri nisi ta mbështjellë, endi me emër shpirtrat e ferrit. Edhe pse jo plotësisht e botuar, vepra e përkthyer e Pashko Gjeçit nuk shkohet lehtë nëpër duar. Madje edhe vetë Noli nuk mori përsipër të përkthente Danten. Nasho Jorgaqi thotë se “i bërë propozim Nolit por ai nuk e mori përsipër”. E ndërsa Pashko Gjeçi e shqipëroi nga qelitë e ferrit të diktaturës komuniste.
Përkthimi i Dantes ishte një ngjarje jo vetëm për letersinë, por edhe për kulturën tonë kombëtare. Duhet t’i jemi mirënjohës këtij përkthyesi shumë të zotin, por tepër modest. Megjithëse ka sjellë në shqip kryeveprat e letërsisë botërore, kurrë nuk u kujdes për emerin e tij. Në heshtje të plotë, ashtu në vetmi përktheu veprën më të vështirë të letërsisë, që edhe Noli nuk e mori përsipër. Ashtu në vetmi të plotë e gjeje shpesh Pashkun tek përsëriste trecinat e Dantes.

Kush është Pashko Gjeçi
Ai u lind më 7 shtator 1918 në lagjen “Arra e Madhe”, Shkodër. Ishte i biri i Gaspërit dhe i Antonjetës prindër të kulturuar dhe trashëgues të një tradite të pasur qytetarie. Pas vdekjes së të atit Pashku mbet me të ëmën dhe dy motrat, Nikoleta dhe Margarita. Mbas mbarimit të fillores nis kolegjin Jezuit po në Shkodër, 1930-’34. Me ligjin Ivanaj, shkollat fetare mbyllen dhe nxënësit kalojnë në gjimnazin e Shkodrës, 1934-’38. Ishte në klasë me A. Pipën, L. Radin, Xh. Brojën, K. Ashtën dhe në bankë me Q. Stafën – disa prej të cilëve i njihte qysh nga jezuitët. Çmonte nga mësuesit më shumë E. Çabejn dhe Pashko Gecin që i jepte greqishten e lashtë dhe latinisht. Përkthen gjatë gjimnazit poezi të poetëve Dante, Petrarka, Leopardi; por edhe shkruante vetë, krijimet dhe përkthimet e veta i botonte tek “Cirka” me pseudonimin Surgens.

Në sajë të rezultateve të arritura në gjimnaz, ministria e Arsimit i akordoi një gjysmë burse. Në vitin akademik 1938 regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë, qytet ku do kishte dhe miqtë e gjimnazit L. Ljarja, K. Ashta dhe L. Radi. Përkthen nga latinishtja dhe shkruan poezi e kritika, të cilat botoheshin në Shqipëri tek të përkohshme “Cirka”, “Shkëndija” dhe një shkrim i famshëm për “Lahutën e Malcís” te “Hylli i Dritës”. Më 15 korrik të viti 1942 diplomohet me gradën Doktor Shkencash në atë fakultet me rezultate të shkëlqyera, me tezë diplome “Jeta dhe vepra e Dom Ndre Mjedës”. I grishur për të punuar asistent-pedagog Pashku nuk pranon dhe i nxitur nga Ernest Koliqi për të dhënë kontributin e vet në atdhe, kthehet po atë vit.
Ministria e Arsimit e asaj kohe e vendon në Shkollën e Mesme Femnore në Shkodër si profesor të letërsisë dhe latinishtes, kohë kur vazhdoi të merrej me përkthime dhe ia niste “Shkëndisë”. Me të marrë pushtetin partizanët Pashku transferohet në Durrës – ku merr dhe familjen me vete, ku do jepte letërsi në shkollën e qytetit. Kishte shoqëri me Jusuf Vrionin, dhe ishte zgjedhur të kryente funksionin e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për degën e Durrësit.
Më 4 shtator 1947 ndalohet me akuzën “Pjesëmarrje në grup kundër pushtetit” dhe dënohet me pesë vjet heqje lirie. Vite që i kalon në Durrës, Vloçisht dhe në kënetën e Maliqit gjatë verës – i përmendur edhe nga Ejëll Çoba në memuaristikën e tij ku s’e linin të punonte ngase qe shumë i hajthëm. P. Zefi thoshte se Pashku pat nisë ta përkthente Danten me mend qysh gjatë burgut. Lirohet më 1952 lirohet dhe vendoset edhe njëherë në Shkodër me familje, ku bën punë të rënda krahu për të jetuar.

Më 1953-’54, TOB-i i kërkon të përkthejë veprën “Traviata” duke gjetur kështu shpëtimin tek Verdi nga puna e krahut.
Më 1954-’58 punon si mësues në shkollën tetëvjeçare të Fushë-Krujës, kohë që i shërbeu për përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dantes, Purgatorit dhe Parajsës. Nasho Jorgaqi, atëherë drejtor i shtëpisë botuese i tha se po flitej me Nolin për ta përkthyer Danten. Por për arsye të ndryshme Noli nuk e mori përsipër, kësodore me ndihmën e Llazar Siliqit arrin të botohet Ferri i Pashkut tek “Nëntori”. Prej një letre drejtuar diktaktorit, ku i bënte të qartë kushtet që lypeshin për kryerjen e punës: biblioteka, konsultime; vendoset në Tiranë bashkë me të ëmën dhe nis të japë mësim në gjimnazin “Qemal Stafa”. Banon së pari në një dyqan të rrënuar e pastaj në një dhomë tek Shallvaret. Më 1962 botohet e plotë “Komedia Hyjnore” me parathënie të Llazar Siliqit dhe Pashkut i jepet shpërblimi prej 300 mijë lekësh të vjetra. Më 1963 nis përkthimin e “Odisesë” së Homerit nga greqishtja e lashtë, duke pasë variantet italisht dhe frëngjisht të veprës, për ta bërë më të gjallë shpenzon gati krejt honoraret e Komedisë për të shkuar në Durrës të kundrojë detin.
Më 1964 martohet me Gjystina Kapedanin, banon me të ëmën, të shoqen dhe të bijën në po të njëjtën banesë me një dhomë. Kushtet shtynë çiftin me u nda mbas jo shumë vitesh. Më 1965 vazhdon si mësues në shkollën e natës në Kombinat. Nga 1968 gjer më 1972 jep latinisht në Fakultetin e Mjeksisë. Ndërkohë, më 1969 Komedia botohet në Kosovë. Me ndërmjetësinë e mikut Mark Dema, martohet me Nezaqet Gaganin. Me heqjen e latinishtes nga programi mësimor, gjë të cilën e konsideronte gabim të madh prejse bazat e mjeksisë qenë historikisht të skajuara me atë gjuhë në terminologji. Punon pranë shtëpisë së librit shkollor si korrektor deri në daljen në pension në shtator 1978. Më 1976 i botohet “Odisea” me parathënie të Myzafer Xhaxhiut, tirazh 15 mijë kopje. Me rënjen e regjimit komunist dhe ardhjen e v. 2000, kryeveprat e prura nga ai në shqip ribotohen por edhe shohin për të parën herë dritën e botimit. Komedia dhe Odisea ribotohen më 2006, Fausti (pj.1) më 2008, “Andromaka” dhe “Atalia” e Rasinit më 2010 – përkthime që i kishin mbetur në dorëshkrim qysh kur banonte tek Shallvaret. Vdes në moshën 91 vjeçare.

Kujtime të Át Zef Pllumit
Prof. Pashko Gjeçi ishte lirue prej burgut, por nuk kishte kurrfarë mundsie jetese, sepse si ”llaçaxhi” nuk fitonte mâ shum se 70 lek në ditë. Kolegu im i klasës, Llazar Siliqi, aso kohe eksponent i Lidhjes së Shkrimtarëve, i kish premtue se sikur të përkthente Danten do ta ndërlidhte dikund, atje te shkrimtarët. Paç Gjeçi me punën e krahit nuk siguronte as bukën e gojës. Më lypi ndihmë mue. Vinte përditë te un mbasi kisha nji makinë shkrimit dhe letra. Të dy bashkë gjindeshim në nji situatë të jashtzakonshme. Erdh puna që ai fliste e un shkruejshe.
-Profesor, je tue përkthye ”La Divina Comedia”?
-Po Fra Zef, por kurrkush në botë nuk e kupton si un e ti që kaluem Bedenin e Maliqin!…Zef jepi makinës së shkrimit se vetëm ktu shpresoj me xjerrë buken e gojës!…

Mirënjohje për mjeshtrin
Shoqata italiane “Dante Alighieri” në vitet e ’70 vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të “Komedisë Hyjnore”. Gjeçi u dekorua nga Presidenti Italian Çampi më 2004 me “Ordine della stella, della solidarietà italiana” për përkthimin e Dantes. Laureat edhe i disa çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Për 90-vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë i akordon Çmimin Kombëtar të përkthimit “Fan Noli”, për përkthimin e veprës “Fausti” (Pjesa 1.) të Gëtes.

Albert Vataj