PAS AKTIT TERRORIST/ Ariana Grande rikthehet në Manchester me një koncert bamirësie

Ariana Grande do të rikthehet në Manchester për një tjetër koncert bamirësie, pas sulmit të përgjakshëm të javës së kaluar.

Por këtë herë, bashkë me të do të jenë edhe këngëtarë të tjerë si Justin Bieber, Coldplay dhe Katy Perry.

Shfaqja që ka marrë emrin “One Love Manchester” do të mbledhë të ardhura për ata që u prekën nga shpërthimi terrorist, që la 22 persona të vdekur, shumica e të cilëve fëmijë.

Edhe “Take That”, Miley Cyrus dhe Pharrel do të jenë të impenjuar në terrenin sportiv të kriketit në “Old Trafford”, në shfaqjen e ditës së dielë.

Grande ka njoftuar se biletat, për fansat që ishin në “Manchester Arena” më 22 maj, do të jenë falas. Mes performuesve do të jenë edhe Niall Horan i grupit “One Direction” dhe Usher, ndërsa të tjerë priten të shpallen në ditët në vijim. Arena ku do të organizohet koncerti ka një kapacitet prej 50 mijë vetash, ndërsa shfaqja do të transmetohet edhe në “BBC One” dhe “BBC Radio”.

Biletat për këtë koncert homazh do të dalin në shitje ditën e enjte, ndërsa çmimi i tyre ende nuk është përcaktuar. Pjesëmarrësve në këtë shfaqje muzikore u është kërkuar të mos vijnë me çanta me vete.

Të ardhurat do të shkojnë për fondin e emergjencave “We Love Manchester”, që u ngrit nga Këshilli i qytetit të Manchesterit, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq britanik. Organizatorët presin të paktën 2 milionë paund të ardhura nga ky koncert. ATA