PARTIA DEMOKRATIKE NE KRIZE/ Listat e PD, Jozefina Topalli e Arben Imami: Të shkarkohet Lulzim Basha

Në Shqipëri, dy figura të rëndësishme të Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ish nënkryetare e saj dhe kryetaret e parlamentit për 8 vite me radhë, si dhe Arben Imami, ndër themeluesit e PD dhe ish ministër i Mbrojtjes, kërkuan sot mbledhjen e forumeve për shkarkimin e kryetarit Lulzim Basha.

Reagimi i tyre pason publikimin e listave për kandidatë me të cilët forca kryesore e opozitës do të konkurrojë në zgjedhjet e 25 Qershorit. “Kjo listë ka krijuar një shqetësim të madh dhe problem serioze në radhët e miltantëve dhe mbështetësve. Mesazhi i tyre është se nuk mund të largohet Edi Rama duke shkatërruar PD”, nënvizoi zoti Imami duke lexuar qëndrimin e përbashkët me zonjën Topalli. “Vendimi për këtë listë është marrë nga një njeri i vetëm. Është marrë në shkelje të statutit dhe në shkelje të çdo proçedure normale të një partie në një vend perëndimor. Nuk ka qenë traditë e kësaj partie, që të mos konsultohet dhe mos merren vendimet aty ku duhet të merren, në forumet e Partisë”, vijon më tej deklarata e përbashkët përmes së cilës i bëhet thirrje të gjithë kolegëve, Këshillit Kombëtar e Kryesisë, që të ecet drejt shkarkimit të zotit Basha. “Kemi marrë këtë vendim pasi e kemi analizuar mirë dhe sepse e dimë që në 26 qershor do të jetë shumë vonë. Kjo është një listë humbëse”, thekson deklarata.

Zonja Topalli foli me tone të forta kritike ndaj kryetarit demokrat kur tha se “kjo është një parti logon e së cilës e ka marrë Lulzim Basha për llogaritë interesave familjare e klienteliste, dhe lista është me pak përjashtime, lista e familjes Basha, bizneseve dhe klientëve të tyre”. Sipas zonjës Topalli, “për shkak të kaosit të krijuar, të bojkotit që demokratët po i bëjnë fushatës elektorale, të preokupuar për faktin se përsa kohë në krye të partisë së Lulzim Bashës që mban logon e PD, në mënyrën e tij menaxhimit sipas një filozofie dhe modeli klientelist e familjar, Edi Rama do të sundojë dhe do të qëndrojë në pushtet për një kohë të gjatë”.

Sipas zotit Imami, problem nuk është vetëm mungesa në lista e themeluesve apo qëndrestarëve të Partisë Demokratike, por edhe njerëzve të rinj që u përfshin pas vitit 2013. Zonja Topalli dhe zoti Imami janë pjesë e një liste të gjatë emrash të njohur që mbetën jashtë kandidimit për garën e 25 qershorit, së bashku me Astrit Patozin,ish ministrat Ridvan Bode, Myqerem Tafaj, apo dhe Majlinda Bregu. Kjo e fundit së bashku me Eduard Selamin, ishin ndër zërat më të fortë kritikë ndaj zotit Basha për strategjinë e ndjekur prej tij muajt e fundit. Po ashtu jashtë janë lënë dhe emra që aktualisht janë në strukturat drejtuese të PD, dhe që ishin zgjedhur nga vetë zoti Basha, si bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.

Kryetari demokrat ka mbrojtur deri më tani zgjedhjen e bërë prej tij. Edhe në mitingun hapës të fushatës elektorale ai u shpreh se “kam marrë vendime të vështira, por jo të papritura. Thamë se ndryshimi duhet të fillojë nga vetja jonë, nga shtëpia jonë dhe kështu kemi bërë, duke sjellë në këtë bashkim të madh qytetar, përfaqësuesit më të spikatur të shpresave, përfaqësuesit më të denjë të komuniteteve të ndryshme nga Jugu në Veri, duke sjellë sjellë njerëz të spikatur të vlerave”.

Por përveç figurave të njohura të PD, zoti Basha po përballet dhe me tërheqje të disa prej kandidatëve të përfshirë prej tij në lista. VOA