Paris, katër të vrarë gjatë një sulmi me thikë

Presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi selinë qendrore të policisë në Paris, ku një punonjës vrau me thikë të paktën katër vetë. Zyra e zotit Macron tha se presidenti shprehu solidaritet e mbështetje për të gjithë oficerët e policisë. Kryeministri francez, ministri i brendshëm dhe prokurori i Parisit vizituan gjithashtu vendngjarjen.

Një zyrtar i policisë franceze tha se gjatë incidentit u vra dhe autori i dyshuar i sulmit me thikë, i cili ishte një nga punonjësit e kësaj zyre.

Sipas një zyrtari (Loic Travers) sulmi i së enjtes duket se ka nisur në zyrë dhe është zhvilluar në mjedise të tjera brenda kompleksit të madh në krahun tjetër të katedrales së Notrë Damit. Zoti Travers tha se motivet e sulmit nuk dihen ende, por sipas tij punonjësi që dyshohet si përgjegjës, nuk duket të ketë patur probleme më parë.

Më herët kryetarja e Bashkisë së Parisit Anne Hidalgo konfirmoi se disa vetë janë plagosur rëndë.

VOA