Papa: takimi me Krishtin i shndërron zemrat tona dhe na shtyn të takohemi me të tjerët

Papa ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, figurës së Saulit. Veprat e Apostujve na përshkruajnë “takimin” e tij të jashtëzakonshëm me dashurinë e Jezu Krishtit dhe kthimin e tij. T’i kërkojmë Zotit, tha Ati i Shenjtë Françesku, që të mund ta përjetojmë të njëjtën eksperiencë si Sauli, e vetmja e që mund t’i ndryshojë zemrat tona.

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku e nisi katekizmin e tij të audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke marrë shkas nga pjesa biblike e Veprave të Apostujve ( Vp 9,3-15), ku tregohet historia e Saulit, së pari si persekutues i Kishës së sapolindur e pastaj si “mjet i zgjedhur nga Zoti për t’u shpallur Ungjillin popujve”. Për ta kuptuar më mirë katekizmin e Papës, të ndalemi, shkurtimisht, te tregimi i Veprave të Apostujve:

« Ndodhi që, (Sauli) duke udhëtuar, iu afrua Damaskut, papritmas e shndriti një dritë prej qiellit. U rrëzua për tokë dhe dëgjoi një zë që i tha :« Saul, Saula, pse po më salvon?» Ai pyeti :« Kush je ti, Zotëri? » E Ai: «Unë jam Jezusi që ti e salvon! Me mirë ngritu e hyr në qytet dhe atje do të tregohet se çka duhet të bësh»(Vp 9,3-6).

Dhe pikërisht mbi këtë ndryshim rrënjësor të Saulit u përqendrua reflektimi i sotëm i Papës gjatë audiencës së përgjithshme. Duke e përshkruar Saulin, Ati i Shenjtë Bergoglio tha se duke i persekutuar të krishterët, Sauli mendonte “t’i shërbente Ligjit të Zotit”, por në të kishte “një frymë vdekjeje”. E shtoi duke iu drejtuar besimtarëve e shtegtarëve të pranishëm në audiencë:  “Ju, që keni ardhur prej disa popujve, që kanë qenë të persekutuar nga diktaturat, ju e kuptoni mirë se ç’do të thotë t’i përndjekësh njerëzit dhe t’i zësh rob. Kështu bënte Sauli me autorizimin e kryepriftit. Shën Luka thotë se “Sauli, s’merrte frymë për tjetër por për t’u kërcënuar e për vrasje kundër nxënësve të Zotërisë Jezus” (vpr 9,1): në të kishte, pra, një frymë vdekjeje e jo frymë jete”:

Sauli i ri na paraqitet si një njeri i pakompromis, do thotë si një persona që shfaq intolerancën ndaj atyre që mendojnë ndryshe nga ai, si një që e absolutizon identitetin e tij politik apo fetar dhe e redukton tjetrin në armikun e mundshëm për ta luftuar. Një ideolog. Në Saulin feja u kthye në ideologji: ideologji fetare, ideologji sociale, ideologji politike.

Të luftohet e keqja, jo njerëzit

Vetëm pasi të jetë transformuar nga Krishti, Sauli do të mësojë se beteja e vërtetë “nuk është kundër mishit dhe gjakut, por kundër […] sundimtarëve të errët të kësaj bote, kundër shpirtrave të këqij” (Ef 6,12). Pra nga takimi me Jezusin Sauli do të kuptojë se “nuk luftohen njerëzit, por e keqja që i frymëzon veprat e tyre”.

Gjendja e inatosur, sepse Sauli ishte i zemëruar, pra gjendja e tërbuar dhe konfliktuale e Saulit e fton çdo të krishterë të pyes veten: si e jetoj fenë time në jetën e përditshme? A shkoj për t’i takuar të tjerët, apo jam kundër të tjerëve? A i përkas Kishës universale, ku ka të mirë e të këqij, të gjithë, të gjithë jemi të mirë e të këqij, apo kam një ideologji selektive? E adhuroj Zotin apo formulimet dogmatike? Si është jeta ime fetare e shpirtërore? Feja në Zotin që unë rrëfej, më bën miqësor apo kundërshtar të atyre që janë ndryshe nga unë? .

Të godasësh një anëtar të Kishës do ta thotë godasë Krishtin

Kur Zotëria Jezusi iu dëftua Saulit, “për t’ia prekur zemrën”, i kërkoi llogari për veprat e tij duke i thënë: “Saul, Saul, përse më salvon mua?”

Këtu i Ngjalluri (Krishti) tregon se Ai identifikohet me ata që besojnë në Të: të godasësh një anëtar të Kishës është si të godasësh vetë Krishtin! Edhe ata që janë ideologë sepse duan pastërtinë – nën thonjëza- e Kishës, godasin vetë Krishtin.

Takimi me Krishtin e shndërron zemrën

Saul është verbuar nga drita e Krishtit dhe, tha Papa: “nuk sheh asgjë, e nga një njeriu i fortë, me autoritet dhe i pavarur që ishte, bëhet i dobët, nevojtar dhe i varur nga të tjerët”. Por nga ky takim i Saulit me Krishtin fillon “kalimi tij nga vdekja në jetë”. Që nga ai moment vetëm Krishti do të jetë i rëndësishëm për të dhe, duke marrë Pagëzimin, Sauli do të jetë vegël në duart e Zotit për t’u sjellë të gjithëve emrin e tij. E Papa e përfundoi katekizmin e audiencës së përgjithshme duke nënvizuar se:

Pagëzimi shënon kështu për Saulin, për secilin prej nesh, fillimin e një jete të re, që shoqërohet nga një vështrim i ri mbi Zotin, mbi vetveten dhe të tjerët, të cilët tani nga armiq bëhen miq në Krishtin. (…) T’i kërkojmë Hyjit Atë që edhe ne ta përjetojmë, si Sauli, takimi me dashurinë e Tij Hyjnore, e vetmja që mund të shndërrojë një zemre guri në një zemër mishi, të aftë t’i pranojë në vetvete ‘po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus’, siç pohon vetë Shën Pali në Letrën e Filipianëve (Fi 2,5).