Papa në takim me gjykatësit amerikanë, me një dokument të ri mbi të drejtat shoqërore

Sonte Papa Françesku mbyll në Vatikan samitin pan-amerikan të gjyqtarëve për lidhjen e të drejtave shoqërore me magjisterin e tij papnor, organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore. Dhe paraqet një dokument të ri mbi rëndësinë e mbrojtjes së këtyre të drejtave.

R.SH. – Vatikan

Sot pasdite, rreth orës 18.00, Papa Françesku do të mbyllë samitin panamerikan të gjyqtarëve mbi të drejtat shoqërore dhe magjisterin e tij papnor, organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore, në shtëpizën Piu IV, në Vatikan. Gjatë fjalës së tij para njëqind pjesëmarrësve – magjistratë dhe funksionarë gjyqësorë amerikanë, nga Argjentina në Kanada – Papa do të paraqesë një dokument të ri mbi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave shoqërore.

Konferenca në Vatikan

Dje e sot, ekspertët e  ligjit u mblodhën në vazhdën e Takimit të 4 qershorit 2018 në Fakultetin Juridik të Universitetit të Buenos Airesit. Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore i ftoi ata të reflektojnë mbi aspektet ligjore të dokumenteve themelore të magjisterit të Papës, pas një takimi të parë organizuar në vitin 2016, “Kundër trafikut të njerëzve dhe krimit të organizuar”.

Drejtësi shoqërore do të thotë tokë, strehim dhe punë për të gjithë

Gjatë konferencës u diskutua si mund të vihen në jetë tri “T”-të e drejtësisë shoqërore, sipas Papës Françesku: “Tierra, Techo y Trabajo” (tokë, strehim dhe punë); si të sfidohen kufizimet buxhetore dhe kontrollet bankare e financiare, që imponohen nga të fuqishmit e kësaj bote dhe bazohen në borxhin e jashtëm të vendeve; si të kapërcehen presionet politike dhe të krijohet një lëvizje globale, bazuar në mbrojtjen e përhershme të të drejtave shoqërore.

Propozime për praktika ligjore në gjykata

Në këtë Samit, folën rreth dyzet gjyqtarë nga i gjithë kontinenti amerikan për tema, që kishin të bënin me zbatimin real të të drejtave shoqërore, ekonomike dhe kulturore, në dritën e Doktrinës Shoqërore të Kishës Katolike. Gjithashtu, u bë një hap përpara për krijimin e një “Bordi të përhershëm Pan-Amerikan për Mbrojtjen e të Drejtave Shoqërore”. Është fjala për një grup të vogël gjyqtarësh, të cilët, në të ardhmen, do të jenë në gjendje të koordinojnë përpjekjet në rajon për të optimizuar politikat gjyqësore, në mënyrë që ato të respektojnë plotësisht këto të drejta. Gjithnjë në të ardhmen, mendohet të arrihet në një takim botëror gjykatësish, përqendruar në temat shoqërore të magjisterit të Françeskut.

Papa në vitin 2016: pa drejtësi nuk ka zhvillim të qëndrueshëm

Në vitin 2016, në fjalën e tij për pjesëmarrësit e takimit të atëhershëm, edhe ai i organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave Shoqërore, Papa Françesku nënvizoi se pa drejtësi nuk ka zhvillim të qëndrueshëm. Kërkoi çlirimin e njerëzimit nga skllavëritë e reja dhe nga krimi i organizuar dhe i këshilloi gjykatësit të mos bien në rrjetin e korrupsionit. Unë e di, u pati thënë Papa gjykatësve, “se ju keni presione e kërcënime; e di që sot, të jesh gjykatës, të jesh prokuror do të thotë të vësh jetën në rrezik, prandaj meritoni mirënjohje për guximin… Pa këtë liri, pushteti gjyqësor i një kombi korruptohet dhe krijon korrupsion. Të gjithë e dimë si paraqitet drejtësia: me sy të lidhur. Në rastet e korrupsionit, i bie fasha dhe i mbyllet goja”. Ju, u tha Papa gjyqtarëve të gjithë botës, “jeni të thirrur të krijoni shpresën tek drejtësia. Nga vejusha e Ungjillit, që kërkon drejtësi me këmbëngulje, tek viktimat e sotme, të gjithë duan drejtësi e kanë shpresë se padrejtësia, që përshkon botën, nuk e ka fjalën e fundit”.