Papa ilir, Gjoni IV, Ati i Shenjtë që shpëtoi bashkatdhetarët e tij nga robëria e sllavëve

Nga Andreas Dushi

Duke shfletuar historinë e Romës, shohim disa papë me origjinë ilire e arbëreshe mes të cilëve padyshim më i njohuri ishte Papa Klementi, Papa që mblodhi “Kuvendin e Arbënit”. Por kjo nuk duhet të eklipsojë kontributin e papëve të tjerë, kontributin e të cilëve po e studion edhe programi shqip i radio “Vatikanit”.

Një ndër to është Gjoni IV. Ai  lindi në Zarë në një datë të papërcaktuar dhe vdiq në Romë më 12 tetor 642. Ai që papnoi nga 24 dhjetori i vitit 640, deri në vdekje, është Papa i 72 – të i Kishës katolike… I treti me origjinë ilire. Ishte dalmat, bir i diakonit Venancio. Kaq dihet për të, para se të bëhej papë. Perandori e miratoi papninë e tij vetëm katër muaj pas zgjedhjes, kohë gjatë së cilës Kisha e Romës qeverisej nga “Triumvirati” tradicional, i përbërë nga një kryediakon, një kryeprift e një kryenoter papnor.

Edhe të dhënat për papninë e tij janë tepër të mangta. Dihet vetëm se në këtë periudhë Roma kalonte kohë mjaft të qeta, mbasi konflikti më i mprehtë, ai ndërmjet Longobardëve e Bizantinëve i mbante dy krerët më të fuqishëm shumë larg nga Qyteti i Amshuar. Ngjarja e parë, e denjë për t’u kujtuar nën papninë e Gjonit, ishte dënimi i doktrinës monoteliste, deklaruar heretike edhe nga papa paraardhës, Severini, e nga ana e një koncili të thirrur prej tij në Romë.

Në vitin 638 perandori  Herakliu I, shpalli një dokument (l’Ekthesis), përmes të cilit e miratonte monotelizmin dhe i ndalonte të gjitha diskutimet lidhur me këtë argument. Papa Onori I, duke mos u thelluar sa duhet në këtë çështje, mbajti të njëjtin qëndrim me perandorin, ndërsa pak më pas, Papa Severini iu kundërvu. Së fundi Papa Gjoni, në Apologjinë e tij pro Honorio Papa, drejtuar në vitin 641 perandorit të ri, Kostandinit II, i cili shumë shpejt u vra, për t’u zëvendësuar nga Kostanti III, bëri një përpjekje të re në favor të ortodoksisë, duke dashur, ndërkaq, ta rehabilitonte kujtimin e Onorit.

Kostandini e siguroi Papën se do ta shfuqizonte “Ekthesis” e se do të kthehej rishtas në rrugën e drejtë të Kishës romake, por, me sa duket, u pendua dhe problemi mbeti i pazgjidhur e pastaj, edhe i harruar në shekuj, sepse dolën herezi të reja, probleme të reja e ndeshje të reja.

Ndërmjet shumë veprimtarive të Papës, në qendër të vëmendjes, ishte Dalmacia, problemet e së cilës i pati fort për zemër pasi, siç deklaroi shumë herë, ishte vendlindja e tij. Prej këndej nuk i kurseu përpjekjet për t’iu bërë krah popullsive dalmate, asokohe të tmerruara nga dyndjet barbare.

Dërgoi në Dalmaci Abat Martinin, me një shumë të madhe të hollash, për të liruar bashkatdhetarët, robër të sllavëve dhe të avarëve. Martini shkoi, çliroi shumë robër dalmatë e, më të kthyer, solli me vete reliket e shenjtorëve Venanci, Anastasi, Mauri e të shumë të tjerëve.

Papa Gjoni vdiq më 12 tetor 642 e u varros në Shën Pjetër.

Marrë nga: http://konica.al/2017/12/papa-ilir-qe-shpetoi-bashkatdhetaret-e-tij-nga-roberia-e-sllaveve/