Papa Frencesku dialog me të rinjtë: “Të protestoni është mirë nëse pastaj ndërtoni”

Papa Bergoglio në dialog me të rinjtë e të gjithë botës në selinë romake të Scholas Occurrentes, u tha ” jeni një fuqi e paimagjinueshme”

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku, në dialog me të rinj nga e gjithë bota, në selinë e Scholas Occurrentes në Pallatin e Shën Kalistit në Romë, sot pasdite, kujton mobilizimin e të rinjve në mbrojtje të mjedisin. “Të rinjtë janë e sotmja: nuk janë e ardhmja apo një “ndërkohë” e Zotit. Të rinjtë janë krijues, ata janë fuqi e paimagjinueshëm, mirëpo protesta në vetvete si e tillë nuk shërben, nuk është e nevojshme, nëse pastaj nuk ka kreativitet”, tha Papa në spanjisht.

“Protesta po, mirëpo protesta nuk arrin rezultate konkrete nëse nuk ndërtohet. Ju mund të bëni gabime, por më mirë të gaboni duke ndërtuar, se duke ndenjur duarkryq”, tha Bergoglio. “Të rinj dhe të moshuarit duhet të dialogojnë ndërmjet tyre. Nëse të rinjtë janë pa të moshuarit, i humbasin rrënjët e tyre, kuptimin e historisë, përkatësinë. Nëse të moshuarit janë pa të rinj, ndihen të izoluar dhe vdesin në pikëllim e në trishtim. Është, pra, momenti, siç thotë Joeli profet, që njerëzit e moshuar të ëndërrojnë dhe të rinjtë të profetizojnë. Është një dialog i frytshëm, ai ndërmjet të moshuarve dhe të rinjve, i cili u jep rrënjë dhe u ndihmon të rinjve të mos çrrënjosen”, nënvizoi Papa.

Kujtojmë se Fondacioni Scholas Occurrentes, është një organizatë ndërkombëtare e krijuar nga Papa Bergoglio më 13 gusht 2013, dhe është e pranishëm në 190 vende, aktualisht është lëvizja më e madhe studentore në botë.

Objektivi themelor i Fondacionit është promovimi i kulturës së paqes dhe takimit e përfshin shkolla ​​dhe rrjete arsimore që u përkasin të gjitha besimeve fetare dhe të gjitha realiteteve laike, si publike e po kështu edhe atyre private.