Papa Françesku: Zoti na kërkon të jemi profetë të vërtetë, ndërtues të unitetit

Me rastin e festës së dy Pajtorëve të Romës, Shenjtorëve Pjetër e Pal, Papa Françesku kremtoi Meshën në Shën Pjetër. Në homeli kujtoi se të gjithë besimtarët janë të thirrur nga Krishti për ta jetuar Ungjillin e për t’u bërë autorë të profecisë. Rëndësi nuk kanë fjalët, por shërbimi, kujtoi. E ka rëndësi të japësh gjithçka për Zotin, duke u bërë ndërtues i Kishës.

R. SH. – Vatikan

Mesha, e kremtuar duke nisur nga ora 9.30 në Bazilikën e Vatikanit, në praninë e pak besimtarëve, nisi me përshëndetjen e kryetarit të Kolegjit Kardinalor, kardinalit Giovanni Battista Re, që e falënderoi Papën për veprimtarinë e tij të palodhur, posaçërisht gjatë kësaj kohe kritike, kur pandemia vijon të kërcënojë jetë njerëzore. Pastaj u bekuan paliot e, pas bekimit, homelia.

Papa e mbështeti mbi dy fjalë, si mbi dy shtylla: unitet e profeci! Fjalë, të cilat i shpjegoi, duke e lexuar Shkrimin Shenjt me syrin e njeriut, që e jeton në kohët tona.

Unitet – ishte fjala e parë. Kremtojmë së bashku dy figura të ndryshme – kujtoi në fillim të homelisë: Pjetri ishte peshkatar. E kalonte jetën me rrema e me rrjeta. Pali, farize i ditur, që jepte mësim në sinagoga. Kur  shkuan në mision, Pjetri iu drejtua judenjve, Pali, paganëve. E kur rrugët e tyre u takuan, u zunë keqas, gjë që Pali nuk turpërohet ta tregojë në një nga letrat e tij. Ishin krejt të ndryshëm, e krejtësisht vëllezër, si njerëz që jetojnë të bashkuar, në të njëjtën familje, ku shpesh diskutohet, por pa e humbur kurrë dashurinë për njëri-tjetrin. Dashuri, që vjen drejtpërdrejt nga Zoti e na bashkon, por pa na bërë kurrë të njëjtë!

Nga lutja e përbashkët buron guximi e uniteti

Duke komentuar Leximin e Parë të sotëm, që çon  tek gurra e unitetit, Papa përshkroi situatën në të cilën ndodhej Kisha e posalindur. Ishte kritike: Herodi tërbohej, persekutimi bëhej gjithnjë më gjakatar, Jaku Apostull qe vrarë, Pjetri, arrestuar, bashkësia, kokëprerë! Secili tutej për jetën e vet. E megjithatë, në këtë çast – theksoi Papa në homeli – asnjëri nuk ikën, asnjëri nuk mendon ta shpëtojë lëkurën e vet, duke i braktisur  të tjerët. Të gjithë luten së bashku. E nga lutja buron guximi dhe uniteti, sepse përmes saj Shpirti Shenjt i bashkon njerëzit e u ngjall shpresat, që duken të humbura.

Ankimet nuk ndryshojnë asgjë

Vërejmë edhe një gjë tjetër: në këto çaste dramatike askush nuk ankohet për të keqen, që i ra mbi kokë, për persekutimin, për Herodin. E kotë e besdisëse sjellja e të krishterëve, që e kalojnë kohën duke u ankuar për botën, për shoqërinë, për gjithçka që shkon së prapthi. Ankimet nuk ndryshojnë asgjë. Të krishterët, që takojmë në faqet e Shkrimit Shenjt – kujtoi Papa në vijim të homelisë –  nuk fajsonin, luteshin. Nuk e merrnin nëpër gojë Pjetrin në pranga, po luteshin për të. Po ne sot – pyeti Papa, duke iu drejtuar botës me gojën e Ungjillit, që u flet të gjitha kohëve –  a e ruajmë unitetin me lutje? Ç’do të ndodhte nëse do të luteshim më shumë e do të mërmërisnin më pak? Të gjitha portat do të na hapeshin. Si iu hapën Pjetrit portat e burgut. Të gjithë zinxhirët, që na paralizojnë, do të këputeshin e do të binin përdhe!

Të lutemi për ata, që qeverisin

Vetë Zoti – kujtoi Françesku – i fton të krishterët të luten për njëri-tjetrin. E në radhë të parë, për kë qeveris. Për atë, që nuk mendon si ne, atë që na e përplasi portën në fytyrë, që nuk e kemi aspak të lehtë ta falim. Nuk duhet harruar: vetëm lutja i copëton zinxhirët, vetëm lutja e sheshon rrugën drejt unitetit!

Palio, simbol i unitetit

Sot – pohoi Papa, duke kujtuar një nga ritet më tipike të Festës së Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal – bekohen paliot, që u dorëzohen Dekanit të Kolegjit Kardinalor dhe Kryeipeshkvijve metropolitë, të emëruar vitin e fundit:

“Palio –  vijoi të kujtojë – është simbol i unitetit të deleve me Bariun që, ashtu si Jezusi, e ngarkon delen mbi shpatulla, për të mos u ndarë kurrë më prej saj”.

(kjo do të ndryshohet krejt)

Ekumenizëm: bashkë, drejt cakut

Një nënvizim tjetër, në vijim:

“Sot, pastaj, sipas një tradite të bukur – kujtoi Papa – bashkohemi në mënyrë të veçantë me Patriarkanën ekumenike të Kostandinopojës. Pjetri e Andreu ishin vëllezër e ne, sa herë krijohen mundësitë, shkëmbejmë vizita vëllazërore në festat e njëri-tjetrit. Jo aq për mirësjellje – nënvizoi – por për të ecur së bashku drejt cakut që na tregon Zoti: bashkimit të plotë!”.

Fjala e dytë, profecia

Duke kaluar tek fjala e dytë e rëndësishme e homelisë, profecia – Papa kujtoi se të dy apostujt u nxitën të veprojnë nga vetë Jezusi. Ishte Zoti, ai që e bëri Pjetrin shkëmb, mbi të cilin do të ndërtonte Kishën e vet; e Saulin Pal,  për ta çuar emrin e Tij ndërmjet popujve e kombeve:

“Profecia, pra, lind, kur na provokon vetë Zoti. E atëhere, si Pali e Pjetri, nisim të shikojmë larg: Pjetri i pari shpall se Jezusi është “Biri i Zotit të gjallë”, e Pali, pak para se t’i pritet koka, pohon “Më mbetet vetëm kurora e drejtësisë, që do të ma japë vetë Zoti”.

Sot kemi nevojë për profeci, për njerëz të dashuruar me Zotin

Sot kemi nevojë për profeci – pohoi me forcë Papa – për profeci të vërtetë: jo për fjalë, që premtojnë të pamundurën, por për jetë që e bëjnë të dukshme mrekullinë e dashurisë së Zotit.

“Nuk kemi nevojë për fjalë, por për lutje. As për pushtet, por për koherencë. Nuk na duhet teoria, por dëshmia. Nuk duam të jemi të pasur, por t’i duam të varfërit. Nuk na intereson të fitojmë për vete, por për ta shkrirë jetën për të tjerët! Nuk kërkojmë miratimin e botës, por gëzimin për botën, që do të vijë; nuk duam plane të frytshme baritore, por barinj, që ofrojnë jetën. Kemi nevojë për të dashuruar me Zotin! Që e kumtojnë si Pjetri e Pali,  që  flijohen për Zotin dhe njeriun. Kjo është profecia. Që ia ndryshon faqen historisë”.

Ti je Pjetër, shkëmb, e mbi këtë shkëmb do ta ngre Kishën time!

Jezusi i profetizoi Pjetrit – kujtoi Papa në përfundim të homelisë – “Ti je Pjetër, shkëmb, e mbi këtë shkëmb do ta ngre Kishën time!”. Edhe për ne është një profeci e tillë. Gjendet në Librin e fundit të Biblës, ku Jezusi u premton dëshmitarëve të tij besnikë “një guralec të bardhë, mbi të cilin shkruhet një emër i ri”. Ashtu si Zoti e shndërroi Simonin në Pjetër, ashtu na thërret edhe secilin nesh të bëhemi gurë të gjallë, për të ndërtuar Kishën dhe njerëzimin e ri.

Gjendet gjithnjë ndokush, që e rrënon unitetin dhe e shuan profecinë, por Zoti beson në mua, në ty. “Dëshiron të jesh ndërtues i unitetit? Do të jesh profet në qiellin tim e mbi tokë?”, na pyet Zoti.

Ta marrim guximin e t’i gjegjemi Jezusit: “Po, dëshiroj!”.