Papa Françesku: “Paqja është grua, lind nga dashuria e nënave”

Duke pritur sot përfaqësuesit e “American Jewish Committee”, Papa shprehu shqetësimin për ashpërsimin barbar të sulmeve antisemite, duke kujtuar edhe Festën e Gruas.

R. SH. – Vatikan

“Nëse ëndërrojmë një ardhmëri me paqe, i duhet krijuar hapësirë gruas” – ky, një nga fragmentet më të forta të fjalimit të Papës, drejtuar delegacionit të përbërë nga 40 përfaqësues të“American Jewish Committee”(Komiteti i Hebrenjve Amerikanë). E më pas shqetësimi  i Atit të Shenjtë lidhur me përhapjen në shumë vende të atmosferës së ligësisë dhe inatit, në të cilën po kryhen akte të tepruara urrejtjeje. Mendoj posaçërisht për ashpërsimin barbar të sulmeve antisemite, në disa vende” – theksoi këtë Papa Françesku,  gjatë takimit me  Hebrenjtë amerikanë.

“Edhe sot dëshiroj të pohoj se është e nevojshme të vigjilohet përballë këtij fenomeni – nënvizoi akoma Bergoglio – Duke pohuar, në vijim, se “në luftën kundër urrejtjes dhe antisemizmit, një nga mjetet më të rëndësishme është dialogu ndërfetar, me synim, promovimin e angazhimit për paqen, lirinë fetare, mbrojtjen e krijimit”. “Hebrenj e të krishterë, përveç tjerash, kanë një trashëgimi të përbashkët shpirtërore, që u krijon kushtet për të bërë  gjëra të mira së bashku” – nënvizoi Papa.

Në një kohë kur Perëndimi i nënshtrohet gjithnjë më shumë shekullarizmit shpërsonalizues, u takon besimtarëve të kërkojnë njeri-tjetrin e të bashkëpunojnë, për ta bërë sa më të dukshme dashurinë hyjnore ndaj njerëzimit. E edhe për të kryer gjeste konkrete afërsie, duke iu kundërvënë, me forcën e fesë, thellimit gjithnjë më shqetësues të indiferencës – përfundoi Françesku.